MENU
klinika

‘NATO mbetet vigjilent’

Stoltenberg për marrëveshjen Kosovë-Serbi për dokumentet

28.08.2022 - 20:32

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka përshëndetuar marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, në lidhje me dokumentet.

Pëmes një postimi në rrjetet sociale, Stoltenberg u shpreh se inkurajon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për zgjidhjen e çështjeve të tjera që janë ende të pazgjidhura, përmes dialogut.

Stoltenberg nënvizoi se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i mbetet vigjilent në lidhje me situatën aktuale.

“E mirëpres marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja për lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë i inkurajoj të dy liderët, Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura përmes dialogut politik. NATO dhe KFOR mbeten vigjilentë”, shkruan Stoltenberg në rrjetin social, Twitter.

Të shtunën, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.

Tashmë qytetarët e dy vendeve mund të udhëtojnë lirshëm duke përdorur dokumentet e tyre.