MENU
klinika

Aslamova, Antonov, Vangerskii

Kush janë spiunët rusë që u shpallën non-grata nga Kosova?

08.08.2022 - 12:55

Gazetarja Daria Aslamova është rusja e fundit që është shpallur person i padëshirueshëm në Kosovë. Përveç Aslamovas, vendi ynë ka shpallur non-grata edhe dy zyrtarë të Zyrës Ruse në Prishtinë dhe dy të tjerë nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Aslamova me vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet, pasi ishte ndaluar nga policia e vendit më 6 gusht.

Sipas ministrit Xhelal Sveçla, ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh në inteligjencën ushtarake ruse, duke vepruar nën petkun e gazetares. “Si ministër i Punëve të Brendshme, brenda kompetencave të mia ligjore, bazuar në Ligjin për të Huaj, Nenet 17 dhe 66 A, kam shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës Daria Asmalovan. Hyrja e këtij personi është e ndaluar për pesë vite në territorin e Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Sveçla.

Ai shtoi se kushdo që dëshiron destabilizimin e vendit do të përballem me forcën e ligjit.

“Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, vijoi ai.

52-vjeçarja nga Rusia, është korrespodente speciale për të përditshmen ruse Komsomolskaya Pravda. Kjo gazetë njihet për qëndrimet e saj pro-Kremlinit.

Ajo ka punuar edhe në Ukrainë si korrespodente lufte për kanalin që përhap propagandë ruse, Tsargrad. Ajo është parë si gazetare në shumë zona të luftës përfshirë Çeçeninë, Abhazinë, Nagorno-Karabakun, Osetinë, Taxhikistanin dhe ish-Jugosllavinë.

Në ditën e fundit të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës kishte marr vendim që ta largoj nga vendi zyrtarin rus të UNMIK-ut, Andrey Antonov.

Nga njoftimi i dhënë, Antonov ka qenë i angazhuar në zmadhimin e elementit pro-rus në bllokadat që ishin bërë në veri të Kosovës në shtator të 2021-së, kur serbët po kundërshtonin masat për reciprocitet me targa.

Zyrtari rus Antonov për herë të parë në Kosovë kishte ardhur në vitin 2001, si pjesë e misionit me policisë ruse, i cili kishte qëndruar vetëm rreth një vit. Më pas, ai ishte kthyer në vitin 2005 deri në vitin 2008, për t’u vendosur përfundimisht në vitin 2011 për të jetuar në Graçanicë më bashkëshorten e tij Natasha.

Natasha për mediet serbe kishte shpjeguar lidhjen që kanë për kishat ortodokse serbe.

“Këtu në Graçanicë kumbarët tanë janë Dushica Smigiq dhe Darko Stankoviq, i cili është i martuar me rusen Julia. Kemi në plan të rrimë me ta gjithë jetën, edhe nëse një ditë kthehemi në Rusi, qysh atëherë, ndoshta më shumë se tani, ata do të kujdesen për kishat serbe dhe ortodokse në Kosovë”, pati thënë ajo.

Në dokumentarin VIRUSSIA, pjesa që flet për sigurinë, tregohet se UNMIK-u po përdoret për të pamundësuar shtrirjen e ligjit në veri të Kosovës dhe se zyrtarët rus në këto misione ndërkombëtare janë të involvuar për qëllime të tjera.

Po ashtu, në fund të majit 2019, zyrtari rus i UNMIK-ut, Mikhail Krasnoshchenkov ishte shpallur non-grata pasi që ishte përfshirë në pengimin e institucioneve, duke qenë pjesë e strukturave kriminale në veri të Kosovës.

Krasnoshchenkov kishte marr pjesë në vendosjen e barrikadave në veri, duke penguar policinë. Madje, në automjetin e tij të UNMIK-ut ishte gjetur edhe sharra motorike, me të cilën ishin prerë drurë për t’i bllokuar rrugët.

Përveç shpalljes non-grata së këtyre zyrtarëve të UNMIK-ut, Kosova kishte urdhëruar largimin nga vendi edhe të Denis Vangerskiit dhe Alexey Krivosheevit, zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë. Kjo kërkesë ishte bërë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Kryvosheev ishte shpallur persona non grata edhe nga autoritetet e Shqipërisë. Para se të shërbente në Tiranë, diplomati rus kishte shërbyer në shtetet e Ballkanit, përkatësisht në Maqedoni të Veriut. /Telegrafi/

Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit

Kaos në Parlamentin serb, deputetët godasin njëri-tjetrin!

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin