Disa persona të cilët kanë qenë prezent në momentin e vrasjes së 57-vjeçarit në Shkodër Ismet Çekorja, janë shoqëruar në polici.
Bëhet me dije se mes të shoqëruarve është edhe pronari i supermarketit që ka qenë afër shtëpisë së viktimës.
Mësohet se Çekorja kishte marrë 5 plumba në trup ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur 7 gëzhoja.
Sipas burimeve, ka qenë një person i cili e ka thirrur 57-vjeçarin të dalë nga shtëpia dhe më pas e ka qëlluar. Policia ka sekuestruar dhe kamerat e sigurisë, afër vendit të ngjarjes.
Deri në këto momente nuk ka asnjë autor të dyshuar të këtij krimi dhe pista kryesore që po hetohet është konflikti i djalit të tij që është akuzuar si autor i atentatit Alban Bruçi.
Ismet Çekorja, viktima e atentatit të ndodhur mesditën e së premtes në qytetin e Shkodrës, ishte babai i Bajram Çekores, ky i fundit në kërkim për atentatin ndaj Alban Bruçit.
5 ditë më parë, Ismet Cakorja dha një intervistë, ku mohoi faktin se djali i tij është i përfshirë në ngjarjen për të cilën akuzohet.
Ai u shpreh se djali i tij, mbrëmjen e 25 gushtit në orën kur ka ndodhur atentati, ndodhej në një mjedis i monitoruar nga kamerat e sigurisë. Alban Bruçi u qëllua me 19 plumba më 25 gusht në Shkodër, por arriti që të shpëtojë pa u plagosur.