Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi se në “muaji i ardhshëm duhet të shfrytëzohet për marrëveshje dhe diplomaci”, teksa ka komentuar bllokadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme serbe, Vulin ka porositur serbët në Kosovë se “nuk duhet t’i besojnë Prishtinës dhe duhet t’i besojnë Serbisë së tyre dhe presidentit Aleksandar Vuçiç”.
Ai tha se nuk pret asgjë nga Prishtina, por pret që Bashkimi Evropian – nën ndërmjetësimin e së cilit u arritën dy marrëveshje për formimin e Asociacionit – të formojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Unë pres që Shtetet e Bashkuara, që kanë treguar se kanë ndikim të madh në Kosovë, të vazhdojnë të përdorin këtë ndikim për të mirë… të vazhdojë të përdorë ndikimin për të bindur [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin që të arrijë një zgjidhje. Në thelb, kjo nuk është çështje mes Prishtinës dhe Beogradit, por është një çështje mes Beogradit e BE-së dhe shteteve që kanë ndikim në Kosovë. Shpresoj që këtë muaj të kemi bisedime që do të çojnë në arritjen e paqes në Kosovë”, tha Vulin.
Vulin tha se bashkësia ndërkombëtare veçse ka pasur një reagim adekuat sa i përket tensioneve në Kosovë.
“…Ata gjithmonë do të jenë në anën e Kosovës, por ka disa çështje kur nuk mund të jesh”, shtoi Vulin.
Komentet e Vulinit vijnë në kohën kur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që të takohen në Bruksel, për të vazhduar dialogun.
Sipas burimeve të REL-it, në takim është paraparë të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura.
Më 31 korrik, serbët lokalë në Kosovë vendosën barrikada në veri të vendit.
Barrikadat ishin kundërpërgjigje ndaj dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.
Sipas vendimit, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë do të pajisen me një dokument për hyrje-dalje me të hyrë në territorin e shtetit. Ky dokument do të vlejë për 90 ditë.
Ndërkaq, vendimi i dytë për targat thotë se të gjithë personat që kanë makina me targa me akronim të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, duhet t’i riregjistrojnë makinat e tyre.
Pas tensioneve në veri të Kosovës, Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimit për 30 ditë, kur të hiqen barrikadat. Disa barrikada në Rudarë nisën të largohen paraditen e 1 gushtit./REL