MENU
klinika

"Kërcënon vlerat tradicionale të familjes"

Protesta në Beograd kundër paradës së Krenarisë

29.08.2022 - 08:30

Mijëra veta protestuan të dielën në Beograd kundër parakalimit për të drejtat e homoseksualëve, “Euro Pride”, i planifikuar për 17 shtator, edhe pse qeveria ka thënë se do ta anulojë ose shtyjë mbajtjen e tij.

Beogradi planifikohej të ishte mikpritës i parakalimit, një ngjarje që organizohet në një qytet të ndryshëm evropian çdo vit. Por presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të shtunën se parakalimi do të anulohej ose shtyhej, duke përmendur arsye të tilla si kërcënimet nga aktivistët e krahut të djathtë.

Protesta e së dielës që u mbajt gjatë një procesioni fetar, u drejtua nga klerikët e Kishës Ortodokse Serbe, disa prej peshkopëve të së cilës thonë se parakalimi i Krenarisë kërcënon vlerat tradicionale të familjes dhe duhet të ndalohet.

“Shpëtoni fëmijët dhe familjen tonë”, shkruhej në një nga parullat që bartej nga nga protestuesit, disa prej të cilëve mbanin edhe kryqe.

Të tjerë që iu bashkuan protestës brohoritën parulla në mbështetje të kauzave nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë.

Disa valëvisnin flamujt rusë, një shfaqje mbështetjeje për Moskën, aleatin tradicional të Serbisë, ndërsa qeveria e Beogradit përpiqet të balancojë aspiratat e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. me lidhjet e saj me Rusinë dhe Kinën.

Presidenti serb tha të shtunën se EuroPride do të anulohet ose do të mbahet më vonë për arsye sigurie. Krahas kërcënimeve nga ata që ai tha se ishin “huliganë” të krahut të djathtë, ai përmendi çështje të tilla si mosmarrëveshjet e vazhdueshme me Kosovën dhe krizën energjetike si arsye për vendimin e tij. “Do të ndodhë, por në një kohë tjetër më të mirë”, tha ai.

Një përfaqësuese e Kombeve të Bashkuara në Serbi kritikoi ndalimin e parakalimit EuroPride. “Kjo do të jetë në kundërshtim me angazhimet ndërkombëtare të Serbisë për të drejtat e njeriut”, tha në një deklaratë Francoise Jacob, bashkërenduesja e OKB-së në Serbi.

Qeveritë e mëparshme serbe kanë ndaluar parakalimet e Krenarisë në të kaluarën, duke nxitur kritika nga grupet e të drejtave të njeriut. Disa parakalime në fillim të viteve 2000 gjithashtu hasën në kundërshtim të ashpër dhe u përshkuan nga dhuna.

Por, parakalimet e fundit të Krenarisë në Serbi janë zhvilluar në mënyrë paqësore, një ndryshim i përmendur nga organizatorët e EuroPride si një arsye pse Beogradi u zgjodh si mikpritës i vitit 2022. Kopenhaga ishte mikpritëse në vitin 2021.

Serbia është kandidate për anëtarësim në BE. Por për t’u bërë anëtare, ajo duhet së pari të plotësojë kërkesat për të përmirësuar sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe të pakicave, të çrrënjos krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Kosovën./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, Janusz Bugajski

“Protesta e 16-Shkurtit do të sjellë ndryshimin politik”