MENU
klinika

Çfarë është Miqësia?

Sipas Aristotelit dhe akademikut Rexhep Qosja: Virtyti (i humbur)!

11.08.2022 - 19:00

         Meditim mbi vlerat dhe virtytet që na mungojnë, sipas koncepteve të Aristotelit dhe Akademikut Rexhep Qosja

Nga: Jorgo Mandili, botuar në DITA

“Etika Nikomake (Libri VIII) i Aristotelit, përshkruan një qasje të caktuar filozofike ndaj pyetjeve rreth miqësisë. Është një mënyrë e të menduarit për miqësinë, që është karakteristikë e filozofëve të lashtë grekë dhe romakë, veçanërisht Sokratit, Platonit dhe Aristotelit.

Çështja qendrore e këndvështrimit të kategorisë së miqësisë së përshkruar nga Aristoteli shprehet në pyetjen: sa miq keni dhe a janë vërtetë ata miqtë tuaj?

Kjo ka një pretendim të mirë për të qenë pyetja më themelore që mund t’i bëni vetes. Por nga pikëpamja filozofike, ka një pyetje tjetër që ndoshta duhet të marrë përgjigje së pari: domethënë, a është e mundur që miqtë tuaj po ju përdorin për dobi apo kënaqësi? Nëse nuk keni menduar kurrë për këto pyetje, atëherë me të vërtetë duhet. Aristoteli sigurisht që e bëri.

Çfarë është miqësia?

Miqësia, na thotë Aristoteli, është e një rëndësie supreme. Për më tepër, është thelbësore për lumturinë tonë. Siç thotë filozofi: “Askush nuk do të zgjidhte të jetonte një ekzistencë pa miq, edhe nëse do të kishte të gjitha të mirat e tjera.” – Aristoteli (Etika e Nikomakut, Libri VIII)

Nuk ka rëndësi nëse je i pasur apo i varfër; miqësia është thelbësore për jetën tonë. Aristoteli na thotë se nëse jemi të pasur dhe të begatë, atëherë do të kemi nevojë për miq që të marrin pjesë në dashamirësinë tonë dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e prosperitetit tonë. Anasjelltas, nëse je i varfër, miqësia shihet si një nga të vetmet strehimore nga mjerimi.

Të rinjtë kanë nevojë për miqësi për t’i mbrojtur ata nga gabimet dhe për t’u mësuar atyre rrugët e botës. Të moshuarit kanë nevojë për miqësi për t’u kujdesur për ta dhe për t’i mbështetur kur trupat e tyre dobësohen.

Ndërsa miqësia është me të vërtetë e rëndësishme, ka kaq shumë pyetje rreth miqësisë që ne duhet t’u përgjigjemi.

Sa lloje miqësish ekzistojnë?

Aristoteli del me një përshkrim të përgjithshëm të miqësisë si një vullnet i mirë reciprok midis njerëzve për arsye dobie, kënaqësie ose mirësie.

Pra sipas tij, në thelb ekzistojnë tre lloje miqësish. Sepse ashtu siç ndryshojnë shkaqet, po ashtu ndryshojnë edhe llojet e jetesës dhe llojet e miqësisë. Dy llojet e para të miqësive bazohen në dobinë ose kënaqësinë.

1- Miqësia që është e dobishme ose për “sinfero” ( për sumpheron, në greqisht) -për interes, nuk është përgjithësisht e mirë në vetvete, sepse çon ose prodhon diçka që është më pak e vlefshme. Kjo mund të jetë një miqësi me shokët e punës, në palestër ose në një klub librash.

2-Pastaj është miqësia, ku miku që është “i mirë” në një mënyrë të këndshme ose hedoniste (nga hedon – kënaqësi).

Ndërsa Aristoteli nuk mendon se kënaqësia është e mira më e lartë (në të vërtetë mund të jetë e keqe!), ai lejon që disa kënaqësi ose të qenit i këndshëm është një lloj mirësie me të cilën pajtohet sensi i shëndoshë.

Ky mund të jetë partneri juaj i futbollit (kalcio), ose i pijes të ndonjë gote rakie me pak djath, domate e kokërr hudhër, apo i kafes duke bërë një bisedë të këndshme, por … kujdes: mos diskutoni për politikën, as për socialistë e demokratë, as për Zog e Enver, Sali apo Ed, por as për konfliktin ruso- ukrainas . Sidomos me këtë të fundit do ta prishni hedonizmin… ndoshta edhe miqësinë!

Kuptohet se ata që e duan dikë për dobi ose për kënaqësi, nuk e duan atë për karakterin ose virtytin e tij. Përkundrazi, ata e duan personin bazuar në atë që është ose e mirë ose e këndshme për ta.

