Ndonjëherë është më mirë të kesh një uniformë të tretë me një ngjyrë të pazakontë, se sa të bësh atë që do të detyrohet të bëjë Newcastle. Bardhezinjtë, në fakt, do të jenë të detyruar të luajnë kundër Brighton-it me fanellën e stërvitjes.
Kjo sepse asnjë nga tre uniformat zyrtare të regjistruara nuk shkon, siç ka bërë të ditur Daily Mail Rregulli i Premier League është i qartë: Futbollistët e dy klubeve duhet të mbajnë veshur fanella që kanë një kontrast të mjaftueshëm mes tyre, në mënyrë që arbitri, spektatorët në stadium dhe ata para televizorit të jenë në gjendje t’i dallojnë qartë dy ekipet.
Më e lehtë të thuhet se të bëhet, të paktën për Brighton-Newcastle. Pulëbardhat, duke parë se luajnë në shtëpi, do të veshin uniformën klasike me viza të bardha dhe blu. Newcastle duhet të përdorë atë të të transfertës, por që është blu e errët dhe për këtë arsye nuk krijon shumë kontrast me atë të vendasve.
Po fanella e tretë? I njëjti problem, sepse është e bardhë. Në këtë pikë, normalisht do të zgjidhej uniforma e parë, por Neëcastle nuk mund ta veshë as atë. Fanella historike me viza të bardha dhe të zeza, në fakt, është gjithsesi shumë e ngjashme me atë me viza bardheblu të Brighton.
Çfarë të bëhet atëherë? E thjeshtë, merret fanella e stërvitjes, që ka një ngjyrë blu shumë të hapur, i ngjiten numrat dhe simbolet e Premier League dhe ato të sponsorëve. Sigurisht, pyetja që mund të bëhet është pse në këtë pikë Brighton nuk ka vendosur të përdorë fanellën e dytë, të kuqe, që nuk do të kishte krijuar gjithë këto probleme.
Përgjigjja është shumë e thjeshtë: skuadra që luan në shtëpi zgjedh uniformën. Dhe Pulëbardhat duket se nuk donin t’i bënin asnjë favor Newcastle.