Luhatjet e shumta të çmimeve të mallrave në bursat ndërkombëtare, sidomos të karburanteve, pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë, dhanë efektet direkt edhe në tregun tonë të brendshëm. Abuzimeve jo të pakta në këtë treg, si dhe kërkesës së publikut për kontroll të tij, Qeveria iu përgjigj me ngritjen e Bordit të Transparencës, ku krahas institucioneve shtetërore janë pjesë edhe përfaqësuesit e kompanive kryesore që importojnë produktet hidrokarbure.
Prej muajsh tashmë çmimi i karburanteve caktohet nga Bordi i Transparencës, i cili që në krijimin e tij i është përmbajtur në vendimet e marra lëvizjes së bursës Plats të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nëpërmjet një njoftimi, sqaron mënyrën e Vlerësimit Doganor të Hidrokarbureve.
Sipas këtij njoftimi, Legjislacioni Doganor (Kodi Doganor, Dispozitat Zbatuese te tij) si dhe specifikisht Udhëzimi i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr. 3 datë 23.01.2018, përcaktojnë qartë procedurat dhe metodologjnë e vlerësimit të mallrave për qëllime doganore.
“Një nga mënyrat e vlerësimit doganor të mallrave është dhe metoda bazuar në“Dosjen e të Dhënave të Disponueshme” ku përfshihen edhe përditësimet e hidrokarbureve. Burim për përditësimin e produkteve hidrokarbure, Drejtoria e Pergjithshme e Doganave përdor të dhënat ditore (ditë pune) përmbyllëse, të publikuara nga një prej agjencive ndërkombëtare më me reputacion “S & P Global Platts”, me qendër në Londër, me të cilën kjo drejtori bashkëpunon prej 15 vitesh”, thuhet ne njoftimin zyrtar te DPD.
Doganat theksojnë faktin, se për artikujt si: benzinë, gazoil, mazut, solar, vajgur, jet, gaz i lëngshëm (butan, propan), biodiesel shfrytëzon të dhënat përmbyllëse ditore të S&P Global Platts. Me këto të dhëna informohen çdo ditë strukturat doganore, sqarohet ne njoftimin e DPD.
Më herët është sqaruar dhe nga Bordi, por dhe ekspertë te Shoqates se Hidrokarbureve, se Bordi i Transparencës nuk cakton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ, sipas të cilit, ky Bord cakton vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative.
Referuar kësaj, operatorët e shitjes janë të lirë të tregtojnë nën nivelin e çmimit të përcaktuar nga Bordi. Pra, vendimet që merr Bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet në bursën Platz të mesdheut për gazoilin dhe benzinës, dhe jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit. Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto Bordi nuk merr vendim.