“Ruamani gjakun, se do t’ju duhet për shkrimin e gjuhës shqipe…”
Lëvizja jonë kombëtare dhe gjuha shqipe u luftuan në çdo mënyrë, nga fqinjët tanë. Madje, deri në atë pikë sa çkishëruan patriotët ortodoksë, si: Papa Kristo Negovanin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Papa Totasin. Ata vranë në mënyrën me çnjerëzore këta burra dhe dijetarë të mëdhenj. Andartë grekë, më parë patën vrarë edhe Dhaskal Todhrin, patën helmuar Naum Veqilharxhin, Papa Totasin etj. Por, nuk arritën kurrë, të vrasin dëshirën e shqiptarëve për shkollim, liri dhe përparim të vërtetë.
I tillë ishte Petro Nini Luarasi, i cili, shkronjat shqipe i shkroi me gjak…
Më 17 gusht 1911, në Ersekë do të shuhej Petro Nini Luarasi, 47 vjeç, prift, shkrimtar, mësues. Iku i helmuar. Petro punoi si drejtor dhe mësues i shkollës së parë shqipe të motrave Gjerazi në Korçë, më 1887. Në vitin 1904, emigroi në Shtetet e Bashkuara ku qëndroi disa vite – si anëtar aktiv i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Petro Nini Luarasi ishte delegatë në Kongresin e Manastirit që sanksionoi krijimin e alfabetit shqip më 1908. Për atdhetarizëm, mësimin e gjuhës shqipe dhe veprimtari shoqërore, Petro Nini u përndoq si nga turqit e rinj ashtu edhe nga Patriarku Ekumenik ortodoks i Konstandinopojës.
Duke e gjurmuar hap pas hapi veprimtarinë e Petro Nininit, mitroploi Grigori i Kosturit, i cili kishte dërguar qarkore në Eparhinë e Kolonjës dhe Vakëf që të mos e pranonin Petron si mësues në ato anë, madje duke i kërcënuar ata me çkishërim, ai edhe vetë Petron e kishte anatemuar e çkishëruar. Mirëpo Petron nuk e zmbrapsën këto kërcime. Ç’është e vërteta, ai vetëm sa e zgjeroi aktivitetin e tij, duke e hapur madje një shkollë edhe në Ersekë. Një nga detyrat e rëndësisë së veçantë të Petros me bashkëveprimtarët e tij, ishte mbrojtja e këtyre shkollave nga armiqtë dhe kisha greke, si dhe nga organet e pushtuesit otoman, por edhe furnizimin e tyre me libra shqip, si dhe mbajtja me mjete.
Për konkretizimin e tërë kësaj pune, atdhetari i denjë i asaj kohe Hysni Myzyri, thotë:
“Lufta për shkollën e shkrimin shqip, ishte një luftë për vetë ekzistimin e kombit shqiptar”. Mbi këtë bazë kisha greke ishte kundërshtarja kryesore e shkollës shqipe në Shqipëri. Do përmendur rasti më eklatant i vrasjes më mizore që është bërë qysh atë kohë, djegien në zjarr për së gjalli(!), të Gjokë Shqiptarit nga Pleshishti i Potkozhanit të Mokrës, për shkak se gjatë një kontrolli që i bënë në shtëpinë e tij, i kishin gjetur një arkë me libra shqip, që i kishte sjellë nga Bukureshti.
Dhespoti i Korçës, Filiothesos Konstandinidhis, po bënte plane për zhdukjen e Petro Ninit. Diku në fund të viti 1891, Petro mori rrugë për Stamboll, Rumani e Bullgari, për të mbledhur atje ndihma për mbajtjen e shkollës nga ana materiale. Atje takoi krerët e vatrave kombëtare, si vëllezërit Frashëri, Nikollë Naçon etj. Më pas, duke parë suksesin e kësaj nisme të mbarë, shkollat shqipe u hapën edhe në Pogradec, në Tresekë, Polenë, Luaras, Hereskë, Leskovik, Elbasan etj. Petro Nini Luarasi kishte bërë një punë të veçantë për çeljen e këtyre shkollave, madje ai mbante tërë barrën e furnizimit të këtyre shkollave me libra shqip, që i sillte nga Bukureshti, sikur edhe mjetet shkollore.
Propagandës shoviniste të grekomanëve, Petro Nini Luarasi iu përgjigj në veprën e tij “Mallkimi i shkronjave shqipe e ç’përfolja e shqiptarit”, ku atdhetari pasqyron në mënyrë argumentuese dhe me dokumente konkrete, mbi abuzimet që bëheshin në emër të fesë.
Duke u ndeshur me realitetin, Petro shkruante: “E vërteta bën fenë, dhe jo feja të vërtetën…, ta dashurojmë dhe ta përparojmë gjuhën dhe kombin tonë, si të vetmen rrugë dhe shpëtim që na besoi Perëndia për provë të vlerës sonë midis kombeve të tjerë. Kush është frikacak kundrejt së drejtës bëhet tradhtar i mëmëdheut dhe i vetes së tij”- (P.N.Luarasi: Mallkimi i shkronjave shqipe…). Kjo vepër bëri që fundi i tij, të ishte tragjik. Atë e helmuan qarqet shoviniste grekomane. Kjo vdekje atëbotë i trazoi shpirtrat përparimtarë e liridashës të kohës, për këtë rast të shëmtuar e kriminal, shkroi shtypi shqiptar, por edhe ai angleze e amerikan.
