MENU
klinika

Nga Osmani te Konjufca

25-vjetori i vdekjes/ Liderët e Kosovës përkujtojnë Nënë Terezën

05.09.2022 - 13:58

Liderët E Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te shtatorja e Nënë Terezës në 25-vjetorin e vdekjes së saj.

Osmani ka thënë se Shën Tereza i dha një shembull gjithë botës.

“Jemi mbledhur për të filluar këtë ditë me përkujtimin për Shën Terezën, nënë e madhe e cila dha një shembull për të gjithë botën dhe jo vetëm për popullin shqiptar, i cili ia dha atë botës”, tha Osmani.

Po ashtu edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se Nënë Tereza është shembulli më i sigurt i besimit dhe humanizmit. Ai shtoi se ajo ka qenë gjithmonë afër popullit shqiptar në ditët më të vështira.

“Po e nderojmë dhe kujtojmë simbolin e rëndësishëm të kombit shqiptar dhe gjithë botës, Nënë Terezë e cila është shembull më i sigurt i besimit dhe humanizmit. Shembulli i saj ka inspiruar miliona njerëz në gjithë botën, por në të njëjtën kohë Shën Tereza nuk e harroi kurrë popullin shqiptar, ajo gjithmonë ka qenë afër popullit tonë në ditët tona më të vështira edhe tek udhëheqësit më të mëdhenj botërorë ajo ka ngritur çështjen tonë”, tha Konjufca.

Ndërsa kryeministri Kurti tha se Nëna Tereza afirmoi kombin tonë, pasi sakrifica është vlerë tradicionale e popullit shqiptar.

“Jeta e Nënës Terezë është vepra për gjithë njerëzimin dhe shembull për njeriun, nga një bijë e popullit tonë u bë nëna e gjithë botës. Nëna Terezë dha gjithçka nga vetja e saj dhe nuk i mori asgjë botës, në këtë mënyrë ajo afirmoi kombin tonë pasi sakrifica është vlerë tradicionale e popullit shqiptar”, tha Kurti.

Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, ndërsa më 19 tetor 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Ajo ishte nënë kujdestare e 7.500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960.000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47.000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3.400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80 dhe derisa Shën Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.

Shën Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.