Shqiptarët që kalojnë ilegalisht për në Britaninë e Madhe po shfrytëzojnë ligjet e këtij vendi për të shmangur deportimin për në Shqipëri. Shifrat e shqiptarëve që pretendojnë se janë viktima të trafikimit kanë arritur majat. Të dhënat zyrtare tregojnë se shqiptarët pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne ose trafikimit, duke tejkaluar shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar.emigrantet
Ata përbëjnë më shumë se një të katërtën (27 për qind) të rekordit prej 4,171 viktimave të mundshme të skllavërisë moderne të referuara në Zyrën e Brendshme në tremujorin e dytë të këtij viti sipas legjislacionit të sjellë nga Theresa May.
1,130 shqiptarët që pretendojnë se janë viktima të trafikimit ose skllavërisë tejkalojnë edhe atë të Britanisë së Madhe me 1,013 ose 24 për qind të totalit.
Të tretët ishin emigrantët nga Eritrea, një shifër dukshëm më e ulët, në 293, ose shtatë për qind.
Shifrat vijnë vetëm disa ditë pasi u konstatua se në 10 emigrantë që kalonin kufirin anglez, katër prej tyre ishin shqiptarë, edhe pse vendi nuk është në luftë, transmetojnë mediat britanike.
Ekspertët e Forcave Kufitare theksojnë se shqiptarët pretendojnë se janë viktima të trafikimit në mënyrë që të kërkojnë azil në Britaninë e Madhe.
Zyrtarët e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) thonë se përpjekjet e tyre për të çmontuar fermat e kanabisit të drejtuara nga bandat shqiptare në Britaninë e Madhe kanë konstatuar raste të shumta të punëtorëve që pretendojnë se janë viktima të shfrytëzimit për të shmangur ndjekjen penale dhe dëbimin.
Priti Patel, Sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe po rishikon me urgjencë legjislacionin kundër skllavërisë moderne për të mbyllur boshllëkun që po shfrytëzohet nga shqiptarët dhe emigrantët e tjerë si një mënyrë për të qëndruar në Britani, shkruajnë mediat britanike.
Tony Smith, ish-drejtor i përgjithshëm i Forcave Kufitare, tha se “Varkat e vogla janë vetëm një mënyrë tjetër se si shqiptarët hyjnë në Britani. Ata e dinë se nuk mund të marrin viza ose të kalojnë oficerët e Forcave Kufitare – por nëse mund të arrijnë në Britani dhe të regjistrojnë këto pretendime për trafikim, ata shfrytëzojnë zbrazëtirën në sistem. Ata e dinë se nuk mund të kërkojnë azil, por po përdorin këtë marifet se janë trafikuar. Është një tjetër pengesë për heqjen që do të thotë se ata nuk mund të kthehen menjëherë në Shqipëri”.
Bandat shqiptare janë zhvendosur në sektorin e kanabisit sepse është me rrezik shumë herë më të ulët dhe ka një fitim të lartë për shkak të rritjes së kërkesës, ku vetëm vitin e kaluar britanikët konsumuan 240 tonë drogë, me vlerë 2.4 miliardë paund.