Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, gjatë takimeve prezantuese tregoi edhe disiplinën e re që ai po vendos në radhët e policisë, ashtu siç e porositi kryeministri Rama “disiplinë ushtarake”.
Rrumbullaku u ka kërkuar vartësve që të mos ketë asnjë punonjës policie me mjekër. Me sa duket mjekra në Policinë e Shtetit do të hiqet bashkë me ish-drejtorin e shkarkuar Gledis Nano, të cilin Rumbullaku e pasoi në detyrë.
Më tej kreu i Policisë së Shtetit u kërkoi vartësve të dalin në terren dhe “ta ndjekin krimin nga zyra”.
“Dua drejtorë që të mos komandojnë nga zyra, por të jenë në terren, për të kontrolluar, drejtuar dhe menaxhuar veprimtarinë e strukturave policore. Kërkoj analiza të qarta për realizimin e objektivave që keni marrë që në fillim të vitit, analiza për problematikat dhe propozime për zgjidhjen e tyre”.
“Disiplina në punë dhe performanca në komunitet janë faktorë të rëndësishëm për një organizatë që prodhon rend dhe siguri. Mos toleroni dhe mos ndikoni te strukturat, për të ndihmuar askënd që është në shkelje të ligjit”, mësohet se iu ka thënë Rrumbullaku.