MENU
klinika

Lorenc Vangjeli

Shqiptarëve nuk iu duhet revolucioni, por ekuilibri i pushteteve

30.08.2022 - 13:34

Hetimet e vrullshme ndaj Ilir Metës nga Struktura Anti-Korrupsion trazon ujërat e ndenjura të “moçalit politik”. Si pritet të përfundojë kjo çështje dhe a do të ketë ndikim politik”. Rreth kësaj çështje dhe zhvillimeve që priten në këtë vjeshtë komenton për gazetën “Fjala”, analisti Lorenc Vangjeli.

Nga Fernanda Cenko

SPAK ka vënë në hetim kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta me akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale dhe evazion fiskal”. A është ky një “hetim normal” që vjen nga puna “rutinë” e një prej institucioneve të drejtësisë, apo mund të ketë edhe ndikim politik sikurse e ka cilësuar Meta?

Në Tiranë është gjithçka politike. Ajri që thithet, asfalti që shtrohet, gruri që mbillet, kafenetë, garat e atletikës, ndeshjet e boksit, hetimet penale dhe civile, debatet, portalet, marrëdhëniet njerëzore. Gjithçka është politikë! Në emër të saj flitet nga mëngjesi në darkë dhe pastaj sërisht në pritje që të gdhihet, flitet për politikë dhe për perëndinë e re të shqiptarëve, tempullin e kultit dhe kultin që i gjunjëzohen të gjithë si në tempull: paraja. Askund gjetkë, ngjan se askund tjetër, ky binom i pandashëm nuk është kaq i pranishëm në jetën e një shoqërie sa tek shoqëria shqiptare. Hetimi i Ilir Metës nuk bën përjashtim. Ish-presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë është krijesë politike dhe rob i politikës. Dhe si i tillë, gjithashtu, gjithçka ka të bëjë me të, është politikë dhe ku hyn politika, rikonsiderohet nga e para raporti i saj me paratë.

Hetimi për një politikan nuk është mallkim, siç mund të duket në shikim të parë. Përkundrazi, hetimi gjyqësor, vërtetimi apo dhe shkarkimi nga akuzat, është një mundësi e artë për të shplarë vrerin e zhurmës që pretendon fajësi universale. Akuzat e lëna udhës, ato që vetëm artikulohen, por nuk rreket të provohen, janë helm për gjithë shoqërinë.

Askush nuk e çon në mend se një hetim apo një proces i mundshëm ndaj një personazhi si Ilir Meta, nëse ai do të ishte i pafajshëm, do të mund të manipulohej. Që do të fabrikoheshin prova e dëshmitarë për ta goditur atë në emër të një frymëzimi të caktuar politik. E kundërta ka ndodhur deri më tani si rregull dhe jo si përjashtim në Tiranë. Edhe ato pak çështje që janë ngritur ndaj njerëzve të politikës, edhe kur janë nisur me epshin që dukej se mund të mbarste edhe malet, kanë përfunduar duke lindur një krijesë anemike, më të vogël se një miush kafazi dhe më të pavlerë se një kafaz bosh.

Zhurma e krijuar për rastin e Metës vjen kryesisht nga dy arsye: për shkak të profilit të tij të lartë dhe sepse raportet që kanë ndryshuar tashmë në Tiranë mes pushteteve dhe forcimi i pushtetit gjyqësor, nuk po shihen vetëm nga naivët dhe të marrët. Paralajmërimi se një aktor i ri po vjen në politikën lokale, i cili nuk varet më si më parë nga aktorë po lokalë, nuk është marrë seriozisht. Ky është momenti që shumëkush duhet të fillojë të bëjë llogaritë ndryshe.

Një hetim i ngjashëm ndaj ish-kandidatit për kryeministër Lulzim Basha është mbyllur në mënyrë misterioze. Lobimi i tij në SHBA në vitin 2017 ka shumë anë të errëta, por hetimi i ndërprerë mbi atë lobim, do të duhej të ishte gjithashtu subjekt hetimi. Nuk do shumë mund që ai të rihapet. Mbajtja mbyllur në sirtar e tij, do të ishte një arsye më shumë për kritikët e drejtësisë së re që të shihnin standarte të shumëfishta në reagimin e saj.

Në thelb, të gjithë politikanët shqiptarë kanë menduar se mund të blinin “dashuri” amerikane me para. Me kalimin e viteve ata kanë pasur shumë më shumë mundësi për të paguar për lobime në SHBA, por duke harruar një të vërtetë të thjeshtë. Me lobim ata mund të arrinin disa objektiva në zyrat e administratës amerikane që ta përdornin si kartë këmbimi për nevoja elektorale në Shqipëri, porse ata duhet të bëheshin të rëndësishëm në Shqipëri, që t’i merrnin seriozisht në zyrat e administrative amerikane.

Vetëm dy muaj më parë kreu i qeverisë Edi Rama e bëri publike kërkesën e tij ndaj SPAK që të hetohet Berisha dhe Meta dhe fill pas kësaj SPAK vijon hetimet intensive. A e bën “pis” politika sistemin e drejtësisë duke e sulmuar apo i “sugjeruar” si dhe kë të hetojë? Deri më tani ato pak dosje hetimore kanë prekur vetëm majtas ku dy ish-ministra dhe një deputet i PS-së janë në burg, me lëvizjen e fundit të hetimit ndaj drejtuesve të opozitës a mendoni se SPAK po bën balancë?

