“Boni ka nisur qysh në vitin 1975, për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, por kjo e fundit, vuri kushte katërcipërisht të pakapërcyeshme”.
Është ish-kreu i diplomacisë gjermane, Hans Ditrih Gensher, njëri nga protagonistët e negociatave Bon-Tiranë në vitet ’70-’80, që pohon faktin e panjohur, së paku për palën shqiptare.
Në një intervistë më herët, për agjencinë “Dojçe Vele”, dhënë gazetares Mimoza Kelmendi, duke iu kthyer përpjekjeve të asaj periudhe për të finalizuar vendosjen e ambasadave respektive në Bon e Tiranë, ai ka kujtuar krizën e rëndë që kishte pllakosur Shqipërinë në atë kohë, izolimin total që “vendi i shqiponjave” përjetonte qysh pas fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe profilin dogmatik të liderëve komunistë.
Sakaq, Gensher përmend shansin e madh që ofroi për shqiptarët Kryeministri i Bavarisë, Shtraus, në tri vizitat e tij në fillimin e viteve ‘80 dhe qëndrimet e pakuptimta të zyrtarëve vendas. Boni zyrtar, sipas ish-kreut të diplomacisë gjermane, e vlerësonte vizitën e Shtrausit si hapin e parë për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike. Por, sidoqoftë, shprehet ai, shkrirja e akujve midis dy vendeve donte negociata e përpjekje pa fund për disa vite me radhë, kjo më së shumti për kotësinë e argumenteve shqiptare. Gjermania, sipas Gensherit, kishte kërkuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të gjitha vendet që kishte qenë në luftë, ndër to edhe më Shqipërinë, që nga viti 1975. Më tej, Gensher tregon rrugëtimin drejt lidhjes së marrëdhënieve diplomatike.
Kur keni dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë dhe ç’dinit për të para se të arriheshin marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve?
Për Shqipërinë kam dëgjuar për herë të parë kur isha fëmijë, gjatë kohës së Musolinit. Natyrisht që i kisha përcjellë pothuajse të gjitha ngjarjet në atë kohë, të cilat kishin të bënin edhe me Shqipërinë. Në veçanti marrëdhëniet mes ishBashkimit Sovjetik dhe vendeve komuniste. Kësaj i përkiste edhe Shqipëria. Më vonë kam ndjekur edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës. Prishjen e këtyre marrëdhënieve, po ashtu.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe Shqipëria i vuajti pasojat. Gjatë kohës së ekzistencës së Republikës Popullore Komuniste të Shqipërisë, ne ishim të vetëdijshëm që marrëdhëniet mes dy vendeve tona vuanin për shkak të diferencimeve të mëdha të sistemeve politike të të dyja shteteve, si dhe të politikës izoluese të Enver Hoxhës.
Ju parapërgatitët kushtet që të hidheshin hapat në drejtim të vendosjes së këtyre marrëdhënieve?
Vizita e Shtrausit në Tiranë hapi në njëfarë mënyre rrugën për bisedime mes delegacioneve. Kishte ardhur koha që edhe me Shqipërinë, Gjermania duhet të lidhte marrëdhënie diplomatike pas një sërë marrëdhëniesh të vendosura nga ajo në disa vende të Europës Lindore në atë kohë. Shqipëria në këtë kohë ishte vërtet në gjendje shumë të rëndë ekonomike dhe mbeti e vetme dhe pothuajse e izoluar, pa asnjë aleat…
Ajo që na befasoi në atë kohë ishin disa kushte të Shqipërisë për reparacionet e luftës, të paraqitura në atë kohë nga ish-Kryeministri (Adil Çarçani) në vitin 1986, kur Shtrausi erdhi në Tiranë. Mendoj se qeveria e Shqipërisë, duke mos pasur mundësi që të marrë kredi për shkak të Kushtetutës së saj, këmbëngulte në dëmshpërblimet e luftës, që ishin shuma shumë të mëdha prej miliardash. Kjo kërkesë, në fakt, u përsërit pas asaj që ishte bërë në vitin 1975 nga qeveria e Shqipërisë kur ne kërkuam që të vendosnim marrëdhënie me të gjitha vendet që kishin qenë në luftë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
A ishte vërtet kjo, një shumë që nuk përballohej nga ju, si Gjermani për t’u dhënë, apo ishte diçka tjetër?
Patjetër që nuk ishte shumë, por ajo që ishte penguese në këtë histori ishte fakti që ne si Gjermani nuk jepnim reparacione, e kishim të ndaluar me Kushtetutë. Ne ishim, në fakt, një vend që kishim suficit buxhetor dhe ishim një nga vendet që u jepnim më së shumti ndihma financiare vendeve të pazhvilluara, të varfra. Dhe pikërisht këtë unë e bisedova me të gjithë përfaqësuesit që të shihnim një zgjidhje të arsyeshme për të dyja palët.
