MENU
klinika

Nga Lorenc Vangjeli

Projektorët e rinj të vëmendjes mbi hijet e vjetra të Ilir Metës

25.08.2022 - 18:43

Ilir Meta di si t’i ndezë projektorët e vëmendjes publike përballë vetes. Edhe tani kur ai është në mënyrë simultane përballë dy akuzave konkrete, morale dhe penale. Kësaj here, si zakonisht në Tiranë, ai zgjodhi të mbrohet duke sulmuar. Duke sharrë dhe jo duke lëvduar.

Përplasja e tij me kreun e SPAK, në stilin e traditës armiqësore që pushteti politik ka krijuar në raport me drejtësinë, më pak se kujtdo i shërben vetë Metës. Shtimi në listën e tij të gjatë të armiqve edhe të Krajës, nga ana tjetër paradoksalisht, con xhetona në ruletën e Ramës. Që dhe njëherë, si përherë, sheh se raporti i tij formal me drejtësinë, i kthehet në favor. Skualifikimi që Meta i bën SPAK-ut, dëmton edhe aksionin denoncues po në SPAK që po bën prej muajsh Monika Kryemadhi, pasardhësja dhe paraardhësja e partisë se tij me emër të ndryshuar.

SPAK nuk është dora që nxjerr gështenjat nga zjarri për llogari të kryeministrit; Rama vetë e di se nga shporta rilindase, ka një numër gështenjash që rrezikojnë të përvëlohen dhe që ai as ka në dorë dhe as do të lëvizë dorën që t’i nxjerrë nga zjarri i pritahëm. Por ndryshe nga Iliri, të cilit ai i ndruhet edhe më shumë sesa Berishës, Rama ka zgjedhur të heshtë e të presë. Mjeshtër i taktikës, për habinë e kundërshtarëve, për Ramën më shumë se bashkëpunëtorët e tij, po punojnë vetë Berisha dhe Meta, të cilët duhet të kuptojnë që gjahtarin që i pret në pritë, nuk e bëjnë dot më prenë e tyre.

Në epilog të vjështës, të tre politikanët më të rëndësishëm të vendit presin të vijë shtatori. Të tre e dinë që asgjë nuk do të ndodhë, përvec radikalizimit stinor të politikës. Premtimi për rrëzimin e Ramës, krijimin e qeverisë teknike dhe cuarjen e vendit në zgjedhje të reja, Berisha dhe Meta e dinë që është nje krijesë naive, e lindur e vdekur dhe pa asnje shans real, që ata nesër do t’ua afrojnë si fëmijë befotrofi shqiptarëve. Ramën e kërcënon kriza ekonomike që rrezikon të përshkallëzohet dhe pakënaqësia e akumuluar, por e shpëton sulmi që i bën cifti opozitar, përballë të cilëve, për shkak të kontrastit, ai ngjan si një adoleshent i pafajshëm politik, i sapoardhur në Tiranë.

Meta ka në dorë të ndryshojë disa nga zgjidhjet e ekuacioneve të vjeshtës, por jo në mënyrën sesi po sillet në këtë muaj inkadeshent postpresidencial.

Mik me të gjithë dhe armik i të gjithëve, me miq dhe armiq që ndryshojnë vendet me njëri-tjetrin, politikani zhurmëmadh ka qenë një nga pak lojtarët kyc të tre dekadave tranzicion, gjatë të cilave, ai ka qenë një përzjerje e pakonkurueshme e tipologjisë së miqve dhe armiqve të tij. I adhuruar si idhull nga njerëzit e tij dhe i yshtur si djall nga kundërshtarët, Meta ka qenë gjithmonë balerini i peshave të rënda në piruetat e tij të pabesueshme dhe si balerin elegant ka fituar shumë më shumë sesa si shtangist i ashpër.

