MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Pas Gramshit/ Shqipëria, hallka e dobët e NATO-s duhet të matet mirë, sfidat i ka përpara

23.08.2022 - 15:19

Në orët e fundit dy ngjarje, si pa lidhje me njëra-tjetrën, na treguan brishtësinë e kohës ku jemi por edhe sfidat e Sigurisë Kombëtare, që kemi përpara. Gramshi dhe Poliçani, dy ish-uzina ushtarake, që tashmë kanë statusin e fjetur prej mungesës së aktivitetit të dikurshëm, por që janë ende nën mbrojtje ushtarake, kanë qenë pré e objektivit fotografik të “turistëve” të Lindjes. Dy rusë, një ukrainas dhe katër çekë janë të gjithë protagonistët, që të mbrojtur prej pathosit të kinse medias së lirë, erdhën të fotografonin. Në orët në vazhdim, publiku shqiptar mësoi shumë gjëra të reja, por më shqetësues ishte fakti se: paraardhës të tyre (polakë) kishin qenë dhe botuan edhe një dossier, madje me foto të këtyre vendeve. Ashtu si në Porto Palermo fotografohet lirisht, të paktën siç mësohet nga reagimi i njerëzve.

Për fat gatishmëria e njerëzve të mbrojtjes dhe rendit ka qenë e duhur, madje edhe me pasoja për vetë ata, por të paktën kanë arritur t’i vendosin “kundërvajtësit” pas hekurave. Do të jetë Drejtësia dhe hetimet që do të shkojnë më thellë dhe do të tregojnë të vërtetat. Kuptohet, nëse do t’i shkojnë ndonjëherë deri në fund, por shqetësimi dhe pritshmëria është nëse gjithçka fashitet dhe “kundërvajtësit-gazetarë” të kthehen qetësisht në shtëpitë e tyre, sikur të mos ketë ndodhur gjë!!!

Shqipëria me këtë kapacitet turistik që ofron ka gjasa të shtojë numrat e veta në vitet në vazhdim, paçka atij që do të jetë në pushtet. Në fakt, teknikisht, autoritetet tona nuk është se ofrojnë disa kufizime etike, kulturore dhe zakonore për të vizituar vendin. Ose të paktën në formën e leaflet t’u jepen turistëve për të respektuar gjëra të cilat ata nuk duhet t’i marrin gjithnjë me mënd. Por, cilido mund të vi lirisht dhe nuk i thuhet se duhet të ketë kujdes për trashëgiminë tonë; se duhet të ketë kujdes kur fotografon mrekullitë e artit tonë ikonografik të shekujve të shkuar; se duhet t’i rri larg institucioneve ushtarake; se duhet të ketë kujdes në sjellje me komunitetet fetare etj. Në vend të kësaj duket se jemi të etur vetëm për ardhje dhe afrim të të huajve, që shfrytëzojnë atë sensin e virgjërisë së Shqipërisë, që po shkon si inerci qysh prej socializmit.

Rusia dhe Kina, mes të tjerëve, duket se po e shfrytëzojnë më së miri këtë fakt kudo në rajon. Ndikimi i këtyre të fundit po shtohet në kulturë, ekonomi dhe shoqëri nga dita në ditë në Ballkan. Kurse Rusia e ka dorën më të fshehur dhe ende pret të marrë beneficet që rrjedhin edhe nga një inerci e sjelljes së dikurshme në vendet tona, kur ishim pjesë e Kampit Socialist. Dekoratat që ka shpërndarë, bursat e shumta të studentëve, ndihma e hapur dhe në vendet tona fqinje edhe politika me anë të aksioneve të rëndësishme në projektet e naftës dhe gazit. Për fatin jo të mirë të rajonit, që pret në paradhomën e Bashkimit Evropian, Maqedonia e Veriut, Federata e Bosnjës dhe Serbia janë realisht të varura nga gazi dhe nafta ruse.

