Nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se do të ftojë për interpelancë në Kuvend, ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën.
Kjo e fundit gjatë një interviste në VOA injoroi rezolutën e Shqipërisë, në Këshillin e Evropës e cila kërkon nga Asambleja Parlamentare e KiE të rishikojë Rezolutën 1782 të Dick Marty-t, atë të viti 2011, dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
“Ne do të kërkojmë interpelancë ministren e Jashtme, por jo vetëm për këtë por edhe për çështje tjera”, tha Çitaku në Klan Kosova.
“Përtej faktit që as nuk e përshëndet iniciativën e Shqipërisë, thotë se kjo është çështje e tyre. Kjo nuk është çështje vetëm e tyre, kjo është një përgjegjësi që kryeministri Rama e ka marrë mbi supe për hir të historisë sonë”, shtoi ajo.
Ajo ka theksuar se raporti i Dick Martyt synon ta rrënojë rrëfimin për Kosovën, “për luftën tonë dhe rrjedhimisht të de-legjitimoj ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë dhe shtetësinë tonë”.
“Pra, duke e mbrojtur presidentin Thaçi, ne e mbrojmë rrëfimin për Kosovën, i mbrojmë fundamentet e shtetit tonë. Dhe të qëndrosh totalisht indiferent, ishte përtej imagjinatës”.
Gërvalla pati thënë se nuk ka pasur një bashkërendim me qeverinë e Shqipërisë në lidhje me rezolutën.
“Ju duhet të më kuptoni që unë nuk komentoj veprimet e qeverisë shqiptare. Unë komentoj marrëdhëniet tona të përbashkëta të cilat janë të mira si rrallëherë në shumë fusha”.