Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë problemi kryesor i Manchester Unided. Përveçse duhet të lëpijë plagët e humbjes në ndeshjen e parë të Premier League-s, ekipi i drejtuar nga Erik Ten Hag ka dhe një çështje për ta zgjidhur.
Konflikti mes portugezit dhe klubit ka çuar në acarimin e një pjesë të madhe të ekipit, pasi lojtarët janë të vetëdijshëm që ky është një nga problemet kryesore që i duhet dhënë sa më shpejt zgjidhje.
Shumica e lojtarëve të United kërkojnë që Ronaldo të largohet për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë situatës më të nxehtë të merkatos verore. 37-vjeçari dëshiron të largohet nga “Old Trafford” vetëm 12 muaj pas kthimit të tij, por klubi po refuzon ta shesë.
Lojtari këmbëngul se kishte një marrëveshje që, nëse Man. United nuk do të arrinte të kualifikohej në Champions League, do të lejohej të largohej. Megjithatë pronarët amerikanë të “Djajve të Kuq” këmbëngulin në qëndrimin e portugezit në “Old Trafford”, duke mos i hapur rrugë në merkato.