Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian Oliver Varheleyi ka reaguar në lidhje me marrëveshjen për lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bazuar mbi parimin e reciprocitetit.
Varheleyi e përshëndet këtë marrëveshje dhe uron që ajo të sinjalizojë një epokë të re të përparimit të vërtetë në dialog.
“E mirëpres marrëveshjen për lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sinqerisht shpresoj që kjo të sinjalizojë një epokë të re të përparimit të vërtetë në dialog, bazuar në marrëveshje dhe zbatim të ndërsjellë”, shkruan Varheleyi.
Varheleyi ka shpërndarë në rrjetet sociale edhe deklaratën e përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell, që më herët kishte deklaruar se ndihet i lumtur që është gjendur një zgjidhje europiane për lëvizjen e lirë të qytetarëve në Kosovë dhe në Serbi.
“Jam i lumtur që gjetëm një zgjidhje evropiane që lehtëson udhëtimin ndërmjet #Kosovës dhe #Serbisë, që është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.
Falenderoj Vuçiç dhe Albin Kurtin për udhëheqjen e tyre dhe nënvizoj bashkëpunimin e shkëlqyer praktik BE-SHBA”, shkruante Borrell.