MENU
klinika

Artur Ajazi

Armiku i Partisë

14.09.2022 - 14:09

Kjo puna e “lobimeve ruse, serbe, greke, apo amerikane”, ishte harruar deri diku. Por paraditen e djeshme, Berisha nxorri sekretaren e tij, dhe deklaroi se “drejtësia duhet të rihapë dosjen e lobimit me para ruse , të 500 mijë dollarëve nga Lulzim Basha në zgjedhjet e vitit 2017”.

Madje zonja Garo tha se “PD ofron bashkëpunimin e saj si forcë politike e përgjegjshme lidhur me këtë aferë të Lulzim Bashës, shkatërruesit të partisë”. Në dukje zonja Garo, nuk e di, por më duket më shumë si një militante mitingjesh, se sa një zëdhënëse e asaj partie. Por le të kthehemi tek “historia e lobimit rus”. Në vitin 2017, Lulzim Basha u akuzua se “me paratë e “partisë” të financuara nga oligarkë rusë, ka lobuar në SHBA për Partinë Demokratike, dhe kjo solli rrënimin e sovranitetit saj”-sipas zonjës Garo.

Sali Berisha nga dje, i është rikthyer goditjes së kundërshtarit më të madh që ka akoma brënda asaj partie, Lulzim Bashës. Edhe pse i shkarkuar, edhe pse ai nuk shkel kurrë më në atë seli, sërish Berisha ka vendosur të rihapë dosjen e bujshme, që vajti deri në dyert e Prokurorisë, dhe çuditërisht çështja u mbyll. Si gjithmonë, në kundërshtim me ato ç’ka deklaron, Berisha gjithmonë është një kontestues kronik i vendimeve të drejtësisë. Madje, ai ka qenë pengues periodik i veprimeve të strukturave policore, si në rastin e vendimit për arrestimin e 6 gardistëve, dhe rezistenca e tij për të “mos i dorëzuar” ata.

Lobimi i Bashës me “para ruse” mbetet dosja e pambyllur dhe e përjetshme e Sali Berishës, për ish-kryetarin Basha. Ai do të këmbëngulë, siç po vepron tani, për rihapjen e dosjes dhe dënimin e tij, duke dashur të godasë në fakt edhe kreun e grupit parlamentar Enkeled Alibeaj. Ky i fundit shihet si pengesa e vetme që Berisha ka brënda partisë tij, për të marrë edhe atë post. Nuk do të jetë e largët dita, kur Enkeled Alibeaj të akuzohet si “bashkëpunëtor i Bashës në lobimin me para ruse”.

Duke e lidhur problemin me situatën e luftës në Ukrahinë, dhe duke deklaruar se “ne jemi parti e interesit kombëtar dhe i shohim këto interesa larg aksit serbo-rus, në linjë të plotë me Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Bashkimin Europian” në fakt Berisha synon gjë tjetër. Ai po ngulmon ta fusë Bashën (armikun e partisë) në “kazanin e armiqve të Aleancës Atlantike, derisa ka pranuar para ruse nga agresorët e Ukrahinës sovrane”. Shkurt, rihapja e kësaj çështje është goditja e antiberishistëve ( por edhe e Lulzim Bashës) që sot kanë shumicën e grupimit parlamentar në PD.

Berisha nuk merakoset shumë për “500 mijë dollarët e lobimit”,pasi ka shpenzuar deri sot, 10 fishin e tyre për interesat e tij politike dhe personale. Lufta brënda llojit, si dhe goditja që ka nisur Berisha ndaj “armikut të partisë”, ka qenë dhe mbetet tipari kryesor i funksionimit të jetës së brëndshme në atë forcë politike. Kërkesa e tij ndaj drejtësisë, për “rihapjen e dosjes së Lulzim Bashës që mbylli Edi Rama”, mbetet absurde, duke treguar pafuqinë e tij për të drejtuar dhe menaxhuar problematikat që ka sot brënda Partisë Demokratike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN