MENU
klinika

Analiza e The Washington Post

Lufta nuk fitohet pa shpenzuar, kur do ta kuptojë Perëndimi?

02.08.2022 - 12:47

Për gjashtë muaj, vendi ka luftuar në dy fronte: zmbrapsjen e ushtrisë ruse në fushën e betejës, ndërkohë që i kundërvihet një sulmi ekonomik që po degradon me shpejtësi ekonominë e tij të dobët.

BE-ja u zotua të mbajë në këmbë ekonominë e Ukrainës përballë agresionit – dhe nuk duhet të lejojë që mosfunksionimi burokratik dhe politik ta pengojë tani.

Kambanat e alarmit po bien mbi financat publike të Ukrainës ndërsa kostoja e luftës rritet dhe luftimet e pengojnë Kievin të vazhdojë tregti normale. Në javën e kaluar, Ukrainës i është dashur të zhvlerësojë monedhën e saj me 25% kundrejt dollarit; i është dashur t’u kërkojë kreditorëve të huaj më shumë kohë për të përballuar pagesat e borxhit.

Rënia e ekonomisë së Ukrainës – e simbolizuar nga një dështim kombëtar – do t’i jepte Rusisë një fitore të madhe propagandistike dhe do të “gërryente” moralin për ukrainasit.

Kremlini do ta konsiderojë këtë si një humbje poshtëruese, ndërsa argumenton se ekonomia ruse ka mbizotëruar pavarësisht sanksioneve perëndimore.

Dhe kjo është pikërisht ajo që ministrat e financave të G-7 ranë dakord të shmangin në maj, kur u mblodhën në Gjermani për takimin e tyre vjetor.

Në të vërtetë, shefi gjerman i financave, Christian Lindner, i cili kishte marrë presidencën e rradhës të grupit, deklaroi se nuk do të kishte probleme financimi për Ukrainën si rezultat i një pakete mbështetjeje prej rreth 18 miliardë euro (18.4 miliardë dollarë), nga të cilat, BE-ja do të jepte 9 miliardë.

Megjithatë, që atëherë, BE-ja ka autorizuar vetëm disbursimin e një pjese të vogël – me 8 miliardë euro ende për t’u paguar.

Deficiti është në harresë sepse Brukseli dhe qeveritë kombëtare të BE-së nuk kanë vendosur ende se si do të financohet. Vonesa jo vetëm që rrezikon përkeqësimin e një situate tashmë të vështirë për Ukrainën, por gjithashtu bie ndesh me një marrëveshje të heshtur midis Evropës dhe SHBA-së, në të cilën amerikanët do të siguronin pjesën më të madhe të armëve të rënda, ndërsa evropianët do të siguronin ndihmën financiare.

BE nuk mund të presë që Uashingtoni t’i bëjë të dyja.

Brukseli duhet të dalë me një rezolutë për këstin parave të BE-së para se të jetë tepër vonë për Ukrainën. Kievi ka sinjalizuar se dëshiron të përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare, por nuk mund ta bëjë këtë pa mbështetje.

Gjatë gjithë kohës, Kievi ka qenë një partner i besueshëm për BE-në – duke ruajtur rrjedhat e gazit rus që kalonin përmes infrastrukturës ukrainase edhe kur Vladimir Putin zhvilloi luftë. BE-ja duhet ta pranojë këtë.

Pushimet verore, i cili zakonisht e gjen Brukselin në gjumë, nuk duhet të jetë justifikim për mosveprim.

Kjo nuk është një verë e zakonshme: lufta nuk bën pushim, as tregjet financiare.

Situata duhet të shërbejë si një paralajmërim për autoritetet evropiane që zvarriten mbi një paketë që duket si një pikë në oqean kundër kostove më të gjera të luftës.

Nevojat e Ukrainës do të bëhen më të mëdha sa më shumë të zgjasë lufta.

Perspektiva komplikohet më tej nga fakti se Evropa së shpejti do të ketë një krizë energjetike . Ukrainasit kanë qenë dëshmitarë të situatae të tilla.

Brukseli mund të ketë problemet e veta, por kjo nuk do të thotë se duhet t’ia hedhë topin Ukrainës.

Nëse Ukraina humbet luftën ekonomike, do të humbasë edhe ushtarakisht. Luftërat rrallë, nëse ndonjëherë, mund të fitohen me çmim të lirë. Beteja për Ukrainën nuk bën përjashtim.

Burimi: The Washington Post

Përktheu dhe përshtati: Konica.al