MENU
klinika

Ndryshon udhëzimi për oraret javore

Viti i ri shkollor, bie ngarkesa për mbikëqyrësit e maturës

22.08.2022 - 12:52

Edhe këtë vit, Ministria e Arsimit ka vënë dorë mbi udhëzimin mbi normat e punës mësimore, duke ulur ngarkesën e mësuesve.

Kryesisht ata të shkollave me profil artistik, si dhe mësuesit që ngarkohen me mbarëvajtjen e procesit të Maturës shtetërore. Gjithashtu, nxënësit e pakicave kombëtare do të mësojnë në klasa të veçanta, ndërsa shkollat me mbi 400 nxënës nuk do të kenë me dy, por tre nëndrejtorë.

UDHËZIMI

Mësuesit e shkollave artistike janë ata që përfitojnë më së shumti nga udhëzimi i fundit i MAS që përcakton normën e re mësimore për degët e muzikës, arteve figurative dhe baletit. Atyre iu ulet norma e orëve javore sipas tabelës përbri shkrimit e gjithashtu bashkë me të edhe numri i nxënësve për klasë.

Përpos tyre, dokumenti i firmosur në fillim të muajit gusht avantazhon edhe arsimtarët, qofshin këta mësues apo drejtues shkolle, që ngarkohen me notat e maturantëve apo administrues të SMIP, sistemit të menaxhimit të informacionit parauniversitar, që s’është tjetër veçse regjistri elektronik.

Konkretisht, nëse shkolla nuk ka sekretar, kompetenca për amzën, inventarin e shkollës dhe SMIP, i kalojnë nëndrejtorit apo nëndrejtorëve. Nëse ky i fundit ngarkon mësuesit që japin lëndën e Informatikës, atëherë i ulet ngarkesa javore mësimore me dy orë.

Sa i takon procesit të Maturës Shtetërore, mësuesit që ngarkohen si mbikëqyrës kanë një lehtësim me dy orë më pak ngarkesë ose prani në shkollë. Po ashtu, edhe mbikëqyrësve që duhet të asistojnë maturantët e vjetër që rikthehen në gjimnaz për plotësimin e formularëve me qëllim aplikimin në universitet.

“Mësuesit mbikëqyrës të Maturës Shtetërore në gjimnazin e caktuar nga institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, të ngarkuar me hedhjen e notave të të gjitha viteve të kandidatëve me diplomë të shkollës së mesme të fituar jashtë shtetit dhe të njësuar në Shqipëri, i ulet norma mësimore me dy orë mësimore në javë”, përcaktohet në udhëzimin nr. 25, datë 01.08.2022.

REAGIMI

Ulja e ngarkesës për mësuesit e maturës dhe shkollave artistike nuk i ka kënaqur aspak arsimtarët, të cilët kërkojnë që këtë benefit ta përfitojnë edhe ata që janë në prag pensioni.

Një tjetër kërkesë e artikuluar më herët nga mësuesit është edhe ulja e numrit të nxënësve për klasë (jo me 32 sa është aktualisht maksimumi) si dhe “çlirimi” i mësuesve nga mbingarkesa me shkresa e formalitete të panevojshme sipas tyre. Paga e 13-të vijon të mbetet kërkesë e përsëritur, e rënë në vesh të shurdhët.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Afati dhe procedura që duhet ndjekur

Vit i ri shkollor/ Nis faza e dytë e regjistrimit online