Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Adrian Bajrami, ishte pjesë e një arritje historike me klubin e Benfikës vetëm pak ditë më parë, duke u shpallur kampion bote për moshën U-20. Skuadra portugeze, që kishte fituar UEFA Youth League sezonin e fundit, mori pjesë në atë që quhet finalja e Kupës Interkontinentale U-20 e që u zhvillua në Montevideo të Uruguait.
Përballë kampionëve të Evropës për këtë grup-moshë ishte Penaroli, skuadra uruguaiane që fitoi edicionin e fundit të Kupës Libertadores U-20. Bajrami ishte pjesë e formacionit dhe luajti për 90 minuta, duke qenë një nga elementët kyç të këtij suksesi madhor për futbollin e klubeve me Benfikën U-20 që e fitoi finalen me rezultatin 1-0.
Në rrëfimin e tij për Fshf.org, mbrojtësi i talentuar kuqezi tregon emocionet që ka përjetuar dhe atmosferën e krijuar në stadiumin e mbushur me 40 mijë spektatorë në Montevideo. Bajrami është krenar për këtë sukses historik, ndërsa shprehet i lumtur që është pjesë e Benfikës, që siç thotë kampioni i botës për klube U-20, është një nga klubet me akademinë më të mirë në botë.
– Pak ditë më parë fitove Kupën Interkontinentale me Benfikën, duke mposhtur në finale Penarolin, që vinte në këtë finale si fitues i Kupës Libertadores. Na trego diçka për emocionet e kësaj sfide, si e ke përjetuar?
– Ndeshja kundër Penarol ishte një kënaqësi e madhe për mua që ta përjetoja sepse ishte shumë e vështirë, më shumë e vështirë emocionalisht, sesa në aspektin fizik. Emocionalisht sepse ne luanim në stadiumin “Centenario” të Montevideos në Uruguai dhe Penarol ishin të zotët e shtëpisë dhe Penarol kishte mbështetjen e mbi 40 mijë tifozëve në stadium.
Ishte një finale shumë e vështirë, pasi thuajse të gjithë ne nuk ishim mësuar të luanim në një stadium me 40 mijë tifozë, të cilët ishin që të gjithë në mbështetje të ekipit vendas. Stadiumi ishte i elektrizuar, tifozët kanë krijuar një atmosferë mahnitëse për ekipin e Penarolit.
Madje, kur u kthyem në Portugali shkuam të shikonim ndeshjen e Benfikës për Champions League ndaj Dinamo Kievit dhe më dukej shumë më ndryshe, më e lehtë në aspektin e atmosferës krahasuar me ndeshjen tonë në Montevideo, që siç e thashë ishte shumë e ngarkuar emocionalisht.
Ishte një kënaqësi shumë e madhe ta përjetoja një finale të tillë, mu desh pak kohë gjatë pjesës së parë për t’u ambientuar siç duhet, por sigurisht ka qenë në eksperiencë fantastike dhe e gjitha për t’u shijuar.
– Çfarë do të thotë për ty ky titull, të fitosh një trofe që praktikisht është edhe kupa e botës për klube në nivelin e të rinjve?
– Është një arritje vërtetë historike, sepse Benfika U-20 është skuadra e parë që e fitonte këtë trofe, pra edicionin e parë të Kupës Interkontinentale U-20, dhe ndihem i lumtur e krenar për veten dhe për klubin gjithashtu. Unë e them shpesh se Benfika ka akademinë më të mirë në botë dhe fitorja e këtij trofeu është një konfirmim për këtë klub. Jam shumë i kënaqur për këtë sukses dhe për klubin, shpresoj që të vazhdojmë të arrijmë suksese të tjera në të ardhmen dhe të fitojmë trofe.
– Ti zakonisht luan me Benfikën B, si u mor vendimi që të ishe pjesë e Benfikës U-20 për këtë ndeshje. Mund të na tregosh diçka për vendimin, si e mësove që ishe grumbulluar për këtë finale të madhe?
– Benfica U-19 ka fituar sezonin e fundit titullin e UEFA Youth League (ekuivalenti i Champions League për moshat) dhe në këtë skuadër luanin lojtarët nga vitlindja 2003 e lart. Pra, skuadra U-20 përbëhet nga lojtarët që janë maksimumi vitlindja 2002, kështu që unë nuk e kam pritur të jem pjesë e grupit që do të luante në finalen e Kupës Interkontinentale, por ishte një vendim i Benfikës që lojtarët nën moshën 20 vjeç të mund të merrnin pjesë në këtë ndeshje. U gëzova shumë kur më komunikuan që isha përzgjedhur edhe unë që të isha pjesë e këtij grupi lojtarësh, që tashmë ka bërë historinë.
– Si po të ecin gjërat te Benfika, je i kënaqur me ecurinë që ke pasur deri më tani te klubi, dhe cilat janë planet për të ardhmen?
– Te Benfika gjërat po ecin mirë për momentin, aktualisht aktivizohem me ekipin e dytë, Benfika B, që merr pjesë në ligën e dytë të Portugalisë. Jam i kënaqur me ecurinë që kam pasur në këtë klub, kam luajtur rregullisht, duke qenë edhe kapiteni i skuadrës. Kam mbështetjen e stafit teknik dhe të klubit, më kanë vlerësuar shumë vazhdimisht.
Për momentin jam pjesë e Benfikës, mundohem të jap gjithmonë maksimumin në çdo seancë stërvitore e në çdo ndeshje, të përmirësohem dita ditës, duke punuar shumë dhe t’u tregoj trajnerëve të ekipit të parë se jam i gatshëm në çdo kohë për të debutuar në ligën elitare portugeze.