MENU
klinika

Dyshohet se u luajt në Shqipëri

Xhaka nën hetim për kartonin, baste me kriptomonedha?

05.08.2022 - 09:23

Granit Xhaka vazhdon të jetë nën hetim nga Federata Angleze e tashëm edhe nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) në Angli, për dyshimet që ka rreth një kartoni të verdhë që mori në ndeshjen e sezonit të kaluar mes Leeds dhe Arsenalit.

Dyshimet lindën nga një fluks i pazakontë bastesh për këtë ndëshkim, ndërsa tani në mediat britanike flitet për përfshirjen e mafies shqiptare dhe të një ish-futbollisti i cili është dënuar për trukime.

“Sportsmail” ka bërë të ditur se Federata Angleze ia kaloi që në qershor të gjitha informacionet që kishte te NCA, e cila është ajo që merret me krimin e organizuar në Britaninë e Madhe.

Sinjalizimi ishte bërë nga kompania e basteve Betfair, për një shumë prej rreth 52 mijë paund që ishte vënë bast për ndëshkimin me karton të verdhë të Xhakës në 10 minutat e fundit të sfidës. Ai u ndëshkua në minutën e 86-të të ndeshjes ndaj Leeds, kur Arsenali ishte duke fituar 4-1, ndërsa vonoi lojën në mënyrë pakuptimtë.

Por sipas burimeve të “Sportsmail”, tashmë NCA ka zbuluar shuma edhe më të mëdha që janë vendosur baste duke përdorur kriptomonedhat në tregje që nuk kontrollohen dot, me një pjesë të madhe që mendohet se është vënë në Shqipëri, ndonëse në teori në vendin tonë bastet sportive nuk janë të ligjshme e si rrjedhojë nuk duhet të ekzistojnë.

Për më tepër, NCA po heton edhe pretendimet se në këtë çështje është përfshirë edhe Alban Jusufi, ish-sulmuesi i cili u dënua me 5 vite përjashtim nga aktivitetet sportive në vitin 2017 nga gjykata suedeze. Lojtari i cili ka luajtur edhe me Vllazninë gjatë karrierës së tij, u shpall fajtor se kishte korruptuar portierin e AIK, Kyriakos Stamatopoulos.

Ai u pagua rreth 150.000 paund që të mos luante mirë në derbin ndaj IFK Goteborg. Ajo ndeshje, pas sinjalizimeve nga kompanitë e basteve, nuk u zhvillua.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN