MENU
klinika

Dialogu Kosovë-Serbi

Qeveria e Kosovës: Sot nuk ka takim Kurti-Escobar

23.08.2022 - 13:48

I dërguari për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, sot pritet të arrijë në Prishtinë bashkë me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Ardhjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, i cili në një konferencë për media tha se vizita e tij në Prishtinë dhe Beograd është për vazhdim të mbështetjes së dialogut.

Por mediat në Kosovë kanë konfirmuar se Escobar në Prishtinë nuk do të takojë kryeministrin Albin Kurti. Kështu ka konfirmuar për T7 zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. Escobar do të pritet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si dhe do të ketë darkë pune me krerët e partive opozitare; kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn.

“Kryetari i PDK-së, z. Memli Krasniqi është i ftuar nga z. Escobar për darkë pune të martën pasdite në rezidencën e Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë”, ka konfirmuar PDK për Gazetën Express.
Vizita e Escobarit dhe Lajçakut vjen pas dështimit të arritjes së ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e 18 gushtit që pati kryeministri Kurti me presidentin serb Vuçiç, në Bruksel.