MENU
klinika

Faktorët që kanë ndikuar

AMF: Tregu i sigurimeve ka nevojë të zgjerojë dixhitalizimin

03.09.2022 - 12:39

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e vlerëson pozitivisht ecurinë e tregut të sigurimeve vitin e kaluar. Në një prononcim për “Monitor”, institucioni vlerëson se në vazhdim, dixhitalizimi është një nga nevojat kryesore për tregun e sigurimeve.

Sipas AMF, nisur nga zhvillimet gjeopolitike të këtij viti dhe efektet në tregjet financiare, autoritetet rregullatore po bëjnë vlerësimet përkatëse në lidhje me ndryshimet e matricës së rrezikut dhe ndikimit që mund të kenë këto zhvillime edhe në industrinë e tregut të sigurimeve. Si e vlerësoni ecurinë e tregut të sigurimeve në vitin 2021 dhe cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme, në këndvështrimin tuaj?

Viti 2021 shënoi zhvillime të rëndësishme për tregun e sigurimeve. Më 16.03.2021 u miratua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Ligji nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili hyri në fuqi më datë 1 korrik 2021. Miratimi i Ligjit u vlerësua në veçanti nga Komisioni Europian në Progres-Raportin për Shqipërinë, i cili, ndër të tjera, konstatoi progresin e bërë në lidhje me rekomandimet e lëna, përmes miratimit të ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Ligji për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, tashmë prej një viti në fuqi, ka sjellë ndryshime të rëndësishme, si në aspekt të rritjes së masës së dëmshpërblimit për disa kategori dëmesh, rritje e cila do të jetë progresive edhe në vitet në vijim, ashtu edhe sa i përket mirëpërcaktimit të afateve dhe procedurave për trajtimin e dëmeve.

Me hyrjen në fuqi të ligjit, u shënua rritje me 50% e limitit të përgjegjësisë për dëmet ndaj pronës (nga 10 në 15 milionë lekë), u rrit me 33% limiti i përgjegjësisë për autobusët dhe kamionët, rritje me 10% e limitit të përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në një ngjarje sigurimi, rritje me 150% e dëmit pasuror në rastet e humbjes së jetës për të miturit.

Gjithashtu, nga janari 2022 deri në 31 dhjetor 2026, do të vijojë rritja progresive e parashikuar në ligj e kufirit minimal të përgjegjësisë për disa kategori dëmesh.

Janë adresuar problematikat e vërejtura ndër vite me Fondin e Kompensimit, ku është parashikuar edhe mundësia e pagesës së kësaj kategorie dëmesh nga siguruesi i drejtpërdrejtë.

Kjo ka dhënë menjëherë efekt, pasi që nga hyrja në fuqi e ligjit vitin e kaluar deri në 31.03.2022, rreth 83% e praktikave të dëmeve të shkaktuara nga një mjet i pasiguruar, ose i paidentifikuar, janë paguar direkt nga shoqëria e sigurimit.

Gjithashtu, Autoriteti në zbatim të kërkesave të ligjit, ka miratuar rregulloren që kufizon komisionet e ndërmjetësimit për produktet e sigurimit të detyrueshëm, e cila hyri në fuqi në fillim të këtij viti, duke sjellë ulje të ndjeshme të komisioneve për ndërmjetësit, si dhe reduktim të shpenzimeve të marrjes në sigurim nga shoqëritë e sigurimit.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka aderuar së fundmi në Memorandumin Shumëpalësh të Mirëkuptimit të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS), në funksion të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes mbikëqyrësve në tregun e sigurimeve.

Kjo është realizuar pas një procesi rigoroz të verifikimit të përputhshmërisë së bazës ligjore dhe rregullatore me standardet ndërkombëtare të IAIS.

Gjithashtu, Autoriteti në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve po realizon një vlerësim të progresit të bërë në lidhje me ato që cilësohen si Parimet Themelore Ndërkombëtare në fushën e sigurimeve (Insurance Core Principles – ICP).

Ky proces, ku Autoriteti po asistohet nga ekspertët e Bankës Botërore, synon të sjellë avancim të mëtejshëm të praktikave mbikëqyrëse dhe rregullative drejt standardeve më të mira ndërkombëtare.

Sa i përket ecurisë dhe treguesve financiarë të shoqërive, konstatohet se tregu i sigurimeve shënoi rimëkëmbje dhe iu rikthye ritmeve të rritjes vitin të kaluar. Niveli i primeve të shkruara bruto në fund të vitit 2021 u rrit me 16%, krahasuar me vitin 2020, duke arritur në rreth 19.3 miliardë lekë.

