MENU
klinika

Abazoviç: Florida e Ballkanit

Çfarë do ndodhë me urën Ulqin-Velipojë

27.09.2022 - 09:59

Në intervistën e dhënë për emisionin Opinion, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç foli edhe për projektin e urës që lidh Ulqinin me Velipojën. Ai u shpreh besimplotë se nëse ky projekt realizohet, do të kemi një zonë turistike jashtëzakonisht të veçantë në nivel europian, apo siç e quajti ndryshe “një Florida e re në mesin e Ballkanit”.

Do vazhdojë ura mbi Bunë?

Dritan Abazoviç: Herën e fundit kryeministri i Shqipërisë më ka thënë rregulloje njëherë çështjen në qeveri dhe më vonë vazhdojmë bisedat. Unë mendoj që jemi duke ecur në drejtim të duhur. Është duke u bërë projekti kryesor. Kur të përfundojë projekti kryesor, që po e bën Fondi për Zhvillim i Shqipërisë, ne mund të ecim përpara. Mali i Zi ka parashikuar mjetet në buxhetin e shteti… një pjesë, për të filluar. Besoj se ai projekt do jetë historik.

Do jetë historik për Ulqinin, po do jetë historik edhe për të dy vendet…

Dritan Abazoviç: Besoj se Edi Rama mundet ta konfirmojë, që kur jemi kthyer prej Kievit së bashku, kemi qenë në avion, i kam thënë shikoje zonën, ajo zonë prej Ulqinit ku fillon plazhi me rërë dhe ku përfundon në Shqipëri është gati 30 kilometra. Me atë urë ne jemi në gjendje, në të ardhmen, të jetë një zonë turistike jashtëzakonisht e veçantë në nivel europian. Kjo është nisma më konkrete mes dy vendeve dhe jam i bindur se nuk ka projekt që do jetë më i suksesshëm se me krijuar urën mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në atë vend. Ku do keni mundësinë me u larë në plazhin e Velipojës e të shkoni të hani një darkë në Ulqin, apo anasjelltas. Besoj, shpresoj, sepse duhet me punuar shumë në këtë drejtim, që në atë zonë, të kemi 30-40 hotele me kategori lart. Do të jetë shpëtim për vende pune, zonë turistike, për njerëz që duan me u argëtuar dhe do të jetë Florida e re në mesin e Ballkanit.