Pak kohë për të menduar…

Nëse do t’i jepni vetes pak kohë për të menduar, sigurisht që do të mund të emërtoni miq që ju duan vetëm për aq sa u ofroni atyre dobi ose kënaqësi.

Ndërsa këto lloj miqësish janë të zakonshme brenda shoqërisë dhe ndodhin shpesh gjatë gjithë jetës, ato kanë tendencën të shpërbëhen mjaft shpejt. Një miqësi e bazuar në dobi ose kënaqësi, natyrisht, pushon së ekzistuari kur marrëdhëniet e individëve nuk janë më të favorshëm për njëri-tjetrin. Sepse këto miqësi sipërfaqësore, kryesisht udhëhiqen nga emocionet e tyre dhe ndjekin, mbi të gjitha, atë që është e këndshme ose e dobishme.

Prandaj, nuk është për t’u habitur që kaq shumë miqësi të tilla kanë tendencën të shpërbëhen mjaft shpejt pasi individët emocionalë priren të ndryshojnë idetë e tyre sipas besimit, ideologjisë, militantizmit dmth për atë që është e këndshme ose e dobishme. Me pak fjalë, ata nuk priren të krijojnë miqësi të qëndrueshme.

Pavarësisht gjithçkaje, qoftë për interes apo kënaqësi, me këta miq jemi të detyruar të “bashkëjetojmë”, sepse ekzistenca jonë kushtëzohet prej tyre dhe, në jetën e përditshme kemi nevojë edhe për interes edhe për kënaqësi, për të ndarë gëzime dhe hidhërime. Në fund të fundit nuk mund të bëjmë dot pa njeri- tjetrin.

Atë që nuk parashikoi Aristoteli (dhe nuk kishte si ta parashikonte) është lloji i veçantë i miqve, që kanë lindur në kohën moderne të teknologjisë, ata që quhen ” friends”- miq të fb! Në shumicën e rasteve miqtë virtualë, “shpirtra të panjohur, të cilët janë të panumërt, me fatin e të cilëve ne jemi të lidhur përmes simpatisë” dhe për të cilët, nuk jemi të detyruar për hir të njëri-tjetrit.

Me këta marrëdhënia është më e lehtë: nëse bëhen antipatikë, duke tejkaluar etikën e komunikimit me lëndime, apo cenime të identitetit individual apo mendor, problemi është i zgjidhur: u bën “bllok”!

Ose për ata që ke njëfarë konsiderate, por për hir të besimit, ideologjisë, militantizmit, “dashamirësisë” (sipas tyre), tejkalojnë “masën”, edhe për këta problemi është i zgjidhur: shpërfilli!

Jam i bindur, se edhe Aristoteli kështu do të vepronte.

Lloji i tretë i miqësisë

A ka një mënyrë për të arritur një miqësi të vërtetë dhe të qëndrueshme? A jemi të dënuar të jetojmë me miq të rremë që na duan vetëm për aq kohë sa jemi të dobishëm për ta , për aq kohë sa i kënaqim apo për aq kohë sa jemi simpatikë kur u çojmë “ujë në mullirin e tyre”?

Aristoteli na thotë se ekziston një lloj i tretë ,i veçantë miqësie. Është kjo miqësi, më shumë se çdo tjetër, që duhet ta kërkojmë në jetën tonë.

Kjo lloj miqësie është një miqësi e bazuar në virtyt ose mirësi. Çfarë do të thotë kjo miqësi për Aristotelin? Për të kuptuar thelbin e kësaj miqësie , para së gjithash, duhet të njihemi me përmbajtjen e termit “virtyt” .

Pra, çfarë është virtyti?

Aristoteli na thotë se, virtyti është një lloj ekuilibri, një mesatare e “artë’ midis mungesës dhe teprimit. Kur shqyrtojmë trimërinë, frikën dhe nxitimin, mund të themi se një individ ,që ka mungesë besimi brenda situatave do të konsiderohet frikacak. Megjithatë, një individ që ka shumë besim do të jetë i nxituar, impulsiv dhe kokëfortë. Nga këto dy ekstreme mund të kuptojmë se mesi i ” artë” është trimëria. Një virtyt i vërtetë!

Megjithatë, gjetja e kësaj të mesmeje të “artë”, të përsosur, ndonjëherë mund të jetë një sfidë e madhe gati e pamundur. Shembulli i mëposhtëm e tregon këtë ”pamundësi”, dmth se nuk mund të supozojmë se ka gjithmonë një standard matematikor objektiv për çdo virtyt.

