Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrisë së Kosovës ka njoftuar se dy zëvendësministra janë ngarkuar me përgjegjësi të reja.
Siç thuhet në komunikatë, ish Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Getoar Mjeku është emëruar Zëvendësministër i Ekonomisë, ndërsa ish Zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj është emëruar Zëvendësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Në komunikatë thuhet se kryeministri Kurti i ka uruar të dytë për pozitën e re dhe iu ka dëshiruar suksese në punën dhe angazhimin e tyre.
Kujtojmë se ditë më parë, Kurti paralajmëroi ndryshime në kabinet. Ai u shpreh se ministrat dhe zëvendësministrat do të vlerësohen. Paralajmëroi se “askush s’është i paprekshëm”.