Tregu i sigurimeve në vitin 2021 ka vijuar rritjen e kapitaleve të veta, si dhe ka një rritje me rreth 10% të nivelit të investimeve, krahasuar me fundin e vitit 2020.

Treguesi i mbulimit të provigjoneve teknike me aktive të përshtatshme për shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës ka vijuar i qëndrueshëm në nivelin 130%. Për shoqëritë e sigurimit të Jetës, mbulimi i provigjoneve matematike rezulton në nivelin 124%.

Treguesit financiarë të tregut të sigurimeve janë ndikuar pozitivisht edhe nga kapitalizimi i fitimit të vitit 2020, në zbatim të Vendimit të Bordit nr. 68, datë 28.04.2021 “Për pezullimin e shpërndarjes së dividendit”. Këto masa ndikuan në ruajtjen e nivelit të likuiditetit në sistem dhe të treguesve financiarë, atij të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aktiveve në mbulim të provigjoneve teknike.

Për sa u përket dëmeve të paguara, konstatohet se në vitin 2021 dëmet e paguara për sigurime vullnetare zënë 46.5% të totalit dhe ato për sigurime të detyrueshme zënë 53.5% të totalit të dëmeve të paguara.

Për sa u përket dëmeve të paguara në vitin 2021 për sigurime të detyrueshme, rezulton një rritje me 19.5% krahasuar me T4/2020, për shkak të rritjes së dëmeve të ndodhura në vitin 2021 si pasojë e lehtësimit të masave kufizuese të pandemisë Covid-19. Nëse krahasimin e bëjmë me T4/2019, kjo rritje rezulton të jetë 13.7%.

Fondi i Kompensimit për vitin 2021, në mbyllje të vitit financiar rezultoi me një realizim në masën rreth 104% të detyrimit të fondit për vitin 2021.

Referuar të dhënave të depozituara nga BSHS, gjatë periudhës janar-dhjetor 2021, vlera e paguar për Fondin e Kompensimit të vitit 2021 është rreth 269 milionë lekë.

Dixhitalizimi dhe përmirësimi i mëtejshëm i sistemeve të teknologjisë së informacionit ka vijuar edhe në vitin 2021. AMF finalizoi integrimin e plotë të shërbimeve që lidhen me sigurimin e detyrueshëm motorik, duke lehtësuar procedurat për qytetarët për t’u pajisur me informacionet apo vërtetimet e nevojshme në kohë reale përmes e-Albania.

Autoriteti realizoi në vitin 2021 një përditësim të sistemit të raportimit në tregun e sigurimeve, AMF In-Reg, që mundëson rritjen e parametrave të sigurisë, përditësim të sistemit, si edhe ofrimin e funksioneve të reja.

Në gjykimin tuaj, si po ndryshon biznesi i sigurimeve në situatën post-pandemike dhe cilat janë rreziqet kryesore që vëreni në këtë treg? Dixhitalizimi vlerësohet si një nga nevojat kryesore për tregun e sigurimeve dhe në këtë drejtim, edhe Autoriteti po mban një dialog vijues me shoqëritë e sigurimit për avancime në këtë drejtim.

Ndryshe nga tregjet e tjera financiare, përballja e tregut të sigurimeve, nuk ishte vetëm me efektet e pandemisë, por edhe me faturën financiare të dëmeve të shkaktuara nga tërmetet e vitit 2019. Përgjithësisht, tregu i sigurimeve u rezistoi efekteve të pandemisë dhe e menaxhoi mirë procesin e trajtimit dhe pagesës së dëmeve të dy ngjarjeve të tërmetit.

Nisur nga zhvillimet gjeopolitike dhe efektet në tregjet financiare, autoritetet rregullatore në Europë, si dhe vendet e rajonit po bëjnë vlerësimet përkatëse në lidhje me ndryshimet e matricës së rrezikut, si edhe sa i përket ndikimit që mund të kenë këto zhvillime edhe në industrinë e tregut të sigurimeve./Monitor

Cilat kompani do të largojnë mijëra punëtorë?

Sektori i industrisë gjermane, më i prekuri nga kriza!

Më të paguarit, sektori financiar dhe…

Sa kushton një orë pune në Shqipëri?

Sa do të jenë vlerat për çdo sistem të miratuar

Vendimi/ Qeveria financon familjet për ngrohjen!