Në dosjen hetimore të SPAK, në lidhje me krimet ku është përfshirë Nuredin Dumani, i cili ka dëshmuar para prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, rezulton se Ervis Martinaj ka porositur vrasjen e Endrit Dokles.
Në dëshminë e tij, Dumani, ka deklaruar se nuk donte të vriste Endrit Doklen.
Gjithashtu ka treguar se i ka marrë paratë Ervis Martinajt, një shumë prej 100 mijë euro por nuk ka pranuar që të eliminojë Doklen.
Ervis Martinaj është sot një nga emrat më të kërkuar në Shqipëri. Nga dita e sotme veprave penale që rëndojnë në ngarkim të tij, i është shtuar një denoncim nga ana e familjarëve të Martinaj që thonë se nuk kanë asnjë kontakt me të afërmin e tyre duke vënë në lëvizje uniformat blu për gjetjen e tij.
ERVIS MARTINAJ
Laçiani i shumëlakuar prej vitesh si një prej personave me rrezikshmëri të lartë, është shpallur në kërkim.
Ai është pjesë e rëndësishme në rrëfimin e Nuredin Dumanit. Në dosjen e plotë hetimore që disponon gazeta “Panorama”, bëhet me dije se ndër të tjera, Martinaj ka qenë i interesuar posaçërisht për vrasjen e Endrit Dokles, ish-anëtarit të bandës së Durrësit, më vonë rival i përbetuar i Lulzim Berishës. Dokle la qelinë në vitin 2020.
Ndonëse ndaj tij ekzistonin akuzat për disa vrasje, ai mundi të fitonte lirinë.
Sipas Dumanit, Ervis Martinaj ka ofruar për “kokën e tij” plot 500 mijë euro, por vrasja nuk u realizua dot. Në kërkim të prangosjes së Martinajt u nis RENEA dhe FNSH-ja.
U ushtruan dy kontrolle në banesë dhe në një hotel në Milot, vend në të cilin Policia kishte informacion që qëndronte. Në një dhomë hoteli u gjetën dy armë dhe disa sende që përdoren nga Policia, po jo Martinaj!