MENU
klinika

Nga 2-16 shtator, fazat që përcaktojnë fituesit

Nisin regjistrimet në universitete, si të bëni zgjedhjen e duhur!

31.08.2022 - 15:57

Listat a para të fituesve thuajse gjithnjë shkaktojnë ankth e panik në radhët e maturantëve që e shohin veten të qindtë apo të mijtë në renditjen fillestare që bëjnë fakultetet bazuar në preferencat e tyre.

Por me nisjen e regjistrimeve, pas dy apo tri fazave të para, kur maturantët ekselentë kanë ndarë mendjen për çfarë duan të studiojnë, zbardhet renditja finale, prej nga nis gara e vërtetë. Këshilla e përsëritur që iu jepet maturantëve, qoftë nga mësuesit apo ekspertët e arsimit është mosnxitimi.

Pra, nga frika e humbjes së një dege ku sistemi e nxjerr fitues për momentin, ata nuk kanë durimin e guximin për të pritur degën e preferuar. Sidoqoftë, ka një shans të dytë edhe për ta, me çregjistrimet në fund të çdo raundi, por kuotat në dispozicion nuk janë më të njëjtat si në krye të herës.

RAUNDI I PARE

Duke nisur nga nesër, çdo i ri i shpallur fitues mund të shkojë të regjistrohet pranë sekretarisë së fakultetit të përzgjedhur. Ndërsa të tjerët, nën vizën e kuqe që ndan fituesit me humbësit do të duhet të presin që ID-ja e tyre të bëhet me ngjyrë të gjelbër në sistem. Që sot, “U-albania” do të hedhë elektronikisht të gjitha ID-të e të rinjve ku secili do të ketë këndin e tij në të cilin shfaqet lista e degëve ku ka aplikuar bashkë me pikët dhe renditjen në secilën prej tyre.

Programet me të gjelbër janë ato ku ai/ ajo i ka fituar, me të verdhë ato ku maturanti duhet të presë përfundimin e fazës 48-orëshe për t’u regjistruar dhe me të kuqe degët ku nuk është shpallur fitues. Parimisht, duhet ditur diçka. Degët me jeshile në të cilat maturanti nuk paraqitet në sekretari për t’u regjistruar, ose për ta zënë atë kuotë, shpallen automatikisht të lira në fazën pasardhëse. Pra, heshtja në këtë rast, merret si refuzim. Viza e kuqe zbret me aq numra sa të rinj që s’janë paraqitur për t’u regjistruar.

Pavarësisht tentativave për të bërë ndryshime, edhe këtë vit do të ketë tri raunde regjistrimesh. I pari, me shtatë faza 48-orëshe, si në tabelën përbri, ku pas secilës prej tyre viza e kuqe ulet vazhdimisht dhe ID-në e maturantëve ngjitet gjithnjë e më lart. Sugjerohet pritja.

Me kalimin e fazave, nëse shikoni se jeni ende shumë larg degës së preferuar dhe mendoni që nuk e kapni dot, atëherë këshillohet një plan B, regjistrimi në një tjetër më pak të preferuar se ajo që s’e fitoni. Pra, asnjëherë regjistrimi direkt që në fazë të parë në një degë nga ato që konsiderohet “mbushëse” të Formularit.

Ashtu siç parashikon portali i meritokracisë, secili maturant duhet të kërkojë të mesmen e artë, atë përputhjen midis degës që preferon dhe meriton ta fitojë (ka pikët e duhura). Busull orientimi për këtë janë pikët e fituesit të vitit të shkuar, nota mesatare, renditja dhe pikët që i janë dashur fituesit të fundit të një programi të caktuar për pranim. Për shembull, mjekësia e përgjithshme vitin që shkoi kishte 360 kuota. Fituesi i fundit ishte me mesatare 9.77 dhe i renditur i 480-i në listë. Ky është shembull i degës më të kërkuar, pasi për të tjera preferenca ka tregues të tjerë.

24 orë afat për ankimimin e rezultatit

“Isha me të gjitha dhjeta dhe nuk fitova degën e preferuar”. Jo rrallë dëgjohet kjo frazë pasi shpallen fituesit. E gjithnjë do të ketë të tillë. Universitetet e kanë menduar këtë pjesë dhe kanë ofruar një ditë para se të nisë regjistrimi, mundësinë e ankimimit të rezultatit. Pikërisht dita e sotme, 1 shtator është lënë në dispozicion për të. Maturantët e pakënaqur me rezultatin mund të bëjnë një ankesë me shkrim duke e dorëzuar pranë protokollit të fakultetit, nga i cili do të marrin përgjigje brenda një harku 24 orësh.

Me përfundimin e këtij afati, universitetet, pasqyrojnë në format elektronik vendimet lidhur me ankimimin e aplikantëve. Por, pavarësisht paraqitjes së ankesës, nëse janë shpallur fitues në një ose disa programe të tjera studimi, mund të vijojnë procedurat e regjistrimit. Nëse ankesa pranohet, ata duhet të çregjistrohen nga programi (nëse janë regjistruar) dhe të kalojnë në atë program në të cilin është pranuar ankimimi në datat 16-17 shtator.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Transformimi i sistemi shëndetësor dhe financiar kinez?

Zhvendosja e shpejtë drejt një ekonomie dixhitale