MENU
klinika

Faruk Fatih Ozer nën përgjim prej dy javësh

Si njeriu më i “urryer” në Turqi u arrestua duke bërë plazh në Shqipëri?

31.08.2022 - 10:04

Arratia e një 28- vjeçari që pa frikë mund të konsiderohet më i urryeri në Turqi, pasi mashtroi qindra mijëra njerëz, ka marrë fund me arrestimin e tij nga autoritetet shqiptare.

Faruk Fatih Ozër, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet turke, ka përfunduar në pranga dhe së shpejti pritet të nisin procedurat e ekstradimit të tij.

ARRESTIMI

Një operacion i koduar “Brain”, u organizua nga Policia e Elbasanit, ndërsa i riu turk u prangos në Himarë ku po kalonte disa ditë pranë detit. Faruk Ozër, 28- vjeç, ishte në kërkim prej vitit të shkuar kur mbërriti në Shqipëri dhe u zhduk papritur. Në prangat e njësisë Fast përfunduan edhe dy persona të tjerë që e shoqëronin të riun turk. “Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin e shumëkërkuar, u shoqëruan dhe 2 shtetas te tjerë, B. Sh., 36 vjeç, banues ne Tiranë dhe E. H., 37 vjeç, banues ne Durrës, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme, për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit. Gjatë operacionit për arrestimin e tij, janë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash etj. Ndërsa ende nuk dihet se ku është fshehur gjatë gjithë këtyre muajve, tanimë arratia e pronarit të “Thodex” që mashtroi qindra mijëra njerëz me investime në bursë ka marrë fund.

PËRGJIMI

I riu me origjinë turke, i cili hyri në Shqipëri përmes pikës së kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të vitit të shkuar, ishte vënë nën përgjim prej dy javësh nga Prokuroria e Elbasanit. Mësohet se ai lëvizte së bashku me një grup prej 6 personash. Përgjimet kanë nisur me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit dhe me vendim të Gjykatës së këtij qarku, gjë e cila ka sjellë edhe zbulimin e vendndodhjes së saktë të Özer. Në pranga e Policisë së Elbasanit ra dhe Edevaldo Haxhiu, i cili ka ndihmuar shtetasin turk të fshihet, ndërsa ai është shoqëruar edhe në shtator të vitit të shkuar për të njëjtën arsye. Përpara se të shkonte në zonën bregdetare të Himarës, i riu turk, mësohet se ka jetuar në një shtëpi me qira në zonën e Elbasanit.

ARRATIA

Në kërkim për rreth 2 miliardë dollarë, Faruk Fatih Özer, u largua nga Turqia kur kuptoi se ndaj tij kishin nisur hetimet nga Prokuroria Publike e Stambollit. Pasi u largua nga vendi i tij, ai mbërriti në Shqipëri dhe mediat turke shkruan më pas se po fshihej nga mafia shqiptare, pa dhënë ndonjë detaj domethënës për këtë. I riu i kërkoi motrës së tij më 18 prill 2021, të gjitha dokumentet e kompanisë dhe dy ditë më vonë u arratis në Shqipëri. Özer iku nga Turqia me këto dokumente dhe miliona dollarë para kripto që fitoi duke mashtruar 700 mijë njerëz.

Sipas të dyshuarve, dëshmia e të cilëve u mor në hetim, 5 drejtuesit e ndërmarrjes që ishin në arrati ishin të vetëdijshëm se Özer do të largohej. Megjithëse Özer tha se u largua jashtë vendit me qëllimin për të gjetur një partner të huaj, vlerësohet se ai vendosi të arratisej pas hetimit të nisur nga Zyra e Kryeprokurorit Publik Anadoll të Stambollit. Në hetimin e nisur më 22 prill nga Kryeprokurori Publik i Stambollit, 78 nga 82 të dyshuarit, ndaj të cilëve ishin lëshuar urdhër-arreste, u arrestuan. Midis katër të dyshuarve ishte edhe menaxheri i “Thodex”. Për shkak të zhvleftësimit të vazhdueshëm të monedhës turke, Lira, qytetarët turq nisën të investonin masivisht paratë e tyre në kriptomonedha.

Prokuroria kërkoi 40 mijë vite burg për të riun, si i mashtroi 700 mijë njerëz

Pas hetimeve të gjera, Prokuroria turke ka kërkuar dënimin e 21 personave që ishin përfshirë në skemën e mashtrimit qindra mijëra njerëzve në Turqi. Për Fatih Özerin u kërkua një dënim me burg deri në 40 mijë e 562 vjet, duke e akuzuar atë për tri vepra penale. Dosja ndaj kompanisë “Thodex”, është më e madhja në Turqi për shkëmbimin e parave në kriptomonedha. Özer do të gjykohet për “krijimin dhe menaxhimin e një organizate”, “pastrim të vlerave të pasurisë që rrjedhin nga krimi” dhe “mashtrim të kualifikuar”. Bordi i Hetimit të Krimeve Financiare (MASAK) ekzaminoi bazën e të dhënave të “Thodex”.

Në raportin e përgatitur, shuma e theksit është shënuar 356 milionë lira. U konstatua se shumica e parave të viktimave u konvertuan në para kripto dhe u transferuan në shkëmbime jashtë vendit. Gjithashtu u konstatua se të dyshuarit kanë krijuar një kompani ari për të afërmit e tyre. Përmes kësaj kompanie është blerë edhe ar fizik, paçka se kompania nuk kishte asnjë aktivitet real. Procesi i gjykimit do të fillojë me pranimin e aktakuzës, në të cilën kanë marrë pjesë 2 mijë e 27 persona si ankues.

Me Özer në krye, shtatë persona njihen si drejtues të kompanisë dhe 13 të tjerë si anëtarë të saj. Hetimet nisën në prill të vitit të kaluar u mbyllën në mars të këtij viti. Pas arrestimit në Shqipëri, tanimë pritet të kryhen procedurat e ekstradimit të të riut drejt vendit të tij, duke iu caktuar si masë paraprake prej 40 ditë burg. I riu turk, kishte mundur të tërhiqte interesin e dhjetëra mijëra personave, falë një fushate masive publicitare për blerjen e kriptovalute Dogecoin me rreth një të katërtën e e çmimit, duke premtuar ndër të tjera bonuse të ndryshme mes të tjerash dhe autovetura luksoze.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shkaktoi vjedhjen më të bujshme në historinë e Turqisë!

Kush është Faruk Fatih Ozer ‘mjeshtri’ që zhduku 2 miliardë USD