Ndërkohë, tensionet etnike midis boshnjakëve dhe serbëve duket se kanë mbështetjen e Rusisë, ku Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, jo vetëm mbështet krijimin e dy republikave të vetëshpallura në Ukrainë, sipas idesë së presidentit rus Vladimir Putin por më keq akoma duket se bllofon edhe Serbinë kur u thotë hapur se: unë kam lidhje direke me Moskën, një gjë që është deridiku e vërtetë. Falë kësaj, Dodik kërkon të bëjë ushtrinë serbe të pavarur në Bosnjë, të shkëputet nga sistemi i taksave të Federatës dhe madje të inkurajojë ndarjen e plotë separatiste.

Gjermania ishte e para që u zgjua dhe ia ngriu projektet infrastrukturore me vlerë 120 milionë euro, kurse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar u tregua e drejtpërdrejtë: njoftoi sanksione në prill 2022 kundër Dodik, duke përfshirë një ndalim udhëtimi për të personalisht për minimin e stabilitetit të rajonit dhe korrupsion. Në Shqipëri këtë penalitet e ka Sali Berisha me të njëjtën akuzë për korrupsion dhe të tjerë pritet që t’i bashkohen deri në fund të vitit. Sa për Maqedoninë e Veriut ngërçi ka qenë i përmbledhur në figurën e Nikolla Gruevskit, që tashmë gëzon një status paqësie në Hungari.

Ky është një nga aspektet e kaosit dhe ndërfutjes së faktorëve të tretë, por ndërkohë, shtetet e Ballkanit Perëndimor po përjetojnë një ikje masive të trurit, e cila llogaritet se në dy dekadat e ardhshme ta përgjysmojë popullsinë dhe sidomos luftërat e brendshme të lodhshme politike. Shqipërinë e pret një vjeshtë e lodhshme me dy parti të dy politikanëve të vjetër, që do kërkojnë kokën e Ramës. Ndërkohë, të rinjtë shqiptarë, të lodhur nga ky trinom po shkon në vendet e BE-së: jo thjesht në kërkim të punës por për të gjetur qetësinë dhe një shpresë që nuk e afron askush në Tiranë dhe kudo në Ballkan.

Të gjitha këto, por edhe hapja e vështirë e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pamundësia e Kosovës për të liberalizuar vizat i ka bërë vendet tona shumë më skeptike se më parë dhe duket se po i lë fushë të lirë Rusisë dhe Kinës për të rritur ndikimin.

Në të vërtetë, atë që SHBA e nënvizon si nevojë gjeostrategjike për rajonin lidhur me integrimin tonë, BE-ja nuk po e vlerëson duke ia lënë falë pasivitetit të saj në Ballkanin Perëndimor, gjithnjë e më të përçarë, ku Rusia pohohet se ka kultivuar grupe nacionaliste dhe përdor vazhdimisht dezinformata, ku dëmin më të madh po e merr e gjithë paradigma e sotme pro-demokracisë.

Pak vite më parë, Zv/presidenti  i SHBA-së Mike Pence paralajmëroi për operacionet e ndikimit të Rusisë dhe përpjekjet e fshehta në Ballkan dhe theksoi vendosmërinë e SHBA për të mbështetur autonominë e Ballkanit në Samitin e Kartës së Adriatikut 2017 në Mal të Zi, duke thënë se: “Rusia vazhdon të kërkojë të rivizatojë kufijtë ndërkombëtarë me forcë. Dhe këtu, në Ballkanin Perëndimor, Rusia ka punuar për të destabilizuar rajonin, për të minuar demokracitë tuaja dhe për t’ju ndarë nga njëri-tjetri dhe nga pjesa tjetër e Evropës. Synimet e Rusisë u zbuluan kur agjentët e mbështetur nga Moska u përpoqën të prishnin zgjedhjet e Malit të Zi, të sulmonin parlamentin tuaj (Lexo të Malit të Zi) dhe madje të tentonin të vrisnin kryeministrin për të bindur popullin malazez që të mos hynte në Aleancën tonë të NATO-s. Presidenti Trump i ka bërë thirrje qartë Rusisë të “ndalojë aktivitetet e saj destabilizuese”. Dhe mund t’ju siguroj: Shtetet e Bashkuara të Amerikës refuzojnë çdo përpjekje për të përdorur forcë, kërcënime ose frikësim në këtë rajon ose më gjerë. Ballkani Perëndimor ka të drejtë të vendosë për të ardhmen tuaj, dhe kjo është vetëm e drejta juaj”.

