MENU
klinika

Tensionet

Nancy Pelosi mbërrin në Tajvan, pavarësisht paralajmërimeve…

02.08.2022 - 19:02

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi mbërriti në Tajvan të martën, pavarësisht paralajmërimeve të Kinës dhe Rusisë që kjo vizitë të mos ndodhte.

BBC ka publikuar videon kur ajo zbret në aeroportin e Tajvanit, ku përshëndet delegacionin.

Kina, e cila pretendon se Tajvani është territor i saj, ishte kundër kësaj vizite. Kundër vizitës është shprehur edhe Rusia ditën e sotme, pak para se Pelosi të mbërrinte në Tajvan.

Pelosi mbërriti në Songshan të Taipeit në orën 22:44 me kohën lokale. Ajo pritet të udhëtojë me autokolonë në hotelin Grand Hyatt në Taipei, ku do të qëndrojë gjatë natës.

Jashtë hotelit po mbahet një protestë e vogël nga një grup qytetarësh pro Kinës të cilët janë kundër vizitës së saj.

Pelosi është politikania më e lartë amerikane që ka vizituar Tajvanin që kur kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich e vizitoi këtë vend në vitin 1997.

Kina e sheh Tajvanin si provincë të shkëputur, të cilën mund ta marrë edhe me forcë nëse është e nevojshme.

Pelosi ka qenë një kritike e ashpër e Kinës gjatë më shumë se tri dekadave të saj në Kongres – dikur ka shpalosur një pankartë të sheshit Tiananmen të Pekinit, që përkujtonte të vrarët nga regjimi në një protestë pro-demokracisë, më 1989.

Ajo ka qenë, po ashtu, mbështetëse e fuqishme e protestave pro-demokracisë të vitit 2019 në Hong Kong – çfarë e ka bërë atë objektiv të kritikave nga Pekini.

Tajvani gëzon mbështetje të fortë dypartiake në Kongresin amerikan.

Kujtojmë se samiti i fundit i SHBA-ve me Kinën është zhvilluar më 16 nëntor të vitit 2021, atëherë kur ende përflitej çështja e Tajvanit dhe paralajmërohej për një luftë në Ukrainë.

Ndërsa tensionet mes Kinës dhe Tajvanit janë shtuar, Presidenti amerikan Joe Biden pritet të flasë të enjten me presidentin kinez Xi Jinping.

Kjo vizitë është vizita e parë zyrtare në Tajvan nga një kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara në 25 vjet.

“Vizita e delegacionit tonë të Kongresit në Tajvan nderon angazhimin e palëkundur të Amerikës për të mbështetur demokracinë e gjallë të Tajvanit”, citohet të jetë thënë në fillim të deklaratës.

“Vizita jonë është pjesë e udhëtimit tonë më të gjerë në Indo-Paqësor – duke përfshirë Singaporin, Malajzinë, Korenë e Jugut dhe Japoninë – të fokusuar në sigurinë reciproke, partneritetin ekonomik dhe qeverisjen demokratike. Diskutimet tona me udhëheqjen e Tajvanit do të përqendrohen në riafirmimin e mbështetjes sonë për partnerin tonë dhe në promovimin e interesave tona të përbashkëta, duke përfshirë avancimin e një rajoni të lirë dhe të hapur Indo-Paqësor. Solidariteti i Amerikës me 23 milionë banorët e Tajvanit është më i rëndësishëm sot se kurrë, pasi bota përballet me një zgjedhje midis autokracisë dhe demokracisë”, citohet të ketë thënë ndër tjerash deklarata.