Për më shumë se 15 vjet bota e futbollit ka parë një rivalitet të ethshëm mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messin, që jo më kot fituan edhe 11 herë së bashku “Topin e Artë”.
Por ky duel tashmë duket i sfumuar. Yje të rinj janë ngjitur në skenë dhe koha do ta vërtetojë a do të arrijnë të ngjiten në nivelin e Messit dhe Ronaldos, sidomos duke iu referuar Champions League, ku portugezi ka shënuar 140 gola dhe Messi 125.
Kylian Mbappe dhe Erling Haaland duket kanë filluar një duel të fortë në distancë mes tyre, i pari luan me PSG dhe i dyti me Manchester City, dy klube që nuk e kanë fituar asnjëherë Champions League, por që po konkurrojnë fort.
Si Mbappe, edhe Haaland e nisën këtë sezon me dopieta Champions. Francezi ka luajtur 53 ndeshje në Champions dhe ka shënuar 35 gola. Një rendiment i mirë i kampionit të botës, kur kemi parasysh që ka dhënë edhe 23 asiste.
Ndërsa Haaland është më i frikshëm në mesataren e golave, në 20 ndeshje në Champions ka realizuar 25 herë. Me këtë mesatare ai lë pas të gjithë yjet e futbollit ndër vite. Por me asistent nuk i ka punët mirë, vetëm 3 të tillë. Gjithsesi, kjo dyshe premton shumë, pse jo t’i afrohen Messit dhe Ronaldos.