Juristi Dritan Dedja është ekstraduar nga Spanja për në Tiranë pasi akuzohej nga autoritetet vendase për korrupsion ndaj prokurorit. 31-vjeçari pagoi 2 mijë euro për prokurorin e Kukësit për të liruar vëllain e tij në vitin 2019 i cili akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike.
Aso kohe, prokurori Edmond Karriqi, i cili është vënë në pranga, u pagua 2000 euro për të lehtësuar masën ndaj të akuzuarve.
Report TV zbardhi detaje nga dosja e prokurorisë. Gjithçka nisi në nëntor të vitit 2019, kur në qytetin e Kukësit u arrestuan Ramadan Dedja, Eraldo Braka, Elidon Koka dhe Ergis Xherri, të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike, të cilët u lanë vetëm 15 ditë nën masën “arrest me burg”, pasi pritej akt-ekspertimi final. Fillimisht dosja e tyre u mor nga një prokuror që u shkarkua nga vetting, si rezultat hetimet për dosjen në fjalë I kaluan prokurorit Edmond Karriqi, njëkohësisht drejtues i komanduar i Prokurorisë së Kukësit. Nga ky moment filloi përpjekja për të korruptuar akuzën.
Report Tv arriti të botonte edhe përgjimet e Dritan Dedjas në një bisedë telefonike ku provon se ka paguar një shumë parash ndaj prokurorit për lehtësim mase ndaj vëllait të tij.
“Të hënën i çojmë lekët, ditën e mërkurë e ke bobin ke shpaja”, ishin përgjimet nga SPAK mes familjarëve të personit të arrestuar dhe sekserëve për të ndërhyrë te prokurori Karriqi. I arrestuarit për drogë Ramadan Dedja u lirua në 2019 falë ryshfetit prej 2 mijë euro që mori prokurori i Kukësit, Edmond Karriqi, i cili pushoi çështjen. Ngjarja nis më 21 nëntor 2019, ku vëllai i të arrestuarit ka ndërhyre tek sekseri Isuf Gega që të ndërhynte tek prokurori Karriqi për të lehtësuar masën.
Përgjimet:
Në datën 29.11.2019 Dritan Dedja bisedon në telefon me Rrahim Dedja të cilit i thotë se “të hënën do ia çojmë, përderisa i ka kërkuar të hënën, të martën mund t’i qisi ata”…, “thashë të hënën, do i çojmë, me i çu lekët”… “t’i mbledhim ata të tjerët”. Rrahim Dedja i komunikon se lekët janë gati dhe se lekët nuk janë duke i mbajtur. Sipas kalendarit, dita e hënë përkon me datën 02.12.2019. Në datën 02.12.2019, Dritan Dedja ka shkuar në Kavajë dhe është takuar me Isuf Gegën.
Në datën 02.12.2019, ora 11:50 Dritan Dedja është takuar në Kavajë dhe është ulur në të njëjtën tavolinë me Isuf Gegën. më pas Isuf Gega ka dalë nga lokali dhe ka shkuar në orën 12:10 në një tjetër lokal dhe është ulur në të njëjtën tavolinë me prokurorin Edmond Kariqi. Pas rreth 10 minutash në lokalin e mësipërm ka shkuar edhe vetë Dritan Dedja, i cili është ulur në të njëjtën tavolinë me Isuf Gegën dhe Edmond Kariqin, të cilët qëndrojnë së bashku rreth 20 minuta, ku biseda është koj:
D.Dedja: mos e rr…k… tha, nesër shkojnë ato, ditën e mërkurë e ke bobin e ke aty, ke shpaja.
Rr.Dedja: Sigurtë?
D.Dedja: Po, nesër e sigurtë mo, për çar i kërkun ato
Rr.Dedja: Hajt mirë, ia çove krejt ti?
D.Dedja: Krejt, krejt.
Rr. Dedja: Hajt bukur, çao.
D.Dedja: T’gjitha, hajt.