Por nuk mbaron këtu. Në një studim shkruar pak vite më parë nga Paul Stronski dhe Annie Himes me titull “Russia‘s game in Balkans” për subjektet ruse thuhej se ato gëzojnë ndikim në tregjet e pasurive të paluajtshme dhe turistike të disa vendeve të Ballkanit, veçanërisht në Mal të Zi dhe Bullgari. Mediumi rus “Novaya Gazeta” pretendonte në vitin 2012 se qytetarët rusë zotërojnë rreth 40 për qind të pasurive të paluajtshme në Mal të Zi, veçanërisht përgjatë bregdetit të Adriatikut. Liberalizimi i vizave, i cili u dha pronarëve të tokave jo-shtetas akses pa viza në vend deri në një vit, çoi në një rritje të vizitorëve rusë dhe investitorëve të mundshëm në vend. Nga ana tjetër, në Shqipëri, liberalizimi i vizave për qytetarët rusë nuk është matur ndonjëherë për efektet pozitive të tyre apo ato negative. Po sërish në Malin e Zi, deri në vitin 2016, afërsisht një e treta e të gjitha kompanive të huaja të regjistruara dhe që operonin në Mal të Zi ishin në pronësi ruse, duke e bërë atë vendin ballkanik me investimet më të mëdha ruse. Specialistët, e cituar në artikullin e sipër-shënuar mendonin se investimet aktuale ruse mund të ishin edhe më të larta, duke pasur parasysh praninë e madhe të investimeve në det të hapur. Por, Bullgaria që është një nga vendet që po i bën bllokadë më të fortë mbetet gjithashtu një destinacion kryesor për turistët rusë, me vendin që përfiton nga afërsia me Rusinë, bregdeti i Detit të Zi dhe lidhjet kulturore dhe fetare. Ministri i Turizmit i Bullgarisë pohoi gjatë një udhëtimi në Rusi në vitin 2018 se mbi 400,000 qytetarë rusë zotërojnë shtëpi të dyta në vend dhe Banka Kombëtare Bullgare vlerëson se investimi rus në sektorin bullgar të pasurive të paluajtshme ka tejkaluar 1 miliard euro. Bullgaria është tërheqëse për investitorët rusë të pasurive të patundshme për shkak të procedurave të saj relativisht të lehta të vizave për pronarët e huaj të pronave bullgare dhe aftësisë eventuale për të marrë një leje qëndrimi në një shtet të BE-së – një opsion tërheqës për rusët e klasës së mesme, të cilët kanë një çmim më të shtrenjtë në vendet e BE-së, citohen Stronski & Himes. Kjo është një pjesë e mozaikut të pasurisë dhe ndikimeve të mëdha, por në këtë matricë nuk futëm Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë sepse rezultatet do të ishin shumë më të larta sa i përket ndikimit. Mbi të gjitha, nuk kemi vlerësim real dhe të matshëm të ndikimit rus në Shqipëri, që për shkak të situatave të reja na bën të mendojmë se për vendin tonë, sfidat janë të hapura dhe do të bëhen më të koklavitura në të ardhmen. Të paktën, rastet e vendeve fqinje na e kanë treguar.

Por do të ishte fotografimi i objekteve tona që të na bënte të kthjelloheshim për lirinë dhe mënyrën sesi rusët dhe qytetarët e vendeve të tjera lëvizin në Shqipëri dhe interesohen për ne. Mbase ngaqë jemi nga hallkat më të dobëta të NATO-s apo çfarë?! Koha do të na tregojë shumë, kurse patetizmi qoftë pozitive apo negativ i politikanëve është akoma më keq akoma…po na çon na kaos. (Homo Albanicus)