Me psalmet shqip në kishën e Luarasit, në bashkëpunim me papa Stefan Luarasin, Petro Nini polemizoi vendosur dhe në mënyrë argumentuese edhe me dhespotin e Korçës, Grigorin, duke e vënë atë para sprovës së madhe të realitetit: çdo popull ka të drejtën për të jetuar i lirë, të ushtrojë lirshëm gjuhën dhe kulturën e vet, të kultivojë historinë dhe vlerat e veta. Petro gëzonte përkrahjen e pakursyer të patriotëve të kohës, në lidhjet e tij me rrethet patriotike dhe përkitazi me zbatimin e platformës kombëtare, Luarasi bashkëpunoi me parinë bektashiane – moderatorë të myslimanizmit dhe me protestantët anglo-amerikanë, përfaqësuesi shqiptar i të cilëve, ishte Gjerasim Qiriazi, me të cilin themeluan shoqatën protestante “Vëllazëria e Shqipërisë” më 1982. .
Për veprimtarinë e tij kombëtare perandoria osmane, e nxitur edhe nga qarqet ortodokse greke, i kishin bërë shantazhe të ndryshme. Mirëpo, kërcënimet nuk po e lëkundnin vendosmërinë e Petro Ninit, në misionin e tij kombëtar për përhapjen e gjuhës shqipe. Ata provuan që Petron, ta blejnë edhe me para, por ai nuk u shit. Si e vetmja rrugë, mbeti eliminimi i tij fizik. Fillimisht e burgosën, duke menduar se tani e kanë në dorë dhe do ta kushtëzonin me jetë. Mirëpo Petro Nini, diku në prill të vitit 1904, u arratis nga burgu ku e kishte mbyllur qeveria turke dhe për një kohë u strehua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si emigrant politik. Në Amerikë, Petro Nini Luarasi zhvilloi një aktivitet të gjerë patriotik. Krijoi shoqëritë e para shqiptaro-amerikane: “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”, ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin, që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës autoqefale shqiptare në Amerikë. Ai themeloi librarinë e parë me libra shqip e anglisht, bashkëpunoi ngushtë me Kristo Dakon, udhëheqës i protestantëve shqiptarë atje, për të përhapur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë, të cilët, nga reaksioni shovinist grek, ishin të tërhequr e të frikësuar për ndonjë pasojë të mundshme të familjeve të tyre në atdhe.
Si mësues
Punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh, si mësues. Më 1882, çeli Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, kurse më 1887, hapi shkollën shqipe në Ersekë dhe pak më vonë (1892-1893), shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve, punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës dhe më vonë, i shkollës së Negovanit (1909-1911).
Bashkëpunoi në organet “Bashkimi i kombit” (Manastir 1909-1910), ku qe dhe redaktor, në “Drita” (Sofje, 1907-1908), në “Kombi” (Boston, 1908), në “Liria” (Selanik, 1909-1910) ku botoi shkrime publicistike, pedagogjike dhe poezi. Në veprën politike “[Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”] (Manastir, 1911) mbrojti të drejtën e popullit shqiptar për kulturën e vet kombëtare.
Propagandoi një nga idetë qendrore të Rilindjes: Bashkimin në luftë për lirinë e Shqipërisë, pavarësisht besimit fetar.
Tituj të veprave
Drita (Sofje, 1907 – 1908 – redaktor i gazetës)
Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit (Manastir, 1911 – politike)
Kundër mallkimit të gjuhës shqipe
Si shqiptarë që jemi
Shqip ne duhet të mësojmë
Dhe Zotin, të drejtë kemi,
Ne gjuhën shqipe ta lëvdojmë.
Epo ju gjuhën tonë
Doni ta humbisni fare
Dhe me mallkim e me nëmë
Shprehni ta shpini në varre.
S’më vjen rëndë nga priftërinjtë
Që s’ dinë ç’ bëjnë e ç’punojnë,
I urdhërojnë të zinjtë
Që gjuhën shqipe ta mallkojnë.
Po krye-priftërinjtë e tyre
Nëkëmbës t’ orthodoksisë
Shumë punë prej mynxyre
Bëjnë kundër Shqipërisë!
Të mallkojnë njerëzinë
Të nëmosin gjuhën tonë,
Të përçajnë Shqipërinë,
Zoti mos e pastë thënë!
Thonë s’ ditka Krishti shqip
Dhe shqip-fjalë s’ pret prej nesh,
Vetëm në gjuhën greqisht
Të dëgjon e të mban vesh!
Këto e shumë të tjera,
Që dëgjon në kishë brenda
Dhe na mallkojnë për hera
Gjuhën tonë që s’ ua k’ ënda.
S’ kanë frikë as turpërohen
Që përçmojnë Perendinë,
Po mburren edhe lëvdohen
Sepse shërbejnë Grejqinë!
Gjuhën e kemi tonë
Të vjetër dhe të vyer,
Nga Perendia ish thënë
Që ta ruajmë të çkëlqyer.
“Edhe 99 herë po të rrëzohemi, përsëri do të ngrihemi!” – Petro Nini Luarasi
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi më 13 janar 2012, i akordoi Petro Nini Luarasit (pas vdekjes) Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin:“Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes Kombëtare, luftëtar i paepur për zgjimin, emancipimin dhe prosperimin e kombit shqiptar, për çlirimin nga zgjedha osmane dhe formimin e shtetit komb të shqiptarëve, luftëtarit të madh të krijimit të arsimit kombëtar si një nga shtyllat e çështjes kombëtare, vepër për të cilën dha edhe jetën.”