Në shikim të parë duket se është pikërisht kështu. Dhe është e lehtë të mendohet sipas skemës së thjeshtë: Rama dha urdhër tek “organet e tij të drejtësië” dhe ato reaguan menjëherë me një gati tu të stilit ushtarak. U menduan për dy muaj dhe hapën dosjen për Metën dhe pas ca muajsh të tjerë, sërish nën komandën e Ramës, do të hapin edhe dosjen e Berishës, në mënyrë që dy kundërshtarët e tij politikë të groposen me kapakët e dosjeve penale. Nëse Rama do të kishte mundësi të ndikonte dhe të urdhëronte hetime të tilla, të këtij niveli, me të gjitha gjasat nuk do ta bënte këtë përpara kamerave, nuk do të linte gjurmë me akte publike, por do ta bënte në një mijë mënyra të tjera nga ato të llojit me gur të hedhur e dorë të fshehur. Por Rama nuk e kontrollon dot më sistemin e drejtësisë. Kjo është e vërteta elementare që shumëkush nuk do ta kuptojë dhe që është në fakt edhe ankthi thelbësor i vetë Ramës. Me shumë gjasa, ai mund të ketë një ndikim periferik mbi krijesën të cilës i dha vetë jetë gjashtë vjet më parë, por ajo tashmë nuk i bindet më. Gazetarët e kronikës që popullojnë ambientet përpara SPAK mund të tregojnë se zyrat e institucionit apo dhe gjyqet ku është palë SPAK-u, nuk i frekuentojnë vetëm shqiptarë. Dhe ky është një lajm i mirë për shumicën dërmuese të shqiptarëve dhe një lajm i keq për atë grusht njerëzish që i kanë keqqeverisur në dekada shqiptarët.

Vetë Meta dhe Partia e Lirisë (ish-LSI) po denonconin çdo ditë aferën atë që cilësohet si afera e inceneratorëve. Madje Meta reagon ashpër ndaj kreut të SPAK, duke e cilësuar si “spurdhjaku i partisë” që merr urdhra nga Rama, si i komentoni këto reagime?

Kjo është detyra e opozitës reale dhe opozita e sotme e rikrijuar, po bën detyrën e saj, ndryshe nga opozita e djeshme e telekomanduar që kishte shpikur stilin e stinës së denoncimeve dhe pastaj mbledhjen e frutit të denoncimeve. Ka pasur një rast klasik diku nga viti 2016, që nuk është bërë kurrë publik. Një deputete e opozitës, një nga gratë e forta të saj, është telefonuar nga qelia e 313-ës që të ndalonte së bëri publike denoncimet e saj mbi çështje të caktuara. Të nesërmen, një gjë të tillë ja kërkuan edhe nga partia e saj, me të njëjtën mënyrë, edhe i paraburgosuri, edhe eprori i lartë partiak i thanë të ndalonte dhe denoncimet mbi atë personazh u ndërprenë.

Me Berishën dhe Metën në opozitë nuk ka më lojëra të tilla. Nuk ka mjellma opozitare që krijuan liqen të artë në moçalin e tyre vetjak. Ata të dy janë luftëtarë dhe mjaftueshëm të ditur për të mos i vënë çmim vetes. Ata urrejnë. Urrejnë pafund njeriun që i mundi veç e veç e të dy bashkë dhe janë gati të bëjnë gjithçka për të marrë revansh mbi të.

Të dy së bashku kanë qenë shumë të ashpër ndaj SPAK-ut sepse ai ju ka ardhur tek dera, ndërkohë që ata po i trokasin në derë për ditë me denoncime. Në vend të këtij qëndrimi kundërshtues, do të ishte në dobi edhe të klimës për denoncimet e tyre, një sjellje shumë herë më e ndryshme ndaj këtij institucioni. Jo lincim, por inkurajim.

Berisha dhe Meta kanë premtuar se në shtator do të ketë protesta, publikime të skandaleve apo edhe nismë për mosbindje civile, a e step opozitën hetimi ndaj Metës?

E vetmja gjë që duket e sigurt ka të bëjë me radikalizmin e situatës në vend. Kriza ekonomike është një karburant i jashtzakonshëm për prodhimin e pakënaqësisë sociale. Në të gjithë Evropën që pret të hyjë një nga dimrat më të ashpër të dy dekadave të fundit, pakënaqësitë ndaj qeverisjeve do të jenë normë. Tirana nuk do të bëjë ndryshim. Por në Shqipërinë “As Lindje dhe as Perëndim”, opozita nuk është ende alternativë qeverisjeje, për fat të keq. Ajo nuk ka asnjë shans praktik për ta rrëzuar qeverinë qoftë me protesta, qoftë me përmbysje numrash, por ka në dorë që t’ja bëjë asaj jetën më të vështirë. Për paradoks, ky është fat i mbarë për shqiptarët që nuk kanë vuajtur nga mungesa e revolucioneve, por nga prishja e ekuilibreve të kontrollit mes pushteteve. Opozita është gjithashtu një pushtet që po rikthehet në Shqipëri mbas mërgimit të saj disa vjeçar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Grabitja e miliona eurove në Rinas

GJKKO dënon me 18 vite burg Talo Çelën

“Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja”

U vra me thikë në zemër, nëna e 14-vjeçarit mesazh në protestën për të birin

Gjesti simbolik për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani

Fotolajm/ Hidhet bojë e kuqe mbi fëmijët dhe në rrugë

Audi i përdorur nga atentatorët i vjedhur në Tiranë 1 vit më parë

Vrasja e djalit të ish-gjyqtarit, detaje nga ekzekutimi mafioz!