Njëzet gushti i 1995-s shënon fundin e një epoke për futbollin. Marko Van Basten, hallkë lidhëse mes futbollit modern dhe atij bashkëkohor, vendos të mos luajë më. Shkak ishte një kavilje që nuk i jep paqe.
Shumë dhimbje edhe për të ecur, e jo më për të shkelmuar topin. Duke hedhur sytë 27 vjet më pas, “Mjellma e Utrechtit” bën një bilanc të karrierës së tij. Shije e hidhur sepse pengjet janë shumë, siç e pranon në intervistën për “BBC”-në.
Do të zgjidhnit përsëri karrierën si futbollist nëse do të ktheheshit pas në kohë?
Me gjithë vuajtjet e kaluara e dhimbjet e duruara, nuk mendoj se ia vlejti që të isha futbollist. Kavilja edhe sot më jep probleme. Më ka kushtëzuar jetën normale, të cilën u mundova ta jetoj pa futboll. Gjithsesi, nuk ankohem për ekzistencën time. Nuk ka vetëm futboll në këtë botë, ndaj them se do të bëja zgjedhje tjetër nëse do të kthehesha pas në kohë.
Me një kurë tjetër, a mund të kishit vazhduar karrierën?
Jam vizituar te specialistët më të mirë të kohës e secili prej tyre më jepte një mendim ndryshe. Kalvari nisi te Milan. Kam luajtur shumë shpesh me infiltracione (injeksione kortizoni) dhe kjo më dëmtoi. Me siguri që kaq sa ka avancuar mjekësia sportive dëmtimi im do të kishte kaluar shumë shpejt e pa pasoja.
Sa e vështirë ka qenë për ju?
Shumë, por edhe dhimbjet ishin të shumta. Si futbollist vdiqa verën e 1995-s. Edhe sot e kësaj dite nuk e shkelmoj dot topin, sepse kam ende vida në kavilje. Kur e lashë sportin, e pata shumë të vështirë, pasi deri në atë çast nuk kisha jetuar kurrë pa topin. Kur befas, gjithçka përfundoi. Kam vuajtur shumë.
Vërtet asnjë kujtim i ëmbël nga futbolli?
Sigurish që po. Miqësi që i kanë rezistuar kohës, por edhe trofe të paharrueshëm si Europiani.
Kë do të veçonit?
Pa dyshim, dita më e bukur ka qenë kur takova Johan Krojfin. Më i miri i të gjithëve dhe shembulli im. E kisha si hero. Ishte një idhull për të gjithë, si George Best. Ishte fantastike ta shihje, e jo më të kishte mundësi t’i flisje. Personalisht, e pata më të lehtë t’i qëndroja pranë duke luajtur sesa të flisja me të.