Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me vrasjen që tronditi fshatin Shelqet të Bashkisë Vau Dejës gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm. Gazetari Senad Nikshiqi në një lidhje telefonike për News24 pohoi se si fillim ka pasur një sherr verbal mes autorit, Alfons Palushani dhe viktimës, Agron Metushi, që ka degraduar deri në përdorimin e armës.
Gjithçka ka ndodhur në lokalin e fshatit, ku viktima dhe autori po pinin, ndërsa ishin ulur në tavolina të ndara. Pas shumë debatesh e fyerjesh mes tyre, autori, shkoi në banesë dhe u kthye me armë, ndërsa pa viktimën në oborrin e lokalit teksa bëhej gati të ikte me makinë. 37-vjeçari ka qëlluar në drejtim të 51-vjeçarit, duke e lënë të vrarë në vend.
Fill pas ngjarjes, pronari i lokalit ka njoftuar policinë, ndërsa kjo e fundit ka bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të krimit. Po ashtu bëhet e ditur se janë shoqëruar dhe disa persona të tjerë që kanë qenë në atë moment në lokal.