Përfundon java e tretë e Kategorisë Superiores, ku pati shumë surpriza. Pas triumfit të Vllaznisë në Tiranë dhe Kastrioti në Kukës, surpriza e madhe ishte suksesi i Egnatias në fushën e Laçit.
Rrogozhinasit, që nuk kishin marrë asnjë pikë në dy ndeshjet e parë, fituan 0-1 në transfertë, duke dëshmuar se do të luftojnë fort jo vetëm që të mbijetojnë. Nënkampionët kurbinas pak janë shfaqur si ajo skuadra pretendente e sezonit të shkuar.
Pjesa e parë nuk prodhoi gola, ndërsa me të nisur e dyta Delarzh për miqtë shkëputet mirë pas një topi të marrë dhe i vetëm me Dajsinanin nuk gabon. Delarzh do të shënonte edhe golin e dytë në minutën e 72-të, po anulohet nga VAR. Gjithsesi, Egnatia arrin të mbrojë avantazhin dhe të marrë tri pikë me vlerë.
Skuadra e vetme perfektë deri më tani në Superiore është Partizani, që tregohet cinike edhe në Ballsh, duke fituar 0-1 ndaj Bylis. Sërish heroi i takimit Xhuljano Skuka, i cili u ka dhënë 9 pikë të plota të kuqve në këtë start.