Në sytë e botës, disa njerëz mishërojnë jo vetëm një vend dhe njerëzit e tij, por edhe një epokë të tërë.
Mbretëresha Elizabeth II, e cila vdiq të enjten, më 8 shtator në moshën 96-vjeçare në kështjellën e saj në Balmoral të Skocisë, e lidhi në mënyrë të padukshme secilin prej nesh me segmente të historisë britanike dhe universale, nga epoka e pasluftës kur u ngjit në fron, deri në periudhën Covid-19 ku mesazhi i saj la gjurmë në mendjet e njerëzve, përmes dekadave të dekolonizimit deri në epokat e Thatcher, Blair dhe Brexit, Beatles dhe tragjedisë së Lady Dianës.
Kreu i shtetit britanik ishte kudo e respektuar dhe me fuqi simbolike.
Gjatë mbretërimit të saj 70-vjeçar, ajo u takua me të gjithë njerëzit e mëdhenj të botës, nga Charles De Gaulle te John F. Kennedy, nga Jawaharlal Nehru te Nelson Mandela dhe Papa Gjon Pali II.
Pasi u ngjit në fron në kohën e trenave me avull, dhe martesës së përjetshme, Mbretëresha ka udhëtuar gjithashtu me avion supersonik, ka postuar tweets dhe ka qenë dëshmitare e divorceve të tre fëmijëve të saj.
Historianët mund t’i përshkruajnë shtatë dekadat e mbretërimit të Elizabeth II si “epokën e dytë të Elizabetës”, epoka e parë ishte ajo e Mbretëreshës Elizabeth I (1558-1603), e cila u shënua nga rinovimi artistik, prosperiteti dhe fuqia angleze.
Periudha e fundit simbolizon një humbje të ndikimit të Britanisë.
Por mbretëresha, e cila sapo ka ndërruar jetë, do të ketë arritur suksesin për t’i bërë njerëzit të harrojnë anakronizmin e monarkisë, duke e zgjatur popullaritetin e saj duke ruajtur iluzionin e të qenit i palëkundur.
Sekreti ka të ngjarë të ishte vendosmëria e jashtëzakonshme të Elizabeth II, ndoshta gruaja më e famshme në botë, për të mbetur misterioze.
Artikuj të panumërt të lajmeve, libra dhe dokumentarë i janë kushtuar një mbretëreshe që nuk dha kurrë një intervistë, e cila mbajti vetëm katër fjalime në 70 vjet, përveç traditave parlamentare dhe të Krishtlindjeve, dhe që nuk jepnin asnjë informacion personal.
Natyra e saj e padepërtueshme dhe gjakftohtësia aristokratike, e kombinuar me një vullnet të palëkundur për të kryer detyrën deri në frymën e fundit, e mbajtën atë gjallë në shumë epoka, duke ruajtur një popullaritet që politikanët e xhelozonin. Gjurmët e fundit të kësaj force të jashtëzakonshme të karakterit mund të shihet në pritjen e Mbretëreshës ndaj kryeministres së re Liz Truss, vetëm një ditë para vdekjes së saj.
Tronditja e vdekjes së Elizabeth II do të ndihet në mbarë botën, veçanërisht në pesëmbëdhjetë shtetet ku ajo ishte sovrane, si një shenjë e fundit të një epoke.
Për popullin britanik, ngjarja sjell edhe frikën e humbjes së prestigjit në një kohë kur vendi po lufton me një krizë të rëndë sociale dhe ekonomike.
Me vdekjen e Mbretëreshës, Mbretëria e Bashkuar ka humbur një instrument të domosdoshëm dhe të fuqishëm të “fuqisë së butë”.
Elizabeta II dërgoi mesazhe politike përmes ekuilibrit, veshjeve, dinjitetit dhe zgjedhjes së fjalëve të saj. Ajo u vlerësua shumë nga populli britanik, sepse ajo personifikoi lidhjen e tyre me historinë dhe unitetin e një vendi të larmishëm.
Çfarë do të ndodhë me djalin e saj të madh, i cili u bë Mbreti Charles III të mërkurën? Më pak popullor se mbretëresha e ndjerë, princi ka treguar më parë prirjen e tij për të ndikuar tek autoritetet publike në temat e tij të preferuara si planifikimi urban, mjedisi apo mjekësia alternative. Kjo ndërhyrje është refuzuar nga publiku britanik.
Charles ka premtuar të ndalojë këtë lloj ndërhyrjeje. Por, në moshën 73-vjeçare, detyra e “mbretit në pritje” që është bërë “mbreti kalimtar” do të jetë e vështirë.
Ai do të marrë fronin në një kohë kur uniteti i mbretërisë është i kërcënuar, nga Skocia në Irlandën e Veriut dhe kur dyshimet për monarkinë po rriten.
Sipas një sondazhi të fundit, 27% e britanikëve dhe 40% e të rinjve 18-24 vjeç duan që monarkia të hiqet.
Hija e nënës së tij ikonë nuk do të zhduket së shpejti.
Burimi: Le Monde
Përktheu dhe përshtati: Konica.al