Një nga “ushtarët” e Ervis Martinajt ka përfunduar në prangat e Policisë së Lezhës e bashkë me të është arrestuar edhe një grua.
Ka qenë operacioni i koduar “Dyshimi”, ku u përfshinë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, që parandaluan atë që policia lokale e konsideron ngjarje kriminale, detajet e së cilës nuk bëhen të ditura.
ARRESTIMET
Pavarësisht se ishte nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, Nikoll Sherrniku nuk e kishte penguar masa për të qarkulluar i lirshëm e madje ishte angazhuar edhe në kryerjen e një atentati. Më herët, i riu është akuzuar edhe për përfshirjen në vrasjen e efektivit të Policisë, Xhulian Prela.
Operacioni i Policisë për arrestimin e tij dhe i konsideruar person me rrezikshmëri është organizuar në afërsi të një pallati në Kune të Shëngjinit. Policia lokale kishte marrë informacione në rrugë operative dhe u vu në veprim duke parandaluar një tjetër ngjarje kriminale.
Ndërsa nuk dihet se kush është shënjestra, angazhimi i Sherrnikut në këtë veprimtari tregon se grupet kriminale janë vënë sërish në lëvizje. Bashkë me të është arrestuar edhe një grua po nga Lezha, drejtuese e mjetit tip “Toyota”.
Flutura Berisha u prangos nga Policia pasi në automjetin e saj u gjet një armë zjarri. Ndërsa ende nuk dihet roli i saj dhe nëse është përfshirë në ngjarje të tjera kriminale, ajo që është e qartë është fakti se 34-vjeçarja është përpjekur të fshehë armën e llojit kallashnikov. Në automjet ishte edhe një i mitur 15-vjeçar.
“Shërbimet e Policisë, pasi kanë lokalizuar automjetin tip ‘Toyota’, të parkuar në afërsi të një pallati në Kune, Shëngjin, kanë ndërhyrë për të neutralizuar shtetasit që ndodheshin në automjet, të cilët, sapo kanë parë shërbimet e Policisë duke u afruar, kanë dalë menjëherë nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen me vrap.
Gjatë tentativës për t’u larguar shtetasja F. B. (drejtuesja e automjetit), ka tentuar njëkohësisht që të fshehë edhe një armë zjarri, në afërsi të vendit ku automjeti ishte i parkuar.
Arma e zjarrit kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas nga shërbimet e Policisë”, sqaroi Policia.
KUSH ISHTE SHËNJESTRA?
Policia e Lezhës thotë se 28-vjeçari ishte nisur për të kryer vrasje, duke mos dhënë detaje të tjera për shkak të sekretit hetimor.
“Bazuar në hetimet e deritanishme lindin dyshime se lëvizja e këtyre shtetasve me automjetin e blinduar, në role të ndryshme, ishte për të realizuar një ngjarje kriminale. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk bëhen të ditura të dhëna të tjera në lidhje me rastin, ndërsa vijon puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të implikuar”, sqaron.
ÇFARË U SEKUESTRUA
Automjeti, në të cilën udhëtonte 34-vjeçarja dhe i riu nga Kurbini ishte i blinduar. Gjithashtu, Flutura Berisha mbante me vete edhe një dy radio marrëse-dhënëse, krahas automatikut të gjetur brenda mjetit.
“Në vijim të operacionit, është ushtruar kontroll në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas dhe është gjetur një krehër automatiku me fishekë në të, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e dorës së shtetases Flutura Berisha janë gjetur 2 radio marrësedhënëse, si ato të Policisë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 automatik, 2 krehra me fishekë në to, 2 radio marrëse – dhënëse si të Policisë, si dhe automjeti i blinduar me të cilin lëviznin këta shtetas”, sqaroi Policia.
Roli i Nikoll Sherrnikut në vrasjen e efektivit të Policisë, Xhuljano Prela
Nikoll Sherrniku u arrestua mbrëmjen e 19 dhjetorit të vitit 2020, dy javë pas vrasjes misterioze të efektivit të Policisë, Xhuljan Prela. I riu banues në Laprakë në Tiranë u gjet i vrarë brenda makinës së tij, natën e 5 dhjetorit në vendin e quajtur “Gajush” në aksin Lezhë-Shkodër.
Në atë kohë, qarkulloi në media se në kërkim ishte shpallur edhe Brilant Martinaj, i cili në atë kohë thuhej se ndodhej në Turqi. Pas arrestimit, Sherrniku mohoi përfshirjen në ngjarjen e rëndë derisa gjykata i ndryshoi masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”.
Sipas burimeve, urdhërarresti për dy të rinjtë erdhi pasi një automjet që dyshohet të jetë blerë nga Nikoll Sherrniku, të jetë përdorur nga autorët e dyshuar. Ndërsa personi tjetër në kërkim rezulton se ka furnizuar makinën në një karburant në Milot, 10 minuta para ngjarjes.
Pas arrestimit, i riu mohoi të ketë lidhje me ngjarjen, duke thënë se atë natë ka qenë në banesën e tij si dhe nuk ka fare njohje me personin tjetër e shpallur në kërkim, Brilant Martinaj.
Ai punonte si mekanik makinash në Fushe-Kuqe të Kurbinit dhe ditën kur ka ndodhur ngjarja rezulton të ketë pasur ditëlindjen, deklaratë që u mbështet edhe nga vjehrri i tij.
Fijet që lidhin 28-vjeçarin me atentatet e bujshme në Kurbin
Nikoll Sherrniku, i arrestuar nga Policia e Lezhës për një vrasje në tentativë, rezulton emër i njohur për Policinë. Ai kishte njohje me Brilant Martinajn, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e efektivit të policisë Xhuljan Prela, motivet e të cilit nuk u mësuan asnjëherë përfundimisht.
Ndërkohë që ishte në arrest shtëpie, Sherrniku nga Kurbini e kishte thyer këtë masë dhe ishte angazhuar për kryerjen e një ngjarje kriminale në zonën e Shëngjinit, detajet e së cilës nuk dihet.
Ajo që dihet deri më tani, është se krimi është vënë sërish në lëvizje në Qarkun e Lezhës, atje ku janë kryer disa nga atentatet më të bujshme të muajve të fundit, përfshirë këtu atentatin e trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë, Brilant Martinaj, Diklen Vata e Besmir Hoxha, ngjarje e regjistrua në mes të ditës më 17 korrik.
Ende nuk dihet nëse 28-vjeçari i arrestuar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në Shëngjin do të kryente atentatin si hakmarrje për vrasjet në Fushë Krujë, përfshirë edhe shokun e tij, Brilant Martinaj. Ata udhëtonin me një automjet tip “Volkswagen Passat” nga Fushë-Kruja në drejtim të Laçit, kur rreth orës 14:00 nga një makinë tjetër po “Volkswagen” u qëlluan me breshëri automatiku.
Rreth 80 plumba u derdhën me breshëri në drejtim të tri viktimave, duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes dhe më pas automjetit i vunë zjarrin. Ngjarja e rëndë mbetet ende mister, pasi policia dhe prokuroria nuk kanë asnjë person të dyshuar.
Mbrëmjen e 22 korrikut, një tjetër atentat u regjistrua në Milot, ku mbeti i vrarë i riu Klisman Preçi dhe u plagos Ylli Brahimi, të cilët kishin njohje me kushërinjtë Martinaj. Edhe ky atentat mbetet ende i pazbardhur, ndërsa dy ditë më parë, Prokuroria Speciale tërhoqi dosjen nga Prokuroria e Kurbinit, për shkak se bëhet fjalë për grup të strukturuar kriminal.