MENU
klinika

I M A GJ I Z M I

POETI. Shkrimtari. Fashisti i penduar…

02.08.2022 - 18:02

        Ezra Ueston Lumis Pound, i njohur më vonë, thjesht si Ezra Pound, lindi në Hailey, Ohajo, më 30 tetor 1885. Poet, përkthyes dhe intelektual i destinuar për t’u bërë një figurë themelore, edhe pse polemizuese, e letërsisë së shekullit të 20-të; si dhe një nga themeluesit e modernizmit letrar./Konica.al

Origjina e familjes kishte prejardhje kuakere dhe puritane. Poeti i ardhshëm e kaloi fëmijërinë midis Idahos, Nju Jorkut dhe Pensilvanisë, ku u vendos përfundimisht familja. Djaloshi Ezra filloi shkollimin në shkolla të vogla private. Kur mbushi të dymbëdhjetat, prindërit e regjistruan në një shkollë me konvikt, që të mund të merrte një arsim cilësor. Instituti i zgjedhur nga familja Pound, megjithatë, nuk ishte thjesht një kolegj, por Akademia Ushtarake “Cheltenam”, që u jepte djemve arsim të rreptë ushtarak.

I riu Ezra, i cili pa botimin e limerikut të parë në moshën njëmbëdhjetë vjeç, zhvilloi sakaq një pasion të jashtëzakonshëm për poezinë, që e shtyu ta studionte dhe të pohonte se ai vetë, në moshën tridhjetë vjeçare, “do ta njihte poezinë, më shumë se çdo krijesë tjetër njerëzore”.

Vijimi i studimeve qe koherent me deklaratën e autorit, deri në fokusimin e formimit universitar për letërsi dhe gjuhët romane, të cilat më vonë u bënë një komponent thelbësor i artit të tij poetik. Po ashtu, filloi procesin e fitimit të doktoraturës. Nuk mundi ta përfundonte, për shkak të marrëdhënies së keqe që kishte krijuar me një mësues, njëfarë profesori Schelling, të cilit i pëlqente të bënte shaka gjatë mësimeve. Gjatë kësaj periudhe, ai udhëtoi nëpër Evropë për qëllime studimi. Kështu e ndërpreu papritur karrierën e tij universitare, ai punoi si mësues. Edhe në këtë rast, arriti të përjashtohej dhe të ardhurat e vetme ekonomike u zvogëluan në tarifat që fitonte nga bashkëpunimi me revista të ndryshme. Ndërkohë vazhdon të shkruajë vargje dhe të thyejë zemrat e vashave të reja e të pashme, siç i ka hije çdo poeti rebel që e respekton veten. Mirëpo, me sa duket refuzohet nga shumë prej të fejuarave, kur u ka kërkuar dorën. Arsyeja? Gjendja e pasigurt ekonomike dhe jeta e shthurur e gjysmënomade që bënte. I riu Pound bënte udhëtime të shpeshta në Londër, ku u vendos në vitin 1908 dhe i kaloi dymbëdhjetë vitet e mëvonshme, duke hyrë në skenën letrare vendase, duke krijuar marrëdhënie me personalitete të rëndësishme kulturore të kohës, duke filluar studimin e poezisë orientale dhe kontributin në themelimin e lëvizjes poetike të quajtur Imagjizëm,  që synonte të evoluonte poezinë, duke e shkëputur atë nga tiparet stilistike romantike të vonë, lëvizje e cila ndihmoi në vendosjen e themeleve të poezisë moderniste.

Olga Rudge (R) and poet Ezra Pound (L), riding on canal. (Photo by David Lees/Getty Images)

U zhvendos në Paris me të shoqen, Doroti Shekspir, edhe ajo shkrimtare, me të cilën ishte martuar në 1914 në Londër. Intelektualë të tjerë anglishtfolës jetonin gjithashtu në kryeqytetin francez, përfshi Xhejms Xhojs, TS Eliot dhe Ernest Heminguej, të cilët i takoi personalisht, i ndihmoi, siç kishte bërë tashmë në Londër. U bë pikë referimi për komunitetin e intelektualëve të rinj me shpresa të mëdha. Personalisht ai korrigjoi draftet e veprave të TS Eliot. Ky i fundit do t’i bëjë homazhe në veprën e tij “Toka e shkretuar”  duke e quajtur “farkëtari më i mirë”. Referenca është te fjalët me të cilat Dante, nga ana e tij lavdëron poetin provansal Arnaut Daniel në kantonin XXVI të Purgatorit. Heminguej konsultohej shpesh me të dhe e konsideronte si mik, po edhe një mentor të vërtetë. Tjetër kontribut i madh i tij për letërsinë evropiane ishte studimi thuajse pionier i poezisë orientale, veçanërisht kineze dhe japoneze. Është gjithashtu falë përkthimeve të tij, që më në fund ka qenë i arritshëm për lexuesit perëndimorë. Stili thelbësor përshkrues i poezisë së Lindjes së Largët dhe veçanërisht ai i haikut japonez ndihmuan në formimin e një prej tipareve thelbësore të imagjinatës. Ideja ishte t’i paraqiste lexuesit realitetin “siç është”, pa u futur në retorikën e përshkrimeve të tepërta dhe duke eliminuar simbolikën e mbiemrave të panevojshëm.

Thuajse si intelektualët që ishin në Evropë në vitet e luftës së Parë Botërore, e shqetësonte konflikti, ku humbën jetën shumë artistë të rinj dhe premtues evropianë, përfshirë skulptorin Henri Gaudier-Brzeska, të cilin e kishte njeri të afërt. Poeti pa në fuqinë e madhe të kapitalizmit financiar, të cilin ai e quajti thjesht “kamatëri”, shkakun kryesor të konfliktit që kishte pllakosur Evropën dhe çoi në një humbje të madhe të jetës njerëzore. Në 1925, pas një krize depresioni, Ezra Pound u vendos me gruan në Itali, në Rapallo. Pas e ndoqi edhe e dashura, violinistja me origjinë amerikane, Olga Rudge. Poeti amerikan, i cili e përcaktoi Italinë “një vend i mirë, për të filluar gjëra të reja”, ishte i magjepsur nga figura e Musolinit dhe nga doktrina fashiste. Për të, ato ishin një zgjidhje e mundshme për fuqinë dërrmuese të elitave financiare, e konsideruar si një nga shkaqet e sëmundjeve të botës. Pas një periudhe fillestare mosbesimi nga qeveria italiane, e cila dyshonte se ai ishte një agjent i dyfishtë, ai kreu një transmetim radiofonik të regjistruar paraprakisht. Në të, përveç propagandës në gjuhën angleze për regjimin fashist dhe sulmit ndaj qeverive aleate, ai shpjegoi pjesërisht teoritë e tij socio-ekonomike, ide që me kalimin e viteve ai i kishte zhvendosur edhe në një korpus heterogjen shkrimesh. /Konica.al/Qeveria amerikane e dënoi për tradhti, në mungesë, në vitin 1943 dhe, pas çlirimit, u mor nga komanda e trupave amerikane dhe u mbyll për dy javë në një kafaz të vendosur jashtë i ndriçuar natën me projektor. Kjo përvojë ia futi mendjen, tashmë jo shumë të fortë, në kolaps dhe, kur u kthye në Shtetet e Bashkuara, u provua, ai u deklarua i paaftë për të kuptuar dhe për të dëshiruar. Dymbëdhjetë vitet e ardhshme i kaloi në një institucion të shëndetit mendor. Gjatë këtyre viteve, ai vazhdoi të shkruante, madje në vitin 1949 fitoi edicionin e parë të çmimit “Bollingen” për poezi. […] Vitet e fundit të jetës i kaloi në Itali, kryesisht në Venecie. U vlerësua nga ata që e admironin poezinë e tij dhe u kritikua ashpër nga ata që nuk ia falën kurrë aderimin ndaj fashizmit dhe qëndrimet e tij antisemite, pozicione të cilat i tërhoqi më vonë. Vitet e fundit i jetoi në zhgënjim dhe në një analizë të pamëshirshme negative të rrugës së tij individuale dhe letrare. Disa herë i shprehu publikisht pikëpamjet e veta, madje edhe në prani të Allen Ginsbergut, i cili, sapo i kishte thënë se ishte ai që “u tregoi rrugën atyre që erdhën pas”.

Ndër veprat më të rëndësishme të korpusit të dukshëm të shkrimeve të lëna nga Ezra Pound, vlen të përmendet poema “Hugh Selwyn Mauberley”, përfaqësuese e stilit dhe poetikës së autorit; përmbledhja e poezive kineze “Catai”, përkthyer nga Ezra Pound me ndihmën e shënimeve të studiuesit Ernest Fenollosa dhe koleksioni voluminoz, heterogjen dhe kompleks i “Kantove” të shkruara, siç kishte propozuar së pari vetë poeti, për një periudhë shumë të gjatë kohore (në fakt, mbeti e papërfunduar) dhe e karakterizuar nga referenca të shumta për vepra, kultura dhe epoka të ndryshme, por edhe si pikë reference për politikën dhe ekonominë./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit