MENU
klinika

Analiza e DW/ Korrupsioni dhe...

Çfarë po pengon zhvillimin e energjisë së rinovueshme

02.09.2022 - 13:35

Sipas ekspertëve Bosnjë-Hercegovina mund të kryesonte në rajon për prodhimin e energjisë së rinovueshme. Por korrupsioni, industria e fuqishme e qymyrit dhe burokracitë e shumta janë pengesë.

Tri vite më parë një grup aktivistësh vendas në fshatin Pecka, në veri të Bosnjë Hercegovinës, u bënë bashkë për shfrytëzimin e potencialit diellor dhe ndërtuan panele diellore në çatinë e Qendrës së Vizitorëve në Pecka. Ky ishte i pari i këtij lloji në pjesën rurale të Bosnjës. Nisma Pecka ishte rezultati i një fushate me mbledhje fondesh, në fund të së cilës u mblodh shuma prej 7 mijë eurosh. Kjo nismë përputhej me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, UNDP.

Megjithatë, një vit pas instalimit, 15 panelet diellore nuk kanë prodhuar një kilovat të vetëm energji elektrike. Ligji që rregullon furnizimin e rrjetit të energjisë mbetet i papërfunduar dhe qendra i druhet përdorimit të sistemit të instaluar për të prodhuar energjinë e tij, njohur si vetë-konsum, pasi më vonë kjo mund të ndërlikonte lidhjen me rrjetin.


“Në 2021-shin kemi paraqitur një kërkesë për t’u lidhur me shërbimin vendas dhe jemi ende në pritje të një përgjigjeje” – thotë Boro Maric, pronar i Qendrës së Vizitorëve në Pecka. Në të vërtetë, burokracitë janë kaq të mëdha, njësoj “sikur të ndërtonim një hidrocentral të vogël”, evidenton ai. Maric shprehet se mungesa e theksuar e informacionit rreth të gjithë procesit, e ka bërë projektin akoma më të vështirë. Për shembull, pasi sistemi ishte instaluar, qendra u njoftua se duhet të paguante katër mijë euro shtesë për lidhjen me rrjetin.

Bosnja “e ndërlikuar”

Bosnjë Hercegovina është një shtet federal i përbërë nga dy “entitete”: Republika Srpska me shumicë serbe dhe Federata e Bosnjë Hercegovinës, e cila përbëhet nga boshnjakë dhe kroatë. Dy entitetet u krijuan nga Marrëveshja e Paqes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë në fund të vitit 1995.

Përsa i përket përmbushjes së synimeve klimatike, Bosnjë Hercegovina ka një rrugë të gjatë përpara: mbi 60% e energjisë së vendit përftohet nga karburantet fosile, kryesisht qymyri. Në letër, Bosnja ka rënë dakord që deri në vitin 2050 të dekarbonizohet – një premtim gjigant, kur e krahason me përdorimin pa kriter të qymyrit. Ajo synon të kapë shifrën mbi 40% për përdorimin e energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030, sipas zotimeve botërore.

Procedurat e ndërlikuara pengojnë zhvillimin

Vendi planifikon të krijojë një sistem për çmimet dhe tregtimin e CO2 deri në janar 2026, sistem i cili mund t’i kushtojë shtrenjtë industrisë së qymyrit, thonë ekspertët. Pengesat më të mëdha janë shpërndarja e ndërlikuar e kompetencave në fushën e energjisë nga ana e shtetit dhe interesat e fuqishme të industrisë së qymyrit, theksojnë sipërmarrësit dhe ekspertët.


Entitetet e Bosnjës nuk janë të vetmet që kanë pavarësi të plotë në vendimmarrjen për çështjet energjitike. E njëjta gjë vlen edhe me 10 kantonet brenda federatës. “Këto procedura të ndërlikuara janë arsyeja e procesit të ngadaltë të dekarbonizimit në Bosnjë” – thotë Halko Balavac nga Ministria federale e Energjitikës, Minierave dhe Industrisë. Çdo kanton duhet të japë pëlqimin e tij për çdo projekt, ndjekur nga entiteti dhe më pas shteti.

Investimet e planifikuara

“Kemi projekte të cilat duhet të marrin miratim nga bashkia, kantoni, entiteti dhe shteti, e për t’u pajisur me të gjitha lejet e nevojshme, duhen 3-5 vite” – thotë Senad Salkic, drejtor i “Elektroprivreda BiH”, kompani shtetërore e shërbimeve elektrike, me qendër në Sarajevë. Aktualisht, më pak se 20% e prodhimit të energjisë përftohet nga energjia e gjelbër, edhe pse planet janë që të investohen rreth 220 milionë euro në burimet e energjisë së rinovueshme në 2-3 vitet e ardhshme, në energjinë diellore, energjinë e erës (eolike) dhe atë hidroelektrike. Kjo kap shifrën e 36% të investimeve totale të prodhimit.


Përsa i përket ligjeve që favorizojnë energjinë e rinovueshme, kohët e fundit Republika Srpska miratoi statute – të cilat kërkojnë ende finalizim – që u lejon familjeve që njëkohësisht të prodhojnë dhe të konsumojnë energji elektrike. Sipas ministrit të saj të Energjisë, Republika Srpska ka kontraktuar projekte të energjisë së rinovueshme, me vlerë mbi 1 miliard euro.

Investitorët e privilegjuar

Nga 180 vendet e vlerësuara për korrupsion nga “Transparency International”, Bosnja renditet dobët, mes Shqipërisë dhe Malawi. Mesa duket, edhe energjia e rinovueshme nuk përjashtohet nga rregulli. Deputeti Nebojsa Vukanovic nga Republika Srpska, thotë se investitorët e privilegjuar që janë afër autoriteteve janë ata që “fitojnë” koncensionet.


“90% e koncensioneve në fushën e energjisë së rinovueshme u jepen kompanive në pronësi të politikanëve të partisë në pushtet ose të afërmve të tyre të ngushtë, që shërbejnë si kamuflim i tyre” – pretendon Vukanovic. Sidoqoftë, ministri Djokic, pretendon se çdo gjë funksionon sipas ligjit. “Nuk ka palë të privilegjuara që marrin koncensione” – thotë ai.

Qymyri është “mbreti”

Bosnja krenohet me rezervat e mëdha të qymyrit dhe sipas kritikëve, shteti dhe industria energjitike synojnë të vazhdojnë që të përfitojnë prej tij. Ekspertët thonë se termocentralet që punojnë me qymyr, në qytetet boshnjake qendrore si Tuzla dhe Kakanj, do të vijojnë të punojnë me qymyr deri në 2040-ën, ose dhe më gjatë.

“Energjia në Bosnjë drejtohet nga shteti ose kompani në pronësi të entiteteve” – thotë ekonomisti Damir Miljevic, nga Qendra për Tranzicionin e Energjisë së Qendrueshme (RESET), e cila lobon për energjinë e rinovueshme. “Nëse zotërohet nga shteti, atëherë është nën ndikimin e politikës. Ja përse ata nuk duan që gjërat të ndryshojnë”.


Megjithëse aktualisht furnizimi nëpërmjet energjisë së rinovueshme në Bosnjë është tepër i vogël, Miljevic është i bindur se vendi ka potencialin për të udhëhequr Ballkanin Perëndimor, përsa i përket prodhimit të energjisë së rinovueshme. “Tani është koha për ujë, diell dhe erë” – thotë ai. “Në të treja kategoritë, Bosnjë Hercegovina ka mbase kushtet më të mirë klimatike në Europë. Në vend që ta përdorin këtë energji si mundësi zhvillimi – duke kaluar nga një lloj energjie në tjetrën – ata thonë ‘Jo’, ne do të vazhdojmë me qymyrin, derisa kjo të zgjasë”./DW