MENU
klinika

Nga Baton Haxhiu

Shija e keqe e një marrëveshje mashtruesish

28.08.2022 - 13:23

Kur në një dialog, si ky ndërmjet Albinit dhe Vuçiç-it, gjërat shkojnë keq deri në atë pikë sa nuk është e mundur që kjo të mohohet apo të fshihet, atëherë, ne që jemi në pritje mund të shtrojmë një sërë pyetjesh.

Një ndër pyetjet më të rëndomta është, kush na e ka fajin për këtë?

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të tillë, zakonisht pritet që faji t’i vihet dikujt tjetër. Natyrisht, dikujt që është jashtë grupit. Pra armiqve të jashtëm.

Në këtë rast nuk mund të jenë Borrell dhe Escobar, por as Albini dhe Aleksandri, sepse armiq dhe miq të jashtëm e të brendshëm janë krejt bashkë në këtë proces.

Atëherë, si mund ta quajnë në sytë tanë një marrëveshje që nuk është marrëveshje. Diçka që është kryer që më 2011.

Borrell e quajti “deal”. Të tjerët e quajtën sukses apo akord, VV-ja e quajti marrëveshje.

Kjo marrëveshje nuk ka asnjë shkronjë të re. Ka vetëm zotim se do të bëhet. Ashtu siç ka zotim se marrëveshjet e nënshkruara do të kryhen. Kaq e thjeshtë është gjuha!

Albini e quan marrëveshje pasi ai që në fillim ka thënë se do të bëjë dialog për dialogun. Prandaj, po lënë nam me pazotësinë dhe me shpjegimet për publikun.

Përgjigjja tjetër që ka të bëjë me këtë çështje, është vonesa dhe pse nuk janë bërë deri tash të aplikueshme. Një qartësim për ata që kanë harruar: Kosova dhe Serbia u larguan nga marrëveshjet e vogla sepse shkaktonin tension të vazhdueshëm dhe ishte betejë e pafund nervash dhe politikash të panevojshme.

Duke e parë këtë situatë me dakordësi i lanë të gjitha marrëveshjet e vogla mënjanë dhe hynë te marrëveshja përfundimtare. Kaq e thjeshtë dhe e komplikuar ka qenë situata më 2016-2017.

Duke i ditur të gjitha këto dhe duke e ditur edhe fundin, pse po keqtrajtoni qytetarët dhe po ktheheni në vitin 2011? Pse jeni kaq mashtrues dhe kaq burokratë të pamëshirshëm duke e shndërruar vitin 2011 si dështim kurse këto dakordësime formale si kjo fitore të kësaj kohe?

Nëse arrini të mashtroni kaq keq, pamëshirshëm, të gjithë ju, që merreni me këtë punë, duke mohuar kujtesën dhe marrëveshjen e vitit 2011, kini ndërgjegjen dhe na bëni nder, që së paku, mos ta bëni mashtrim publik.

Njeriu e dëshiron edhe armikun kur do që të bisedoj me të për një qëllim.

Por, në këtë histori dialogu nuk ka as mik dhe as armik.

Kjo është fatkeqësia.

Madje disa prej tyre nuk kanë as memorie të dialogut, sepse armiqësia dhe fyerjet janë kryer me kohë.

E them këtë sepse brenda zyrës së BE-së janë ofenduar dhe sharë, janë treguar cinikë duke harruar të thonë se aty kanë vajtur për të arritur një marrëveshje.

E kemi të qartë që miqësia dhe armiqësia nuk kanë vlerë në këtë grup njerëzish që përfaqësojnë popujt apo që janë ndërmjetësues qeverish.

Sepse, në të tilla situata, kur dialogohet fuqishëm për të ardhmen është shumë me rëndësi të kesh miq brenda. Miqësia është zgjedhje që krijon besim.

Edhe armiqësia është zgjedhje, gjithashtu. Por armiqësia është pasojë. Vjen nga e kaluara.

Në rastin e Kosovës dialogu është një farsë, ose thënë më butë po kalon në farsë.

Kurti, praktikisht, e ka ngrënë sapunin për djathë dhe për Albinin, është si të thuash një kapitullim i mirëfilltë përballë Serbisë.

Dialogu ka shkuar aq larg me mashtrim, brenda kësaj miqësie dhe armiqësie të munguar, sa po ndërtohet drama e panevojshme duke krijuar dramaticitet brenda takimit. Pastaj ka mungesë ndërgjegje, dhe përkëdhelje të panevojshme për dialoguesit. Thjeshtë, është mbushur kupa e mos seriozitetit dhe mosbesimit, sepse qytetarët duan zgjidhje dhe jo konflikt. Duan lëvizje të lirë dhe viza. Duan shkollim dhe jo thirrje për luftë. Në vend të kësaj kemi kinse dy armiq që po dialogojnë.

A mund të thoni që Albini dhe Aleksandri janë armiq?

Në asnjë mënyrë.

A mund të thoni që Lajçak dhe Escobar, janë miq me Albinin dhe Aleksandrin?

Në asnjë mënyrë.

Atëherë zgjidhjani problemin qytetarëve dhe lërini shëtitjet. Lëreni dramën. Bëni atë për çka keni qëllim. Sepse e dimë fundin. Pikë!

E vërteta jonë, vuajtja e njerëzve, kafazi në të cilin jetojmë në mënyrë të padrejtë, dhe fundi i këtij rrëfimi, është më i fortë se një dramë. Dhe këtë dramë, me paaftësi të qëllimshme e mbajnë Borrell, natyrisht Lajçak, po ashtu Escobar, duke ju lënë hapësirën e fituesit dhe humbësit në episode të caktuara.

Pyetja është sërish e njëjta.

Na iluminoni çka keni arritur sot? Sepse, nuk po kuptojmë çka?!

Apo asgjë. Një dakordim të thjeshtë për dy vite. Dhe 11 vite të humbura.

Në fakt, një konstatim është i qartë. Dje, nuk është arritur një marrëveshje e re, thjesht ka zotim se tash e tutje do të respektohet marrëveshja e vitit 2011 për “Lëvizje të Lirë” e cila parashihte që qytetarët e dy vendeve do të lëviznin nga njëri shtet në tjetrin vetëm më karta identiteti.

Po pse nuk u bë atëherë?

Sepse Serbia nuk e aplikonte ashtu si ishte arritur marrëveshja dhe u lëshonte kosovarëve edhe nga një letër të bardhë për hyrje/dalje.

Kosova nuk e bënte të njëjtin veprim.

Siç ishte shpjegimi atëherë, shteti i Kosovës kishte refuzuar të bëjë për shkak të mos detyrimit të shqiptarëve të Luginës për një letër të tillë.

Ashtu siç kishte shtyrë aplikimin e detyrimit për tabelat për shkak të shqiptarëve të Luginës.

Por, ka edhe shumë mundësi që mos të jetë bërë edhe për shkak të rebelimit që do të mund të ndodhte nga ana e serbëve të Kosovës.

Kryeministri aktual, Albin Kurti, vendosi që ta vërë në funksion këtë letër të bardhë, nëse Serbia vazhdon me të njëjtën.

Marrëveshja tashmë e arritur është që Serbia do të heq dorë nga ajo letër dhe Kosova s’do të ketë nevojë ta zbatojë fare.

Po me targat?

Me targat nuk është arritur ndonjë marrëveshje akoma. Atyre do të vazhdohet t’u vendoset ngjitës në vendet ku janë emblemat e shtetit dhe shkronjat dalluese të republikave.

Ama, Qeveria sot, po feston dhe po interpreton si detyrim të Serbisë heqjen dorë nga ajo letra e bardhë që e kishte zbatuar njëanshmërisht.

Sa keq! Në këtë akord nuk ka asgjë më shumë se sa ajo çka tre shtete të Ballkanit e kanë bërë prej kohësh.

Megjithatë, marrëveshja përfundimtare dhe reciprokisht e detyrueshme e që do të rezultonte në njohje reciproke midis dy vendeve, nuk duhet të jetë drama, por duhet të jetë prioriteti themelor i Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve për Kosovën.

Kësaj marrëveshje të mundshme i kanë paraprirë vite të tëra me dialog të udhëhequr nga BE-ja dhe në Kosovë të ndjekura nga qeveri dhe ekipe negociatore të ndryshme. Administrata e SHBA-ve disa herë ka caktuar përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor, dhe Përfaqësuesin Special për dialogun Kosovë-Serbi.

Për Albin Kurtin, bazuar në atë që ai vetë ka thënë, përkundër kësaj historie intensive negociatash e diskutimesh, çdo gjë fillon nga fillimi. Në shpërfillje të plotë ndaj arritjeve të deritanishme dhe qëndrimeve të partnerëve ndërkombëtare.

“Dialogu do të filloj me dialogun, për dialogun”. Vetëm këto dy propozime konkrete plasoi Albin Kurti në këtë aspekt.

Këtë të fundit Albin Kurti do të duhet ta bëjë me Josep Borrell, Përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të BE-së.

Kur ai thotë që nuk do të ketë marrëveshje pa dialog, ai nënkupton që çdo gjë që është dialoguar para tij është e papranueshme për të.

Edhe pse jo shumë kohë më parë ai ka qenë kundër çfarëdolloj negociatash, qoftë edhe me bashkësinë ndërkombëtare, jo më me Serbinë, dialogu më nuk kontestohet nëse ai vetë është kryeministër dhe udhëheqës i tij.

Një gjë është e sigurt, se dialogu në gjithë dramën e tij e ka korrur një sukses të pamohueshëm. Pas një kohe të gjatë ai ka nxjerrë në shesh varfërinë e të gjithë atyre që gjatë një kohe të gjatë në opozitë kishin nxjerr fuqinë në shesh, me padijen brenda.

Duke u shndërruar këta në lëkurën e qeveritarëve, të humbur, pa peshë dhe të dobët, tashmë janë imitues të asgjësë, që mbajnë peshën “patriotike” në zyrë, kurse lapsin për nënshkrimin e asociacionin e kanë në dorën e Borrell-it.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë

DASH: Dialogu do zhbllokojë rrugën drejt BE