Qeveria ka vendosur që të caktojë fashën 800 kilovat /orë si një nga masat për të përballuar krizën e energjisë elektrike dhe çmimin e lartë të kilovatit që ka arritur në bursë.
Kush shpenzon mbi 800 kilovat/orë në muaj, çmimi i faturës së energjisë do të jetë dyfish më i shtrenjtë.
Por ministrja e Energjisë Belinda Balluku thotë se kjo fashë, që do të miratohet nga ERE dhe do të hyjë në fuqi për muajin Tetor, do të ketë efekt deri në fund të muajit Dhjetor 2022.
Më pas, do të rishikohet në varësi të kushteve energjetike dhe hidrike të Shqipërisë e do të merret një vendim i dytë për ta lënë në fuqi, për të ulur çmimin e kësaj fashe ose për ta hequr fare.
“Dua të nënvizoj një fakt të rëndësishëm, që ky çmim që do të kërkojë miratimin e nga ERE do të qëndrojë në fuqi deri në 31 Dhjetor, pasi në fund të Dhjetorit ne do të kemi mundësi ta rishikojmë çmimin sipas kushteve. Në rast se do të kemi më pak importe dhe me shpresë do të kemi kushte shumë më të mira hidrike, atëherë edhe çmimi i fashës 800 kilovat/orë do të ulet ndjeshëm apo edhe mund të heqim fashën në varësi të prodhimit vendas që do të kemi dhe çmimit të mishelës energjetike dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme që ne e ndajmë me qytetarët, pasi qytetarët duhet të kuptojnë që kjo është një situatë dinamike dhe ne jemi të detyruar të vëmë këtë fashë pasi kurrë nuk kemi qenë dakord për fashën, por është një masë për të kursyer”, tha ministrja Balluku.