MENU
klinika

Janë shtrenjtuar më shumë vaji i lulediellit dhe gjalpi

Energjia çon në “qiell” ushqimet në Itali

03.09.2022 - 19:45

Nëse rekordi i rritjes në Itali i përket çmimeve të vajit të lulediellit me 63% për shkak të vështirësive të importit nga Ukraina, energjia më e shtrenjtë po ndikon gjithnjë e më shumë në produktet ushqimore të konsumit të përditshëm me rritje që variojnë nga 34% për gjalpin, e deri 15% për vezët. Në këto përfundime ka arritur një studim I Coldiretti, shoqata më e madhe që grupon mbi 1 milion e gjysëm fermerë në nivel kombëtar dhe europian.

Rritjet më të mëdha të çmimeve janë regjistruar në produktet ushqimore bazë të familjeve që vuajnë efektet e rritjes së kostove të energjisë dhe prodhimit të nxitur nga lufta në Ukrainë, e kombinuar me nxehtësinë rekord dhe thatësirën. Si rrjedhojë konsumatorët detyrohen të shkurtojnë blerjet, veçanërisht familjet me të ardhura të pakta.

Ndër produktet që regjistruan rritjen më të madhe të çmimeve janë margarina me 24%, e ndjekur nga mielli me 23%, orizi 22% dhe makaronat 22%. Por, inflacioni nuk kursen as qumështin me rritje 19% dhe as produktin simbolik të stinës së verës si akulloret me 18%. Ndërkaq, Coldiretti vëren edhe rritje të çmimit për perimet e freskëta me 12%) dhe frutave me 8%, kryesisht për efektin e spekulimeve, ku tregtarët ua paguajnë më pak prodhimin fermerëve dhe trefishojnë çmimet e fruta-perimeve nga fusha në tryezë. Rezultati është se italianët kanë ulur blerjet e frutave dhe perimeve, të cilat në vitin 2022 bien me 11% në sasi në krahasim me vitin e kaluar, në vlera minimale që nga fillimi i shekullit. Rezulton se konsumi i frutave në familje në gjysmën e parë të vitit 2022 ishte 2.6 milionë tonë në sasi.

Sipas një vlerësimi të Coldiretti, rritja e çmimeve do t’u kushtojë familjeve italiane 564 euro në vitin 2022 vetëm për shpenzimet ushqimore, për shkak të efektit të inflacionit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, i cili prek kryesisht kategoritë më të dobëta

Nisur nga vlerësimet e mësipërme, presidenti i Coldiretti, Ettore Prandini, shprehet se duhet të ndërhyhet për të frenuar kostot e shtrenjta të energjisë dhe prodhimit për të shpëtuar kompanitë dhe stalla dhe masa strukturore për të planifikuar të ardhmen”, pohon presidenti i Coldiretti Ettore Prandini, duke nënvizuar se “duhet të punohet menjëherë për zinxhirin e furnizimit. marrëveshje midis kompanive bujqësore dhe kompanive industriale me objektiva të sakta cilësore dhe sasiore dhe çmime të drejta që nuk bien kurrë nën kostot e prodhimit siç kërkohet nga ligji i ri për të luftuar praktikat e padrejta dhe spekulimet “.