Një mbrëmje magjike, plote energji pritet të jetë kjo e sotmja në qytetin e Korçës. Si asnjëherë tjetër, këtë vit pritet që në “Festën e Birrës” të ketë një pjesëmarrje shumë të madhe qytetarësh.
Të shumtë në numër janë edhe emigrantët që janë kthyer në atdhe, për të shkuar në Korçë atje ku do të shijojnë pesë netë magjike.
Festa do të organizohet te terminali i ri i autobusëve, në hyrje të qytetit të Korçës. Ajo do të hapet në orën 20:00 dhe qytetarët do të kenë mundësinë të argëtohen me këngëtarët më të dashur për publikun.
Të ftuar specialë për të ndezur atmosferën mbrëmjen e sotme do të jenë reperi Capital T, grupi shumë i dashur për publikun West Side Family, Lore, Dj i famshëm Vin Veli.
Më datë 18 gusht do të performojnë artistët e mirënjohur Eranda Libohova, Niko Dj, All In Band dhe Offchestra.
Një natë e zjarrtë do të jetë edhe ajo e 19 gushtit me artistët Eugent Bushpepa, Tiri Gjoci, Flashback dhe Brios Band.
Supriza e këtij viti është pjesëmarrja e këngëtarit të njohur grek, Konstantinos Argiros, i cili do të ndezë atmosferën më 20 gusht, së bashku me këngëtaren shqiptare Anxhela Peristeri.
Ndërkohë, 21 gushti do të jetë nën muzikën e të madhes Aurela Gaçe, e cila si gjithmonë di të ndezë skenën dhe të ngrejë peshë zemrat e publikut.
Si risi këtë vit janë tavolinat me rezervime, të cilat mund t’i prenotoni në faqen “www.festaebirres.com”, ku gjeni dhe të gjitha sqarimet e vlerat e pagesës për rezervim sipas ditëve, ose mund të kontaktoni në numrin e telefonit 0695541654.
Për ata që nuk duan të prenotojnë një tavolinë, gjithë hapësira tjetër e festës veç zonës me rezervime është e lirë dhe nuk kërkon rezervim paraprak.