Aleatet e Partisë Demokratike si Fatmir Mediu i republikaneve, Agron Duka i Partisë Agrare Ambjentaliste dhe Dashamir Shehi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar kërkojnë që të gjithë partite dhe faktorët opozitarë të dalin në zgjedhjet vendore të 2023-it me një kandidat të vetëm, për të pasur mundësi për të fituar.
Sipas Dashamir Shehit, forma më e mirë e përzgjedhjes së kandidatëve të përbashkët janë sondazhet me qytetaret, ndërsa Mediu dhe Duka shprehen se përveç sondazhit, të vlefshme do të ishin edhe primaret e hapura, dhe jo të mbyllura vetëm për një parti politike.
“Opozita duhet të shkojë në zgjedhjet lokale me një kandidat. Primaret nuk duhet të jenë brenda një subjekti politik, ato duhet të jenë të hapura ku qytetaret të votojnë për kandidatin më të mirë. Nëse do kemi shumë kandidatë, do jetë e vështirë për opozitën. Qytetarët gjithashtu duhet të përfshihen në proces”, u shpreh Mediu.
Ndërsa Shehi tha se “Opozita duhet të përfaqësohet me një kandidat në zgjedhje. Në 6 mars kandiduam në 6 bashki dhe humbëm 5. Aventura me 2-3 kandidatë, është fitore e Ramës. Përveç primareve, mund të zhvillohen edhe sondazhe me qytetarët”
Agron Duka shton se gara për të zgjedhur kandidatin më të mirë, duhet të përfshijë të gjitha fraksionet opozitare, përfshi edhe grupin e Albeajt.
Aleatet e PD theksojnë se nëse nuk do të ketë një kandidat të përbashkët nga radhët e opozitës, atëherë pritet të ndodhë përsëri 6 marsi, kur mundësia që Rama të mbajë shumicën e bashkise, do të ishte shumë e madhe.