Presidenti i vendit Bajram Begaj ka uruar atleten shqiptare Luiza Gega e cila u shpall kampione e Evropës në 3000 metra me pengesa. Begaj ka zhvilluar një telefonatë me kampionen e Evropës, duke e cilësuar si frymëzim dhe përgjegjësi “për ta mbështetur në rrugëtimin e saj si krenari e Shqipërisë!”
“Bisedë emocionuese telefonike me kampionen tonë Luiza Gega. Frymëzim, por mbi të gjitha përgjegjësi për ta mbështetur në rrugëtimin e saj si krenari e Shqipërisë” – shkruan Begaj.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama shkruan: “MIRËMËNGJES! Dhe me këto momente historike të dhuruara nga një kampione e modestisë, vullnetit e ambicies dhe qysh mbrëmë edhe kampione e Europës, ju uroj një të diel të bukur”.
Në lidhje me fitoren historike të Luiza Gegës të shumta kanë qenë reagimet nga personazhet e njohur. Përmes rrjeteve sociale, VIP-at shqiptarë dhe politikanët kanë uruar me krenari Luiza Gegën për fitoren. Ja disa nga reagimet:
Erion Veliaj: “Kyyy ëëështë kuuuulmiiiii! Bravoooooo Luizaaaa, bravooooo Kampiooooone! E paepura Luiza Gega kampione e Europës në 3000 metra me pengesa. Askush më parë s’ia ka dalë të ngjisë majën e Europës me flamurin kuqezi në pistën e atletikës.”
Arbana Osmani: “U zgjova me këtë dhe s’mund të isha më e lumtur. Krenare!”
Blendi Fevziu: “Fantastike!”
Ilir Shaqiri: “Ti Shqipëri më jep nder!”
Tifozat Kuq e Zi: “E arta jonë, Luiza Gega! Kampione në 3000 m me pengesa në Kampionatin Europian të Atletikës në Mynih. Përfaqëson Shqipërinë në mënyrën më dinjitoze dhe vendos rekordin e ri 9:11.31 duke thyer me 7 sekonda rekordin e vitit 2010 nga rusja Zaripova. Krenari!”