Kryetari i Partisë Popullore Socialiste (SNP) të Malit të Zi, Vladimir Jokoviq, tha se në atë parti e shohin pozitivisht mundësinë që Dritan Abazoviq të mbetet në postin e kryeministrit.
Jokoviq deklaroi për televizionin publik malazez se kryeministri në largim iu ka përmbajtur marrëveshjeve dhe premtimeve elektorale.
“Qëndrimi ynë është pozitiv, sepse Abazoviq tregoi vendosmëri në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ai gjithashtu tregoi se i përmbahet marrëveshjeve dhe përmbushi gjithçka që premtoi”, tha Jokoviq.
Kujtojmë se negociatat e shumicës parlamentare nga zgjedhjet e vitit 2020 për formimin e Qeverisë së re, të 44-të janë në vazhdim.
Theksojmë se Partia Popullore Socialiste është grup parlamentar me shtatë deputetë në një Kuvend që ka 81 përfaqësues të popullit.
Ndryshe, Abazoviq u shkarkua javë më parë pas arritjes së Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse të Serbisë. /Telegrafi/