Ne ofruam edhe kredi me kushte shumë të favorshme, por Shqipëria nuk mund t’i pranonte për shkak të Kushtetutës së saj. Dhe pas shumë peripecish, sepse na lindi edhe problemi që Shqipëria atëherë nuk plotësonte as kushtet që t’i ofronim ndihma ngaqë sipas statistikave zyrtare, standardi i të ardhurave vjetore të shqiptarëve ishte “i lartë”, u bë e mundur që pala shqiptare të hiqte dorë nga reparacionet. Besoj se në arkivin e Shqipërisë duhet të jenë të dhënat e sakta në shifra lidhur me ndihmat e atëhershme.
Zoti Gensher, për këto bisedime ka edhe shumë spekulime, por ajo që thuhet më së shumti janë dëmet e luftës, si: njerëzit e vrarë, shtëpi e fshatra të rrënuara etj. Dhe shqiptarët, duke u nisur nga kjo situatë, kishin bërë përllogaritje si duket shuma të mëdha.
Është e vërtetë që shqiptarët prisnin shumë më shumë. Shqipëria pretendonte zhdëmtim për dëmet e shkaktuara nga lufta. Por Boni çdo herë refuzonte, sepse dëmshpërblimet ishin të mundshme vetëm në kuadër të një marrëveshjeje paqeje, siç e parashihte Marrëveshja e Londrës. Në mars të vitit 1982, kërkesat për zhdëmtim do të rriteshin bashkë me kamatën (interesin) dhe kamatën e kamatës në shumën prej 4 miliardë dollarësh.
Bisedimet paraprake ishin bërë në Vjenë, por duket sikur u zvarritën ose u vonuan më pas. Kishte edhe arsye tjetër përveç asaj të dëmshpërblimeve?
Pati një lloj pauze, sepse në vitin 1985 vdiq ish-diktatori Hoxha dhe po ashtu, më pas ndodhi një ngjarje tragjike në Gjermani. Në tetor 1986 u vra drejtuesi i delegacionit gjerman në atë kohë, zoti Gerold von Braunmuhl, i cili u vra para shtëpisë së tij në Bon, nga e ashtuquajtura Ushtria e Kuqe (Rote Armee Fraktion).
Duhet theksuar se këto marrëdhënie, megjithatë, nuk ishin shumë të vonuara. Faktikisht bisedimet nisën fillimisht për marrëdhënie ekonomike, sepse ky vend komunist kishte treguar interes edhe më parë për këtë. Megjithatë, në vitin 1986 shqiptarët hoqën dorë nga disa kërkesa. Boni ishte ndarë përfundimisht nga Rajhu nazist. Dhe kështu u vendos më në fund që më 1 tetor këto dy vende të përfaqësoheshin me ambasadorët e tyre përkatës.
Dhe pas vendosjes së këtyre marrëdhënieve diplomatike, ju vetë personalisht shkuat në Tiranë dhe zhvilluat një sërë takimesh, edhe me ish-Presidentin Ramiz Alia?
Po, ka qenë në vjeshtë të 1987-s, tetor, dhe më kujtohet shumë mirë. Kuptohet që vizita e Shtrausit kishte dhënë një sinjal pozitiv në aspektin politik për Shqipërinë, por ai ka qenë në nivel landi (Bavari) dhe nuk ka përfaqësuar kurrë Bonin zyrtar. Ajo që kisha të sigurt ishte interesimi i Shqipërisë për marrëdhënie ekonomike me ne, sepse po jetonte në një varfëri të plotë.
Megjithatë, më kujtohet që me ish-Presidentin folëm edhe për hapjen e vendit dhe, mbi të gjitha, për futjen e Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë. Unë i këshillova që të futeshin në KSBE, si një hap për të dalë nga izolimi. Izolimi sjell mjerim për popullin, u thashë politikanëve shqiptarë. Tashmë Shqipëria ka ndryshuar shumë dhe më gëzon fakti që ajo aspiron për në BE dhe është anëtare e NATO-s. Pas kthesës demokratike në Shqipëri 1990-1991, janë intensifikuar edhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Gjermania ka mbështetur dhe mbështet procesin e integrimit e Shqipërisë në strukturat europiane.
Zoti Gensher, si u prit në Gjermani kjo ngjarje, pra, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë?
Në Gjermani, më kujtohet që u prit shumë pozitivisht. Nuk ishte sensacion i madh, por u pranua pozitivisht.