Për shembull, akti i dhurimit të 100 dollarëve për bamirësi mund të duket i virtytshëm. Megjithatë, nëse njeriu që jep paratë është shumë i pasur, mund të supozojmë se ai nuk po tregohet aspak i virtytshëm, por në fakt është mjaft i pangopur. Dhe nëse njeriu që i dhuron paratë do të ishte një lypës, ne mund ta konsiderojmë atë si budalla që ka dhënë para ,për të cilat ai ka aq shumë nevojë.

Dhe kështu në këtë mënyrë ne shohim se nuk ka asnjë standard të qëndrueshëm për virtytin. Çdo situatë ndryshon dhe prandaj ne duhet të bëjmë përpjekje për të gjykuar se cilat veprime janë të virtytshme dhe cilat jo.

“Në këtë mënyrë çdo ekspert shkencor shmang tepricat dhe mangësitë dhe kërkon dhe zgjedh atë që është e ndërmjetme, por e ndërmjetme në lidhje me ne, jo me objektin.” – Aristoteli (Etika e Nikomakut, Libri II)

Virtyti si gjendje e personalitetit

Për më tepër, Aristoteli na thotë se virtyti nuk është një ndjenjë apo aftësi ndjesore, por një gjendje e brendshme e njeriut të mirë, kurse vesi është gjendje e brendshme e njeriut të lig ose antinjeriut . Është për shkak të virtyteve dhe veseve tona që ne lavdërohemi ose fajësohemi, dhe nuk është e drejtë të thuhet se ne fajësohemi ose lavdërohemi për ndjenjat tona ose për aftësitë tona ndjesore; në këtë kontekst duhet ta kuptojmë virtytin si gjendje e brendshme e qenies.

Së fundi, duhet të kuptojmë se thjesht kryerja e veprimeve të virtytshme nuk mjafton. Të aktruarit si trima, të improvizuarit si guximtarë apo të dukurit të mirë,nuk do të thotë se jemi vërtetë të tillë , sepse këto shfaqje nuk janë gjendje e brendshme e qenies.

Në mënyrë që të bëhemi vërtet të virtytshëm:

– Duhet të dimë se ajo që po bëjmë është e natyrshme

– Nëse bëjmë veprime të virtytshme, ndërgjegjja na thotë se i bëjmë ato për hir të vlerës së tyre

– Ne i bëjmë këto veprime të virtytshme si rrjedhojë e një gjendjeje të fortë dhe të pandryshueshme.

Por, ka edhe shumë indikatorë të tjerë për të qenë të virtytshëm. Gjithsesi standarde ,që të përcaktojnë saktë të qenit i ” virtytshëm” nuk ka .

Për më tepër, edhe Aristoteli nuk jep asnjë shpjegim të qartë se cilat dispozita duhet të konsiderohen të virtytshme ose të mbrapshta. Ai kurrë nuk na thotë saktësisht se cilat veprime do të na bëjnë të guximshëm, ose të matur ose të drejtë. Ndoshta ai parashikoi (dhe kështu duhet të jetë) se kuptimi mbi virtytin mund të ndryshonte në lidhje me kushtet social- politike .

Dhe me të vërtetë sot në kushtet e neoliberalizmit global, ideologjia sunduese e tregut, që dikton edhe ligjet e shoqërisë ,ka tjetërsuar qenien njerëzore nga racionale në irracionale , përmes tjetërsimit të virtyteve në vese dhe anasjelltas , ku sipas mendimtarit shqiptar,profesor Rexhep Qosjes: “Nderi shpallet horrllëk, kurse Horrllëku shpallet nder… e Vogla shpallet e madhe, kurse e Madhja e vogël… e Drejta shpallet e padrejtë, kurse e Padrejta e drejtë… e Mira shpallet e keqe, kurse e Keqja shpallet e mirë… e Larta shpallet e ulët, kurse e Ulëta e lartë… e Vërteta shpallet mashtrim, kurse Mashtrimi e vërtetë…Suksesi shpallet dështim, kurse Dështimi sukses… Përparimi shpallet prapambetje, kurse Prapambetja përparim… Qartësia shpallet Verbëri, kurse Verbëria qartësi…Anakronizmi shpallet modernitet, kurse Moderniteti anakronizëm…Rrogëtaria, servilizmi ndaj Shtetit, pushtetit e Politikës shpallet disidencë, kurse pavarësia e mendimit shpallet Tradhti.”

Sa e vështirë është miqësia e virtytshme në epokën e parasë që tjetërson qenien njerëzore ku ”Hipokrizia është një homazh që vesi i bën virtytit“! (François de la Rochefoucauld). Gjë, që nuk përjashton mundësinë e shtirjes si i ” virtytshëm”, duke kryer veprime në dukje të virtytshme. Por, kjo nuk e përjashton mundësinë për t’i venë vetes qëllimin për të qenë të virtytshëm, për të patur një kuptim të qartë të virtytit dhe pastaj të kryejmë veprime të virtytshme si domosdoshmëri e gjendjes sonë të brendshme

Kjo nevojë për një justifikim është edhe më urgjente për njeriun modern, kuptimi i të cilit, për virtytin, mund të ndryshojë shumë nga një aristokrat athinas i mirarsimuar e i edukuar mirë.

