Aktore e rreth 90 roleve kryesisht në teatër, një pjesë të cilave kanë mbetur të padokumentuara. Por, roli më simbolik, që jeton në kujtesën kolektive, është ai i Donika Kastriotit – bijë e princit të famshëm, Gjergj Arianiti dhe bashkëshorte e Gjergj Kastriotit.
Regjisori rus Jutkevic, kishte këmbëngulur që rolin e Donikës ta interpretonte një shqiptare, duke propozuar pikërisht, Besa Imamin, e cila i dha ngjyrat më të bukura femërore, bashkë me tiparet e një karakteri të denjë për një prijës shqiptar që, trimëria, fisnikëria dhe largpamësia e kthyen në një legjendë të gjallë.
Besa Imami ishte zëri i bukur kumbues, me portretin kaq shprehës, që kinemasë dhe teatrit i shtoi një profil krejt origjinal dhe shumë veçantë. Interpretimi mjeshtëror, delikat dhe i thellë, do të sillte para publikut shqiptar personazhe të paharruara në skenë. Ndërsa në jetë, një zonjë fisnike që shquhej për qytetarinë e saj.
Besa Imami u lind në Gjakovë, më 8 gusht të vitit 1928. Mbetet ndër aktoret më të mira që kanë njohur shqiptarët. Në kinematografi, ajo u bë e njohur për publikun e gjerë, me rolin e Donika Kastriotit, në filmin “Skëndërbeu”, të realizuar në vitin 1953. Më pas do të vijonin role të tjera, si te“Ndërgjegja”, roli i Martës në filmin “Brazdat”, në vitin 1973, roli i nënë Tanës në filmin “Në fillim të verës”, në vitin 1975, e shumë role të jera.
Ndonëse në Shqipëri erdhi fëmijë trevjeçar, Besa nuk e harroi kurrë Gjakovën ku u lind, për t’u larguar kur i ati Ferid Imami, arsimtar, arratiset më 1931. Familja Imami zhvendoset në Tiranë, mirëpo babai i Besës vdes i ri dhe lë të shoqen 31-vjeçare, me pesë fëmijë, dy vajza e tre djem.
Shtigjet e aktrimit ia përcakton paraqitja e parë në një shfaqje amatore, më 1945, kur Besa ishte vetëm 17 vjeçe, kjo i lë mbresa regjisorit Pandi Stillu dhe kështu, pas një viti e angazhojnë në Teatrin Popullor të Tiranës.
Që nga mosha 18-vjeçare e deri në pension, në vitin 1990, Besa Imami i përkushtohet tërësisht aktrimit.
Në sajë të roleve të realizuara, shquhet për mjeshtërinë madhe të interpretimit, luan Klabara Gaberin, Natashën në “Portreti”, Tatjanën në “Mikroborgjezi”, nënë Zyranë në “Bashkë me agimin”.
U shfaq rishtaz në vitet 2000, me “Women without wings” (2002), ndërsa roli i fundit është ai i gruas myslimane, në filmin “Eduart”, i vitit 2006.
Besa Imami, për meritat e saj artistike, do të vlerësohej me titullin “Artiste e Merituar”. Që nga shtatori i vitit 1946 e deri më 1 shtator të vitit 1988, kur del në pension, i ka dhënë publikut gati 80 role. Me propozim të Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, aktorja është nderuar nga Gjakova, vendlindja e saj, me titullin “Nderi i skenës shqiptare”.
Besa Imami vdiq më 21 shtator të vitit 2014, në shtëpinë e saj në Tiranë, në moshën 86-vjeçare.