Një muaj mbas lënies se kafazit të tij artë në presidencë, gjërat kanë ndryshuar me shpejtësi, ndonëse duket se në formë dhe në thelb kanë mbetur ende e njëjta gjë. Meta është sërish kritiku i ashpër i qeverisjes, rikrijues i opozitarizmit që deri më dje ishte Bukuroshja e Fjetur e Ramës. Ai është sërish vija e parë e sulmit, por pa kuptuar se linja e tij e mbrojtjes duhet të ndryshojë. Me gjasë, kush më shumë e kush më pak, edhe Berisha në hall vetjak, edhe Meta me halle të shtuara, edhe Rama i vetmuar, kanë keqkuptuar shfaqjen e aktorit të ri në lojën e Tiranës. Drejtësia, edhe pse ende shumë anemike nga semundjet e trashëguara dhe tradita e saj e zezë, tashmë po kontrollohet gjithmonë e më pak faktorë lokalë. Përfshi këtu edhe ata që ishin reja dhe shiu, dielli dhe perëndimi i motit politik në vend. Kjo është llogaria që të tre nuk e cojnë deri në fund dhe që varësisht rezultatit të saj, bëjnë llogaritë e të sotmes duke tentuar të parashikojnë të ardhmen.

Në këtë pikë, Meta ngjan ende i dyzuar në vitrinën e tij të re me shumë më pak shkëlqim se fundi i korrikut, por me shumë më shumë pushtet në fundin e verës, pa ndryshuar stilin e tij të vetëm: vepron dhe fiton mrekullisht në detaje, por humbet suksesshëm në lojën e madhe.

Meta duhet të kujtojë si reagonte dikur Iliri; ai ka shkuar më larg kur nuk ka vrapuar, është dëgjuar më shumë kur ka folur me zë të ulët, ka trazuar me shumë ujëra kur ka qenë i qetë dhe i ka shërbyer interesit të tij më mirë kur ka pritur në vend që t’i dorëzohej ngasjes së ngutit. Thjesht ka qenë më i suksesshëm kur ka përdorur dashurinë edhe atëherë kur mposhtej nga instikti i urrejtjes dhe hakmarrjes se momentit.

I zemëruar dhe impulsiv ai mund të bëjë të lumtur rrethin e ngushtë të servilëve të tij patologjikë që e rrethojnë, por ka dëmtuar veten dhe të tërën. Si luftëtar, Meta duket se shkëlqen në sytë e njerëzve të tij që kanë ndërtuar karriera të pamerituara apo dhe i kanë kanë shërbyer në mënyrë të frikshme xhepit vetjak nën hijen e tij të rëndë, por ka shmangur e shtangur gjithë ata që e gjykonin se ndërtimi i paqes është shumë më i vështirë se luftimi i betejave për pushtet.

Projektorët e vëmendjes që Ilir Meta di t’i kthejë mrekullisht drejt vetes, ato që synojnë të hedhin dritë mbi hijet e tij të supozuara morale dhe penale, qoftë edhe me prapavijë që nuk nis nga Tirana dhe as bitis aty, në shikim të fundit, e bëjnë më interesante Tiranën. Loja politike që kushtëzohet nga tre kampionët e mëdhenj, që rregullisht vetërrethohen me interesa të vogla dhe nga një shumicë njerëzish të vegjël, tashmë po bëhet gjithmonë e më reale. Tifozët e tyre, që në shumicë janë vetëm ca burokratë qesharakë në zejen madhështore të politikës, matrioshkat binjake që i duan “padronët” e tyre sepse nuk janë në gjendje as t’i ndryshojnë dhe as t’i urrejnë, natyrisht nuk kuptojnë gjë se cfarë po ndodh. Por as moskuptimi i tyre, nuk ndryshon gjë.

Vrasja e Martin Canit pranë shkollës ‘Fan Noli’

Caktohet data e seancës gjyqësore ndaj autorit 14-vjeçar

Grabitja e miliona eurove në Rinas

GJKKO dënon me 18 vite burg Talo Çelën

“Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja”

U vra me thikë në zemër, nëna e 14-vjeçarit mesazh në protestën për të birin