Megjithatë, edhe me këtë këndvështrim kritikues në mendje, “Etika Nikomake” e Aristotelit qëndron si një nga burimet më të frymëzuara për iluminizmin filozofik. Një udhëzues për përmirësimin e vetvetes, ne mund të falënderojmë Aristotelin, për idetë e tij mbi miqësinë e virtytin dhe mënyrën më të mirë për ta arritur atë.

A ekziston miqësia e vërtetë?

Miqësia e virtytshme ndodh kur dy njerëz me kuptime të ngjashme të virtytit të vërtetë, takohen dhe e duan njëri-tjetrin për karakterin ose virtytet e njëri-tjetrit. Për më tepër, miqtë në këtë marrëdhënie u dëshirojnë mirësi miqve të tyre, për hir të njëri-tjetrit dhe jo sepse mund të përfitojnë disi për veten e tyre.

Këta miq, janë miq në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Mbi të gjitha dhe miqësia e tyre mund të zgjasë për aq kohë sa ata janë të mirë dhe virtyti i tyre është i qëndrueshëm. Është interesante se ndërsa kjo miqësi bazohet në altruizëm, ajo gjithashtu u ofron miqve edhe dobi, edhe kënaqësi. Sepse mund të thuhet se të kesh një mik të vërtetë është e dobishme sepse na bën njerëz më të mirë dhe mund të thuhet se është e këndshme sepse na jep një shok të vërtetë për të ndarë jetën.

Ndërsa kjo lloj miqësie është vërtet e mirë dhe e virtytshme, Aristoteli na thotë se këto miqësi janë më të rrallat nga të gjitha. Miqtë e vërtetë kërkojnë kohë për të njohur njëri-tjetrin. Shpesh herë ata duhet t’i kalojnë vështirësitë së bashku, në mënyrë që të mund ta vlerësojnë vërtet shoqërinë e tjetrit. Aristoteli thotë se miqtë e vërtetë ndonjëherë duhet të ” hanë një thes me kripë” përpara se të mund ta njohin sinqerisht njëri-tjetrin.

Ndërsa dëshira për miqësi mund të vijë shpejt, miqësia e vërtetë dhe e qëndrueshme nuk ndodh. Kur e pyetën Aristotelin se çfarë është miku i virtytshëm , përgjigja e tij ishte:” një shpirt i vetëm që banon në dy trupa”.

Kjo nënkupton dikë që mund të ujitë shpirtin e dikujt, dikë që mund ta bëjë atë të ringjallet dhe të rritet me ujin e jetës, që mbush boshllëkun në shpirtin e dikujt ,është një lidhje e veçantë mes dikujt dhe tjetrit .

Dhe, jo dikë që dëshiron ta kontrollojë… Miqësia e vërtetë bazohet në liri. Dhe, bazohet në realitet, jo në besim apo paragjykime, gjëra që prodhojnë vetëm plastikë… dhe robëri!

Dhe, shumë pak fjalë duhen mes dy miqve të tillë… ata kanë një prani të veçantë me vete, kudo që shkojnë…ata do të njohin instinktivisht gëzimet dhe dëshpërimet e njëri-tjetrit përmes lidhjes së tyre pa pasur nevojë të shohin ose të komunikojnë me njëri-tjetrin; ata të dy e dinë vetëm… Miqësia e tyre shkon përtej hapësirës dhe kohës… sepse është e vërtetë!

Në këtë kontekst, mund të mendojmë se një miqësi e vërtetë pothuajse nuk ekziston. Është diçka e veçantë… dhe është e vështirë të gjendet; është thuajse inekzistente…dhe vlen më shumë se paratë dhe ari! Ekzistenca e saj do t’i jepte kuptim fjalës së urtë popullore: ”Më mirë një mik, se një çiflig”!

Kjo mund të jetë një kohë e mirë, për të bërë një bilanc. Sa miq keni? Më e rëndësishmja, cilat nga ato miqësi bazohen në kënaqësi, apo dobi? Dhe a keni ndonjë mik të virtytshëm, një miqësi e bazuar në dashuri reciproke, altruiste?

Mund të mos habiteni, kur zbuloni se lista juaj e miqve të vërtetë është relativisht e shkurtër. Aristoteli e mbyll këtë pjesë, duke na thënë se kjo është e pritshme.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur” vjen i restauruar për publikun

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen