MENU
klinika

“Global Price Indeks”

Shqipëria ndër vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë

19.08.2022 - 09:34

Politika abuzive e qeverisë për të rritur çmimin e naftës e ka renditur Shqipërinë në vendin e 14 në botë për naftën më të shtrenjtë, duke lënë pas vende të zhvilluara si Italia, Franca, Austria dhe Gjermania.

Ndërkohë që në raport me vendet e rajonit, sipas të dhënave të përditësuara nga “Global Price Indeks”, jemi në krye të listës. Një litër naftë në vend tregtohet më shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbi, Greqi, por edhe Kosovë.

ÇMIMET ABUZIVE

Kështu, prej disa ditësh, çmimi i një fuçie naftë në bursë ka arritur në nivelin e para luftës, por pavarësisht kësaj në vendin tonë, një litër naftë dhe benzinë vijon të tregtohet me 30 deri në 50 lekë më tepër. Të mërkurën, Bordi i Transparencës vendosi që çmimi i naftës të rritet me 6 lekë, përkatësisht nga 221 lekë që ishte është bërë 227 lekë, ndërsa është ulur me vetëm 1 lekë dhe 2 lekë, përkatësisht çmimi i benzinës dhe gazit. “Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë të jetë jo më shumë se 201 lekë/litri, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 78 lekë/ litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 66 lekë/litër për automjetet”, thuhej në njoftimin zyrtar.

Qeveria vijon të justifikojë çmimet e larta me luhatjet e çmimit të naftës së përpunuar si edhe kursin e këmbimit valutor. “Çdo referencë mbi uljen apo rritjen e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, nuk impakton në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën kohë bursën e nënprodukteve gazoil, benzinë.

Për të informuar drejt dhe pa shtrembërime opinionin publik, media dhe faktorët e ndryshëm politikë dhe jopolitikë duhet ti referohen të dhënave zyrtare të agjencisë ndërkombëtare “S&P Global Platts” në USD, për bursën e Mesdheut. Kursi i këmbimit LEK/USD, i cili impakton gjithashtu çmimin përfundimtar të karburanteve, është rritur me +1,42 lekë, krahasuar me kursin zyrtar të përdorur në mbledhjen e fundit të Bordit”. Por edhe nëse do të shohim çmimet e naftës së përpunuar ato sërish kanë pësuar zbritje, nga 930 dollarë për ton që ishte çmimi në fillim të muajit ka shkuar në 900 dollarë për ton. Në këto kushte misioni i Bordit të Transparencës mund të konsiderohet veçse i dështuar.

FMN

Opozita në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar shkrirjen e kësaj strukture me argumentin se nuk mbron interesin qytetar. Më herët edhe Fondi Monetar ka kërkuar nga qeveria që të zëvendësojë bordet, duke ofruar mbështetje direkte për familjet në nevojë, të cilat prej fillimit të vitit po përballen me valën në rritje të çmimeve. “Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara, me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve”, thuhej në raportin e fundmajit të FMN-së.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN